Reportazh nga Zadrima: Zonja hijerëndë, krenare dhe qëndrestare
Një vizitë në krahinën mes Shkodrës e Lezhës, që u lakmua gjatë tërë historisë, që dha shumë për Shqiptarinë e që po mbetet në harresë…
“Nuk ka asgjë më të rrezikshme në këtë botë, sesa injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme”, ka thënë fituesi i Nobelit për Paqe, Martin Luther King, Jr. Kjo thënie i shkon përshtat peshkopit kroat, sharlatanit të quajtur Tomko Marnaviq, që veten e cilësonte me origjinë mbretërore serbe. Ai thoshte se sllavët janë ilirë, e se Skënderbeu ishte serb. Heroin shqiptar, Gjergj Kastriotin, ai e quante Gjuraq Ivanoviq Skenderbeg. Ndonëse secili studiues në Perëndim këtë peshkop e cilëson si autor të falsifikimeve të fakteve historike, serbët e besojnë trillimin e tij. Edhe sot në Wikipedia në gjuhën serbe, Kastrioti konsiderohet serb. Ndërsa, kur mediat serbe shkruajnë për Shqipërinë, përmendin konjakun “Skënderbeu” si ndër më të mirët në botë e që, sipas tyre, “mban emrin e heroit serb të përvetësuar nga shqiptarët”!
Marnaviqit i kundërpërgjigjet me fakte shkrimtari, historiani, leksikografi, folkloristi dhe etnografi shqiptar, Frang Bardhi, që jetoi në pjesën e parë të shekullit XVII, e i cili në Venedik publikon veprën “Georgius Castriottus Epirensis vulgò Scanderbegh, Epirotarum Princeps fortissimus, ac invictissimus Suis, & Patriæ restitutus” (Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skenderbeg, princ trim mbi trima e i pathyeshëm i shqiptarëve, u kthehet bashkatdhetarëve dhe atdheut të tij). Bardhi e fundos Manaviqin, ndërsa shqiptarëve ua lë si trashëgimi një vepër të duhur studimore, që bazohet në metoda historiografike, në dokumente arkivove e kronika – model të cilin duhet ta ndjek çdo sundues i sotëm.
Frangu ishte ipeshkvi i Sapës, krahinë që sot çuditërisht njihet me një trajtë sllave – Zadrima (Fusha e Tejdrinit). Kjo sepse gjatë pushtimit të rajonit nga Dushani i Serbisë – siç do të ndodhë kudo më vonë, sidomos në Kosovë – serbët ndryshojnë toponimet dhe nisin ndërtimin e kishave politike. P.sh. Evaristo Coli, në librin e tij për Kallmetin e Zadrimës, përmend një kishë ortodokse të cilën banorët kurrë nuk e kanë shfrytëzuar. Kjo kishë që nuk rezulton në asnjë relacion të priftërinjve katolikë – të fesë së shqiptarëve të veriut të asaj kohe – është quajtur Kisha e Shkjaut.
Me njerëz si Bardhi mbrohej denjësisht identiteti e dinjiteti kombëtar. E vërteta. Ndaj, emri i tij mbetet dëshmi e vlerave të popullit shqiptar, që sot janë shumë pak të dukshme. Mu për këtë, për ta nderuar emrin e tij, me muzikantin, shkrimtarin dhe piktorin Lekë Tasi, me skulptorin dhe profesorin Sadik Spahija, si dhe shkrimtarin e estetin Stefan Çapaliku, vendosëm të ndërmarrim një udhëtim të shkurtë në Zadrime, ku na priste zadrimori i nderuar – botuesi dhe publicisti Frano Kulli. Caku i parë ishte Kallmeti, vendlindja e Bardhit.
