Poeti Albert Habazaj botohet në rumanisht me librin “Republika e Vargjeve”

Shqipëria në dritën e një poeti të frymëzuar

Nga Marius Chelaru*

Albert Habazaj që vjen në gjuhën rumune nga Vlora e Shqipërisë, është një personazh tejet i njohur dhe admiruar në brigjet e vendlindjes së tij. Falë seleksionimit të Baki Ymerit, ”Republika e vargjeve” vjen si një kompozitë lirike që reflekton shëmbëlltyrën e poezisë shqipe. Josh që në lekturim të parë ideja e unitetit tematik, si dhe mënyra se si e kundron jetën nga brigjet e magjepsura të vendlindjes së tij. Ballafaqohemi me tema të llojllojshme, me motive të përfaqësimit të jetës së përditshme, të përjetimeve personale, sidomos me aspekte të dashurisë, dhimbjes, xhelozisë, në shpellën e zemrës me stalagmite akujsh, ku është ngritur „Lapidari i xhelozisë”.

Poeti reflekton situata konkrete të jetës, situatën e atdheut të tij, ashtu siç duket përmes syrit dhe shpirtit të autorit. Janë poema të rastësishme, qoftë fjala për lindjen e djalit, që dukej si një bjeshkë përmallimi kur doli gruaja nga materniteti, apo për humbjen e do miqve, të farefisit, si psh. Thoma Dhima, Koçi Petriti apo Musa, daja i tij, vdekja e të cilit ia inspiron një poezi nga Iliada e Homerit, kur e kaplon melankolia, ndoshta më shumë se trishtimi i Akiles me rastin e vdekjes së Patroklit. Poeti na dhuron vargje ku flet për punën e tij, si psh. në terenin monografik („Monografitë e mia”), përmes të cilës ruan për kujtesën e atyre që do vijnë, një faqe të shkëputur nga një letër e rrokullisur në humnerë, e hedhur nga shkrepat, por e qartë ngase ruan frymën e rrënjëve me thjeshtësinë e jetës dhe me ylberin e këngës.

Apo për brigjet e vendlindjes, të atdheut, të degëve të shkëputura si Çamëria me lule në degë e me gjak në rrënjë, për Labërinë, me kontraste interesante për Vlorën heroike dhe ilirike (Sa e bukur është Vlora e shëmtuar, sa e shëmtuar është Vlora e bukur). Përndryshe, autori e kundron Shqipërinë, sidomos te poezia „Shqiponja”, pastaj te „Mozaiku ynë antiko-modern”, si një shqiponjë që flatron drejt Perëndimit, në drejtim të botës dhe jetës, krahu i djathtë i së cilës është Kosova, kurse i majti Çamëria: Karaburni është sqepi, kurse Sazani syri, etj. Veçse sot, gjërat duken më të përmbysura se kurrë: „Më e lakuara – Shqipëria/ Në zaret/ E hemisferave diplomatike/ Një klub gjigand/ I bosëve liliputë./ Elementët e tabelës/ Së Mendelejevit/ Tërësisht nëntoka/ Shqiptare i ka/ E vuan më keq/ Se varfëria më e varfër./ Bonjake ngeli e liga/ Në këto troje antiko-moderne/ Lehonë mirësia…”

Sipas autorit, sot këmbët e Shqipërisë lëkunden në erë, porsi këmbët e lavireve në natë, kurse Shqipëria antike i duket se fluturon nëpër kohë, me brenga porsi këmisha e bardhë në natën e zezë, dhe m’u për këtë, globi i lotëve më thehet nga dhimbja, thehet bërthama e dritës për një çik dritë. Ballafaqohemi me personazhe të botës shqiptare, ndër të cilët Lasgush Poradeci apo këngëtarja e famshme Alida Hisku. Herë tjera pyet retorikisht shtetin, nga po shkojmë, apo flet për një natë si çdo natë të çuditshme, në të cilën duhet ta mbyllë me bezdisje televizorin (emisionet e televizuara le t’i shohë vetë televizori), ngase ta lëndojnë shpirtin me marrëzitë që vijnë nga çdo anë.

Edhe bashkëvëllezërit e tij poetë, e kanë vendin, qoftë në “Klubin e poetëve pa klub”, qoftë në “Gosti poetësh”: “Më erdhën pelikanët gazndjellës/ Miqtë e mi poetë/ Më erdhën dy miliardë galaktika/ Me diell e yje./ Si meze për rakinë/ Ua shtrova zemrën me sinqeritet/ S’kisha qengja i thera/ Dallgët e detit për nder të tyre”. Dhe, meqë arritëm në klubin e poetëve, gostia e tyre servohet me të gjitha llojet e pijeve, që nga konjaku, rakia e whiski, deri te birra e vera: “Në gllënjkat e verës së distiluar/ Mushtin e buzëve bukuroshe pijmë”.  Dhe vijnë orët orientale nëpër “Kafenetë e qytetit”: “Të plakura/ Kafenetë e qytetit/ Si gaveta ushtarësh në transhe/ Mendimet e përgjakura/ Të njerëzve të heshtur/ Ngrihen në ajër me tymnajën re.” Njerëzit ndalen, në këtë periudhë, si një ditë zie e politikës së partive mjerane, kur vendi me sytë e shpërlarë në diell, është ngulfatur në tavernë. Në këto kafene: “Me zë të lartë/ Njerëzit flasin/ Për vitet që shkuan/ Për vitet e reja./ Avullnajës mos ia hiqni kapakun/ Se është e markës “Made in kafeneja”. Dhe vijnë gazetat e lodhura, të pushojnë e pinë kafe.

