Pjetër Jaku dhe metafora e Mollës së Kuqe
(Profili i një shkrimtari dhe botuesi shqiptar në Detroit, SHBA)
Nga Ndue Dedaj
Pjetër Jaku është një shkrimtar dhe botues shqiptar që rron në Miçigan prej 20 vitesh. Në Lezhë, në librarinë e madhe të qytetit, që ai administronte, ndër të rrallat në Shqipëri që i mbijetoi tranzicionit pa u kthyer byrektore, ishte dhe një dhomë e vogël që shërbente si redaksi e librave të rinj që nisën të botoheshin në fillim të viteve ’90 nga “Kuvendi”, emër nën të cilin përmblidhej revista, shoqëria kulturore-botuese dhe libraria. Aty mblidheshin vazhdimisht krijuesit, nën prijen e poetit të njohur Ndoc Gjetja. Po lindte pak nga pak një institucion modern i librit, që i shërbente të gjitha “zejet” e tij gjer te shtypi. Ndër punët e para që bëri Pjetri në fillim të vitetev ’90 si botues ishte botimi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, por dhe i tre librave me autorësinë e tij kushtuar studimit të veprës së Fishtës. Ndërkohë botonte librat e tij poetikë dhe të poetëve të tjerë të trevave veriore. Ishte aq shumë i përkushtuar ndaj librit dhe letërsisë, sa gjithë kohën e kishte të zënë me to. A thua se do të rronte me “frymën e shenjtë” që fal krijimi dhe fjala e shkruar mbi letrën e bardhë. Libri kishte qenë prerja i tij, mësues gjuhe e letërsie, drejtor i degës së Librit e filmit të rrethit, librar, redaktor. Me kohën Pjetër Jaku vjen e afirmohet si poet, prozator, publicist, botues dhe veprimtar i shquar i letërsisë dhe kulturës. Autor i librave poetikë: “Harrimi i vetes”, “Ankthe”, “Mungesë e hirtë”, i romaneve “Dalina”, “Polici me Kuran”, për të cilin kritika është shprehur me mjaft vlerësim.
Në jetë ndodhin të papritura, ndaj bash në kulmin e kësaj pune të shkëlqyer e plot pasion, Pjetri do të fluturonte drejt Amerikës për ta vazhduar atje “kuvendin” e tij të nisur në Lezhë, duke përfshirë tashmë në të shqiptarët e kontinentit të madh, ikur kohës pas kohe përgjatë shekullit XX, por pa harruar të merrte me vete dhe Lezhën e tij kulturore dhe shkrimtarët e saj. Revista “Kuvendi” (Miçigan, 2001) do të ishte e përmuajshme, kombëtare, informative dhe kulturore. Ajo do të mbijetonte dhe kur tregu i revistave në Shqipëri do të shënonte kuotën më të ulët, duke shkuar në kufijtë e ekzistencës. Jeta e Pjetrit tashmë kishte marrë një rrjedhë tjetër, në krah të poetes së re të talentuar Elinda Marku, me fillimet e saj poetike në fundin e viteve ’90 në Rubikun e gurit të bardhë buzë Fanit, ku në vitin 1994 ajo do të dilte me librin e saj të parë poetik “Dy herë e virgjër”, për të vijuar me vëllimet e tjera “Macja blu” dhe “Bija e Erës”.
Revista “Kuvendi” vazhdoi të dilte në Detroit, ashtu siç kishin bërë një shekull më parë Noli, Konica me “Vatrën”, “Diellin” etj. Të shkosh emigrant dhe t’i kushtohesh sërish librit, kur ende të mungon “çastia” mbi krye, kjo për shumëkënd do të ishte një aventurë, por jo për dy shkrimtarë, që nisën ta thurnin ëndërrën amerikane me “lëndë të parë” shqiptare. Numrat e parë të “Kuvendit” atje, Pjetri dhe Elinda i lidhën me duart e tyre, në shtëpinë modeste, ku kishte më shumë se gjithçka libra, revista, ngjyra…
Por nuk ishte hera e parë që Pjetër Jaku ikte larg, duke lënë pas një dashuri që dhimbte në çdo gur mali e gjethe lisi. Kishte ikur nga vendlindja e tij, Molla e Kuqe e Fanit (Mirditë) në rrëzë të Munellës, kur kishte qenë fëmijë apo i ri. Ishte një fshat i rrallë ekzotik, por larg nga zona urbane. Aq larg saqë ndonjë grua qëllonte që e “nemte” të bijën vogëlushe që bënte sherre: “Kur të rritësh, u martofsh përtej Mollës së Kuqe”! Kurse djali i dashuruar quante “Mollë e Kuqe” vashën e zemrës së tij. “Mollë e Kuqe, ç’ban andej/ k’ceje lumin, eja këndej!” E lumi duhej të ishte Fani i Madh apo Fani i Vogël.
Poeti Pjetër kishte ikur nga mali në fushë, por Mollën e Kuqe e kishte marrë më vete, me bjeshkën, krojet, mrizet, pishat dhe ahet, siç ndodh gjithnjë me poetët.