Rrugëtimi jonë nis nga Tirana, nga kryeqyteti i Shqipërisë që shumëkush e quan metropol, për të cilin madje thonë se ka një milion banorë. Ky është perceptimi shqiptar për vlerën: të ekzagjerosh dhe të flasësh me shifra të mëdha; të përmendësh emrin metropol, sepse kështu je pjesë e botës së zhvilluar. Por, duke pasqyruar këtë perceptim të gabuar të zhvillimit, Tirana u bë qytet pa identitet. Jo veç pse nuk ka shumë histori, por sepse ndërtimet vend e pa vend, shpeshherë pa shije e pa plan të duhur urbanistik, qytetin e kanë shndërruar në xhungël betoni. Prandaj, trafiku është i ngarkuar, sidomos në mëngjes. Pos këmbësorëve, lëvizje tjetër në rrugë duket se nuk ka. Për optimistin e papërmërisuar Lekë Tasi, kjo gjendje mund të përdoret për një vepër të mirëfilltë skulpturore. Sepse, për të, detyra e artit dhe artistit është të pasqyrojë si duhet… stativitetin!
Debati për stativitetin u “nxeh” teksa i afroheshim Zadrimes, duke e kaluar qendrën administrative të kësaj krahine – Lezhën, ku varros trupi i pajetë i Skënderbeut, e ku po mendohet të vendoset një statujë e tij. Një nga “kriteret” e heshtura për këtë monument ishte që heroi kombëtar të mos dukej shumë “tokësor” dhe shumë “modern”! Kjo në një mënyrë nënkuptonte pasqyrimin e shpirtit të tij luftarak, në lëvizje e larg stativitetit.
Por, çfarë do të thoshte për këtë sot, Frang Bardhi – një nga kokat më të ndritura shqiptare, që vdiq i ri, në moshën 37-vjeçare? Pleqnari nga Kosova, Xhemajl Abria, kur i lindi djali e të gjithë e uruan t’i ngjante atij, ai miqve u tha: “Uroj t’i ngjajë kohës”! Dija i reziston çdo kohe. Ndaj, Bardhi edhe sot është i kohës. Sepse e kërkonte të vërtetën, që është një, si dje, si sot e si nesër. Këtë e ka thënë në apologjinë e sipërpërmendur për Skënderbeun: “Unë e mora përsipër këtë barrë, jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s’ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema”.
E vërteta sot është se… e vërteta fshihet. Shoqëria jeton në farsën që e imponon pushteti injorant. Dhe, artistët, ata që do të duhej ta mbronin të bukurën dhe të vërtetën, e të luftonin injorancën e të keqen, po e ulin kokën.
“Artisti duhet t’i kundërvihet së keqes”, thotë mjeshtri i fotografisë, Fahredin Spahija. “Veç krijimit të vlerave estetike, artisti ka dhe një detyre tjetër të rëndë e fisnike: ta mbrojë të drejtën dhe t’i kundërvihet së keqes në shoqërinë pjesë e së cilës është, dhe kudo që ajo e keqe paraqitet. Po nuk ndodhi kjo, kredibiliteti dhe morali i artistit del i paqëndrueshëm”.
Gian Lorenzo Bernini e bëri skulpturën ekuestriane të sundimtarit më të famshëm francez, Luigjit të XIV-të. E bëri siç mendoi se duhet, jo sipas shijeve të mediokrëve të oborrit të Francës që ndikonin të refuzoheshin shumë projekte të Berninit, veç pse stili i tij ishte “shumë italian”. Fituesin e tri luftërave të mëdha në Evropë, Luigjin, ai e paraqet të ri, si Apolon – perëndia i lashtë i muzikës e i së vërtetës – jo si mbret në të dyzetat e vona të dikurshme.
“Veprat publike të artit janë fryt i epokës që i prodhon dhe epokën asnjëri prej nesh nuk e ka bash në dorë”, thotë Stefan Çapaliku.
Një epokë u shënua nga Luigji i XIV-të, por edhe nga Bernini. Edhe nga Frang Bardhi. Jeta e të treve u ndërthur për pak kohë në vite të njëjta. Të tretë e deshën të bukurën. Luigji i XIV-të, ndonëse luftëtar i zoti, më shumë njihet për Versajën. Edhe Oktavian Augusti, një nga luftëtarët më të mëdhenj të Perandorisë Romake, kujtohet si ndërtues – si njeriu që ndërtoi rrjetin e parë të rrugëve moderne. Si Eros pra, jo si Tanatos. Ndaj, statuja e tij është pa armë. Pse?
