Princesha Diana rikthehet prej dylli, pranë Mari Antuanet, Albert Ajnshtajn, Nelson Mandela

Princesha Diana, figura e përjetshme e elegancës dhe sfidës ndaj normave, është rikthyer në Paris, qytetin ku mbylli jetën, por jo legjendën. Më shumë se 28 vjet pas vdekjes së saj tragjike, muzeu i famshëm i dyllit “Grévin” e ka ringjallur imazhin e saj në formën e një statuje mahnitëse, të realizuar në përmasa reale, pranë disa prej personaliteteve më të shquara të historisë: nga Mari Antuaneta, te Albert Ajnshtajni, nga Beyoncé te Nelson Mandela.
E veshur me fustanin e zi që hyri në histori si fustani i hakmarrjes, Diana shfaqet në muze në të njëjtën mënyrë si atë natë të paharruar të qershorit 1994 në Londër. Ishte një darkë për mbledhje fondesh, por edhe një moment që e përcaktoi përgjithmonë si gruan që vendosi të fliste me stil, guxim dhe trupin e saj, një grua që nuk pranoi më të fshihej pas siluetës së një martese të konsumuar.
Vetëm një ditë më herët, princi Charles kishte pranuar publikisht shkeljen e kurorës, dhe Diana, e mprehtë, e vetëdijshme për sytë e botës që i rrinin mbi supe, zgjodhi atë fustan: me supe të hapura, me prerje të guximshme, me një dekolte që sfidonte çdo protokoll mbretëror. Muzeu “Grévin” e cilëson fustanin si një simbol të pavarësisë së sapogjetur të princeshës, një deklaratë e heshtur, por e fuqishme, që tronditi oborrin dhe frymëzoi miliona njerëz në të gjithë botën.
Figura e saj prej dylli është realizuar me detaje të jashtëzakonshme: gjerdani i perlave, çanta elegante, takat e larta, të gjitha elemente që rikrijojnë me përpikëri po atë natë, kur Diana vendosi të rishkruajë narrativën personale me një veshje. Muzeu thekson se ajo mbetet një ikonë globale e kulturës pop, falë stilit të saj të pagabueshëm, dhembshurisë, humanizmit dhe personalitetit të pavarur.
Diana humbi jetën më 31 gusht 1997, në moshën vetëm 36 vjeçe, në një aksident tragjik në Paris gjatë një ndjekjeje të çmendur nga paparacët. Vdekja e saj shkaktoi një reagim emocional të paparë në Britani dhe në mbarë botën, duke e konsoliduar imazhin e saj si “Princesha e popullit”, një figurë që njerëzit e panë jo si pjesë të protokollit, por si një qenie të brishtë, të afërt, të prekshme.
Sot, në “Grévin”, ajo qëndron mes figurave që shënjuan epoka: pranë Mari Antuanetës që mishëron shembullin e një bote të shuar, pranë Ajnshtajnit që tronditi shkencën, pranë Mandelës që ndryshoi historinë e një kombi. Në këtë galeri të madhështisë njerëzore, Diana rikthehet siç ka qenë gjithmonë: simbol i elegancës, forcës dhe lirisë personale, një figurë që vazhdon të frymëzojë edhe nga dylli, edhe nga përjetësia.
A.Vataj/Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