***
Është një takim i veçantë i organizuar në Lezhë nga miqtë e letërsisë, anëtarët e klubit letrar “Ndoc Gjetja”, pasi Pjetër Jakut me 7 janar, në ditën e 65-vjetorit të tij do t’i jepej titulli “Nderi i Qarkut të Lezhës”. E marrin mikrofonin me radhë: Viktor Gjikolaj, poeti moderator ekselent i veprimtarive të tilla dhe inicues i titujve e çmimeve për krijuesit, nënkryetari i Këshillit të Qarkut Agustin Marku, piktori i njohur Pashk Përvathi, shkrimtarët Agron Tufa, Lulzime Celami, Salvador Gjeçi, Tonin Nikolli etj. Bashkëshortja e Pjetrit, poetesha e njohur Elinda Marku falënderon me elegancë dhe pak humor. Shkrimtari nga Kosova Agim Gashi, duke përshëndetur mikun e tij për titullin, thotë se Molla e Kuqe është një vend atje lart në veri, ku ndan kufiri shqiptar me atë serb. Plotësohet kështu gjeografia hapsinore e Mollës së Kuqe në trojet shqiptare, sidomos me këngët gurra atdhetarie që këndon në këtë event këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri, i mirëpritur si shumë artistë të tjerë nga Pjetri dhe Elinda në bujtinën e tyre të ngrohtë familjare – letrare në Amerikë. Shkrimtari Agron Tufa, që ka ardhur nga Tirana së bashku me bashkëshorten, Elvanën, ka qenë gjithashtu mik i familjes Jaku në Detroit. Ai ndalet në profilin e Pjetrit si poet, botues dhe veprimtar i zellshëm në disporë. Edhe gazetarja Flora Nikolla, Tiranë, spikat ndihmën që i ka dhënë Pjetri për shoqatën që ajo drejton. Jo pa qëllim i përmendëm këto raste, por për të nënvizuar një fakt. Pjetër Jaku nuk mund të ishte ndryshe nga në Shqipëri, edhe atje ku nuk ishte në shtëpinë e tij dhe mundësitë financiare nuk i kishte të shumta.
Por shpirti i madh është thelbi i bujarisë së tij dhe Elindës.
Pjetri thotë se ka dhjetë vite pa botuar libër poetik. “Kam plot libra për botim, por nuk kam kohë për t’u marrë me përgatitjen e tyre”. Ai nuk ka kohë se punon, por dhe se e përdor kohën e tij për të tjerët, për revistën “Kuvendi”, “Ditët e Letërsisë” në Miçigan e veprimtari të tjera në dobi të komunitetit shqiptar atje dhe atij të letrave që është shumë më i gjerë se i pari dhe e kapërcen Atlantikun. Eh, koha vetëm këndej nga ne tepron, them me vete, atje të merr rrjedha e jetës me vete… Aty, në sallën e mbushur plot me njerëz të letërsisë, kulturës dhe artit në bibliotekën e qytetit të Lezhës, është dhe një vajzë adoleshente, me emër të bukur shqiptar, Mara Jaku, 12-vjeçare, bija e çiftit Jaku. Ajo mund të ketë qenë dhe më parë në qytetin e prindërve të saj, por e ka zor ta rrokë në mendje që gjithë ata njerëz kanë ardhur aty nga Kosova, Tirana, Mirdita etj. thjeshtë për t’i thënë një “faleminderit” babait të saj, për miqësinë dhe bashkëpunimin me të. Secili ka dëshirë të thotë diçka të veçantë dhe kështu fjalë pas fjale ravijëzohet në sytë e saj portreti i babait, ani se ai shfaqet aq modest. Është gjithsesi një “kuvend” i vogël miqsh dhe bashkëqytetarësh kushtuar Pjetrit, në shenjë mirënjohje për “Kuvendin” e themeluar prej tij një çerek shekulli më parë.
Dreka bujare është shtruar tek “Antagu” në Shengjin, një nga resortet turistike të “dinastisë” Jaku, siç e quan me humor këtë familje Bardhok Pulaj në fjalën e tij përshëndetëse, duke evokuar njohjen me pjesëtarë të saj shumë vite të shkuara. Flasin pastaj publicisti Gjergj Marku, Agim Picaku, Azem Baliaj, por dhe Tonin Jaku, vëllai i Pjetrit, menaxher i resortit, ashtu siç të tjerë recitojnë poezi: Preng Maca, Elida Rustja, Fatmira Loci etj. Këndon Ilir Shaqiri, këndojnë me çifteli vëllezërit Lleshi, kërcehet, bëhet humor.
Mara e vogël dëgjon e heshtur këtë simfoni të bukur shqiptare kushtuar të atit.
…Por Pjetër Jaku e ka një brengë. A ka poet pa brenga?… “Askush nuk ka mbetur më në Mollë të Kuqe”, thotë ai dhe psherëtin lehtë, ndryshe nga të moçmit që ofshanin fort, me u ndie në kreshta e lugje. Çfarë t’i them mikut tim të tri dekadave? Pjetrit i është kthyer fëmijëria, kullat, shtigjet, motivet e mbas Munellës dhe fëmijëria e rikthyer në moshën e burrit që i ka kaluar të gjashtëdhjetat është një nostalgji me lotin e fshehur…