“Sepse Roma e cilësonte veten si vend çlirimtar, që përhap kulturë”, thotë Sadik Spahija, i cili ka thënë se socrealizmi shqiptar, pas vitit 1999, u shfaq në mënyrën më të shëmtuar në Kosovë, teksa veprat publike nuk e shfaqnin forcën shpirtërore që mundi Goliatin, por një shpërfytyrim realiteti: UÇK-në që ta krijon përshtypjen se ishte e armatosur deri në dhëmbë, ndaj e pati të lehtë luftën ndaj Serbisë! “Monumentet duhet t’i shërbejnë të sotmes, e jo kohës kur formohen shtetet. Kemi nevojë për Skënderbeun që bashkon, e ky bashkim sot nuk vjen nga armët”.
Pra, ai model që u aplikua në Kosovë, në mënyrë më të “sofistikuar” po pëlqehet edhe në Shqipëri, në një socrealizëm korrekt e jo ashiqare të shëmtuar si në Kosovë. Në të dy rastet armët janë detaj i preferuar, e jo diçka tjetër që pasqyron… p.sh. bukurinë, si të Apolonit.
Spahija ka punuar një bocet për monumentin për Skënderbeun. Heroi jonë kombëtar shfaqet i ri, i bukur dhe me fustanelle. Jo me tirq. E, kur është fjala te veshja, etnografët e njohur e profesionistë shqiptarë, thonë se tirqit ndër shqiptarë nisën të përdoren pas vitit 1860, si modë e ardhur nga Çekia. Këtë na e tha edhe profesoresha Afërdita Onuzi. “Skandaloze”! Si do të reagojë politika e turma – të “gjithëdijshmit”!?
Homazhi jonë drejtë vendlindjes së Frang Bardhit po bëhet i rëndë; debati për të vërtetën “i padurueshëm”; arti po krijon tensione “negative”…! Prandaj, Stefan Çapaliku bën një digresion, me këto fjalë: “Salvador Dali ka thënë se e vetmja gjë që mund të kërkojmë prej skulpturës është që të paktën të mos lëvizë”. Pra, ta përçojë atë stativitetin e Lekë Tasit. Për ata që nuk e kuptojnë thelbin, kjo i bie të mendojnë se u tha: “Mirë e keni”!?
Dhe, kështu mbaroi debati për artin, në veturë, në afro 70 kilometra nga Tirana në Kallmet. Një bisedë tjetër do t’i shërbente më mirë reportazhit, por ja që Tasi, Spahija e unë kishim njohuri shumë të pakta për Zadrimën. Ky debat madje na bëri të shohim pak gjëra rrugës, natyrën apo ndonjë shtëpi të vjetër; ato detaje të vogla që ikin si blic, por që do të mund t’i komentonim kur të kthehemi… Megjithatë, mendoj se Frang Bardhit do t’i pëlqente ky debat dhe mbase do të ishte i lumtur që ka jetuar në kohë tjera, shumë të vështira. Sepse, sot nami i tij do të mbulohej nga “injoranca e sinqertë dhe marrëzia e ndërgjegjshme”! Pra, do të harrohej…
Në këto çaste të heshtjes “artistike”, vjen prehja shpirtërore. Gjendemi në maje të Kallmetit nga ku shihet tërë fusha e Zadrimës, kjo tokë e lakmuar që në lashtësi. Për të kishte shkruar Straboni dhe Ana Komnena. Në të u ballafaquan Cezari e Pompei, Dukagjinët e Zahariat. Në këtë tokë ishte qyteti i Danjës, një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë në Mesjetë. Thuhej se kishte kështjellë, rrugë të shtruara me gurë, katedrale e bibliotekë… Ishte tokë që të tërhiqte, si Jerina Dushmani, bukuria mahnitëse e së cilës shkaktoi më 1444 konfliktin në mes princave të fuqishëm shqiptarë: Lekë Dukagjinit dhe Lekë Zaharisë. Zaharia vritet – i përzgjedhuri i saj – dhe ajo zgjedh jetën si murgeshë në Sardenjë të Italisë, me amanetin që të varroset në Zadrime.