Herë pas here poeti vjen me një dozë humori nga bota e sotme “kapitaliste”, me pesë centimetra buzëqeshje, kur nëse qesh patroni, duhet të qeshish edhe ti! Është një rregull pune kjo, që duhet ta mësosh! Në tekstet e tij janë dhënë aspekte të dryshme të jetës që e përjeton ai dhe njerëzit e tij, disa duke folur për atë se si është çmendur njerëzia, dhe se në burg është ngulfatur Drejtësia, një e drejtë për të cilën “jam dashuruar me Vetminë.” Në poema tjera flet për vuajtjet e tij lidhur me dhimbjet e miqve të tij, për shembull për burgosjen e një miku: “Te burgu kisha shok/ Kur i bija portës/ Çalamanin/ Zog me një krah./ Klithma ime/ U ndie në fund të botës”. Apo, për varfërinë që duket si një vjeshtë e paplleshme, që thahet e vyshket dhe vdes. Apo për mënyrën në të cilën, në rrugëkryq lexon universin e kaltërt, si dhe dashuritë e dhimbjen së bashku me urrejtjen.

Apo për rininë, për Biblën e rinisë, sipas së cilës çdo gjë duket e bukur dhe e mundshme, madje edhe puthjet e ëmbla të çdo stine, për një zeshkane të nxehtë, për dy të rinj që puthen në obor, apo për një buzëqeshje, ngase “Buzëqeshja është preludi/ Që, si kordhat e një kontrabasi/ Bën të dridhet burri”. Apo për gjërat e “thjeshta”, por aq të bukura, me aromë fëmijërie, si në poemën “Kumbulla”. Madje edhe biblioteka personale ka vend në tekstet e poetit, ku thotë me fjalë identike se si fëmijët dhe gruan i ka qortuar, “por ty jo!”. Deti është shpesh prezent në tekstet e tij, këmisha e detit të cilën e vesh, shkruan autori, apo syri i detit, apo, madje, kur vjen fjala për një puthje, preken buzët dhe vjen shembja, lëngu i tyre e avullon detin. Një nga poezitë kushtuar detit, na josh me vargjet që vijojnë: “Nga dëshira, pas mungesës së gjatë/ Si skaf me katër motora/ I sulem shushurimës joniane/ Kaltërsia më ledhaton e i dridhet dora/ Dielli me dritën e buzëve më spërkat/ Kthehem vonë për bregu/ Veshur me këmishën e detit”.

Janë edhe disa tekste të ashtuquajtura epigrame, njëri ndër to „Më kundërshtoni”, duke u shndërruar si nga njëra, po ashtu edhe nga ana tjetër, në një gamë aforizmash kushtuar pleqve, nuseve etj. Vëllimi i Albert Habazajt është i përbërë nga ideja e një unitetit tematik/ideatik, një mënyrë specifike se si duken brogjet e vendlindjes, bota në përgjithësi, si dhe jeta. Përjetime personale, emra, atdheu, dashuritë apo dëshprimet. Diskursi poetik është i sofistikuar dhe i shkëputur nga jeta e përditshme. Nuk mungojnë as tropet, autori duke mos i anashkaluar as metaforat në tekstet e tij, disa nga to duke krijuar një shëmbëlltyrë të dëshiruar, siç janë vargjet kushtuar Shqipërisë.

Para do kohe pata lexuar vëllimin poetik të një poeti kosovar, „Në kështjellën e zemrës sime” të zt. Jahja Lluka. Atë që e thoja për të, vlen edhe për zt. Habazaj, duke patur si objektiv, sidomos mesazhin që ka për ta transmetuar. Duket se vlen të ripërkujtojmë se mesazhet e tij janë tejet të rëndësishme, ngase ato u referohen atdheut, jetës dhe botës aktuale. Kaq për momentin, duke respektuar mendimin e autorit se duhet t’i harrojmë vajtimet e vëllezërve, dhe ta duam ditën e nesërme çdo ditë, ngase kemi nevojë për të qenë njerëz, dhe të prodhojmë dritë me zemrat tona, sepse në sfond, bota kurrë nuk është ajo që duket se është. Ndoshta ky është mesazhi më i rëndësishëm të cilin tenton t’ua japë lexuesve Albert Habazaj, pra mënyrën e tij për ta parë botën. Në këtë kontekst, lexuesit rumun i ofrohet edhe një pjesë e re në hartën bashkëkohore të poezisë shqipe, dhe kjo është, faktikisht në sytë tanë, misioni elementar i këtij vëllimi. (Jash, 30 Janar 2018).

 

 *) Redaktor i shtëpisë botuese “Amanda Edit Verlag”, Bukuresht, Rumani

studiues i letërsisë                                                              

SHKARKO APP