Kallmeti si komunë përbëhet nga katër fshatra dhe ka pesë kisha: Kisha e Shën Eufemisë, Kisha e Kuvendit të Arbërit (Kisha e Shën Gjon Kryepremit), Kisha e Shën Gjinit, Kisha Zemra e Krishtit dhe Kisha e Kastenjotit. Jo vetëm Kallmeti, po e tërë Zadrima njihet për nga kishat katolike dhe po ashtu si vend që ka nxjerr numër të madh të priftërinjve. Nga kjo krahinë janë edhe Gjin Gazulli (shkencëtar, astronaut me famë evropiane, rektor i shkollave në Raguzë dhe profesor i shquar i Universitetit të Padovës), Pjetër Zarishi (që konsiderohet si poeti i parë i letërsisë së re shqiptare), Ndre Mjeda (mbase liriku më i përkryer i letërsisë shqipe dhe po ashtu një gjuhëtar par excellence), Gjergj Fishta (për të cilin Çapaliku thotë: “Nëse Zoti bani Shqipninë, At Fishta bani shqiptarin”), Daniel Dajani (martir, ndër të pushkatuarit e parë të regjimit komunist, më 1946, i cili në moshën 25-vjeçare ka qenë rektor i Seminarit Papnuer, Shkolla e Jezuitëve në Shkodër – ndër më të mirat e më të fortat në Shqipërinë e kohës)… ipeshkvi i sotëm i Sapës, Simon Kulli, dhe famullitari i Katedrales së Tiranës, Marjan Lumçi. Por, ky vend shquhet edhe për atdhedashuri. Dëshmi më të mirë për këtë ku ka se Gjergj Fishta, që Zadrimën e quante“zonjë hijerëndë, krenare dhe qëndrestare”, e i cili trimëritë e banorëve të kësaj ane i përmend te “Lahuta e Macisë”: “Edhè n’mal komitë kan dalë / Kush me djalë, kush me mahallë”.
Kisha e Shën Eufemisë, që gjendet në maje të Kallmetit – e njohur nga banorët si “Kisha e Sh’Misë” – për herë të parë përmendet në një dokument të vitit 1343. Ajo është rindërtuar së voni, mbi themele të vjetra. Brenda saj – në shkëmbin ku mbështetet, prapa të cilit shtrihet Mirdita – shihet skulptura e gdhendur nga artisti vendas, Tonin Prendi (student i dikurshëm i Sadik Spahisë), që paraqet shenjtëreshën romake që u vra mizorisht në Kostandinopojë, nga urdhrat e perandorit ilir – Dioklecianit. Nga i njëjti shkëmb del një burim uji i pijshëm.
“Më pëlqejnë punimet që i kanë bërë”, është komenti i shkurtë i Lekë Tasit, që në një kuti me mbishkrimin “Ofertat”, hedh lekë që do mblidhen për nevojtarët.
Kallmeti njihet edhe për kultivimin e ullinjve e sidomos të një varieteti të veçantë të hardhisë së rrushit, nga i cili del vera më e mirë në Shqipëri. Kjo zonë është nga më të parët në Ballkan që njohu mjeshtërinë e prodhimit të verës. Këtë kulturë e sollën romakët, të cilët me vete morën disa nga varietetet ilire të rrushit që pastaj do të përhapen në tërë Evropën.
Studiuesi i njohur i verërave, Richard Hemming, në një shkrim të tij shtron pyetjen nëse vera është art apo shkencë. Përfundimi i tij ishte ky: “Vera është prodhuara para se shkenca ta shpjegonte. Pra, vera mund të jetojë pa shkencë, por jo pa art…”!
“Vera mbi të gjitha është art”, do të pajtohej me të edhe Lekë Tasi, por për art ne nuk do të flasim më.
Rruga për në Kishën e Eufemisë sot është e shtruar. Rrugët janë të mira në tërë Zadrimën që ka dhjetëra fshatra, disa nga të cilat i takojnë Rrethit të Shkodrës e disa Rrethit të Lezhës. Kjo krahinë mund të përshkohet lehtë brenda ditës, po për ta njohur duhet kohë goxha e gjatë. Sepse, ka histori të bujshme, që nga Neoliti; këtu sunduan fisnikët e fuqishëm shqiptarë, ndër të cilët edhe Balshajt, Dushmanët e Blinishtët; këtu ishte hapur ndër shkollat e para shqipe, më 1639… Mbi të gjitha, këtu ka pasuri të madhe njerëzore!
“Si askund tjetër ndër shqiptarë, njerëzit këtu shquhen për urtësi, mikpritje e kulturë. Janë të veçantë, të tillë që nuk has diku tjetër”, thotë Çapaliku.
E drejtë të thuhet kjo. Unë kam fatin t’i kem miq Frano Kullin dhe Dom Marjan Lumçin. Për vlerat njerëzore, për mënyrën e komunikimit, dijen e kulturën që përçojnë, në Kosovë do të thoshin: “Të marrojnë”! E, nuk duhet të harrojmë se e kaluara e banorëve të Zadrimës nuk ishte e lehtë. Vuajtjet e tyre përshkruhen që në relatat e Frang Bardhit. Por, këtu shqiptari nuk u tjetërsua. “Ri shtrembër e fol drejt”, ka thënë Bardhi. Me këtë parim ka jetuar ai dhe zadrimorët e tij dhe, sipas këtij parimi, secili që do të kalojë nëpër Zadrimë e do të ndërrojë ca llafe me banorët, do të thotë me bindje: ky është vendi i njerëzores!
Zadrimorët njihen edhe si punëtorë të vyeshëm. Ndaj, rrugëve sheh pak kafene e besa edhe pak njerëz. Sepse, këtu koha nuk kalohet kot. Por, ata që rastisë kanë fytyra që nuk i has shpesh, që ngjajnë me karakteret impozante nga fotot e vjetra. Kjo është bukuria shqiptare që rrezaton mirësi dhe krenari, si në legjendat e vjetra. Ky është imazhi që duam të na karakterizojë edhe sot. Ndaj, dalim nga vetura, për t’i fotografuar nga larg. Askush nuk të thotë gjë. Madje ndalen, sikur për ta lehtësuar punën tonë, sepse ndjejnë se kemi nevojë për ndihmë; se duhet të jenë në gjendje stative për të fiksuar një moment të bukur që do ta pëlqente edhe Lekë Tasi. Disa largohen në rrugë tjera, e ta bëjnë me dorë. Të tjerët afrohen, e të përshëndesin.
Dy zonja të vjetra me veshje tradicionale nga Kallmeti, që thuhet se datojnë që në lashtësi, i lutëm nëse mund t’ua bëjmë nga një portret.
“Po moj nanë, po qysh jo”, thotë njëra, me një gegnishte të pastër që ta kënaq veshin. Nuk mund të mos e kem një foto me këtë grua që disi më ngjan me gjyshen time nga Rugova, Buten, që vdiq shumë vite para se të lindja e të cilën e njoh vetëm nga fotografitë. Të njëjtën e kërkon edhe Spahija që në stinën e saj të vonë, në fytyrën dhe në rrudhat e saj, e sheh një bukuri të rrallë. Një monument, një tjetër Damë të Gurit të Zi…
“Një zonjë që nuk e has shpesh; një botë që po zhduket para syve tanë. Ishte grua e fisshme, me fytyrë si një vepër e mirëfilltë arti. Mos u habitni nëse një ditë do ta përjetësojë në skulpturë”, thotë ai.
Etnokulturalisht, si fshat ndërmjet dy krahinave – Zadrime e Mirditë – Kallmeti është shumë i veçantë. Megjithëse bën pjesë në zonën e Zadrimës dhe në kuadër të Lezhës, në doke, zakone, veshje e në marrëdhënie shoqërore ndryshon me Zadrimën. Në këtë aspekt, më të afërta janë fshatrat tjera kufitare, si Ganjolla, Jubani, Guri i Zi, Renci, Vukatana e Spathari në veri, që administrativisht i takojnë Shkodrës.
Kur është fjala te Zadrima, të lë me gojë hapë kostumi i gruas zadrimore. Punuar në tezgjah, larmia e ngjyrave, tonaliteti, raportet dhe rreptësia e lojës estetike, delikatesa e teksturës dhe ansambli i simbolikave e veçojnë dhe e ndërfusin thellë në shpirt këtë manifestim të pazëshëm të së bukurës.
Kjo zatetje e femrës në krye të bukurisë së peizazhit rri harmonishëm me burrat faqekuqë, prodhimet tradicionale prej bukëfikes e deri te vera e famshme Kallmetit, që është gjynah prej Zotit ta thërrasësh “verë” e jo “venë”, aq shume aroma mban brenda. Kjo verë dikur eksportohej në Vatikan. Thuhej se ishte e preferuara e Papa Klementit XI, që kishte origjinë shqiptare, e që të parët e tij ishin nga familja Lajzi e Laçit… afër Zadrimës!
E se çfarë burrash ka nxjerrë kjo krahinë antropologjikisht atipike, mbetet gjithmonë për t’u zbuluar për shkak të modestisë dhe kryeultësisë së banorëve: “Se trimi kurrë nuk ngutet / Prej urtijet e jo prej tutet”. Nga këtu e ka origjinën edhe mjeshtri i madh i fotografisë, Keli, i ati i Gegës, që përpara se ta ndërronte mbiemrin në Marubi, e kishte Kodheli, sipas një fshati të Zadrimës…
Por, “mjaft” me artin! Do të flasim për humanizmin dhe tolerancën fetare. Për këtë, shkojmë ta shohim kishën e Blinishtit, të ngritur pas viteve 1990, nga frati italian Don Antonio Sharra që dha gjithçka për banorët të cilëve u shërbeu me shumë dashuri e përkushtim. Në kohën kur u vendos në Zadrime, Shqipëria ishte në mjerim ekonomik. Mungonte gjithçka. Por, ai me vete sjell shpresën. “Shkretëtira do lulëzojë”, ishte motoja e tij. Kështu, fshatarëve u siguron pajisje bujqësore, grave tezgjahë dhe të rinjve teknikë për poçeri. Toka nis të sjell më shumë fryte, e po ashtu të lulëzojnë dy zanate me të cilat sot shquhet goxha mirë kjo zonë. Në tokën e kishës ai kishte ndërtuar një si përkujtimore dhe vend lutjeje për vajzat e humbura të Zadrimes, një tjetër për vajzat e vrara kudo në Shqipëri, e një tjetër për martirët myslimanë, martirët katolikë dhe martirët ortodoksë.
“Nuk di çka me thonë për te. Gjithçka ka ba për ne. Ai vdes në Itali, ku ishte në spital, po kërkon të varroset këtu, te populli të cilit i shërbeu”, thotë pensionisti Serafin, i cili na ka shoqëruar në disa fshatra të Zadrimes.
Serafini ka tre djem, që të tre jashtë vendit. Njëri nga ta për mbijetesë punon herë në Kosovën e herë në Maqedoninë e Veriut, të dy këto vende të varfra nga ku po ashtu po ikin banorët. Është e vërtetë se zadrimorët janë punëtorë, por shteti shqiptar bën pak e hiq për t’i ndihmuar e për të mbështetur produktet vendore. Mundin e djersën e tyre. Se sa bën shteti për këtë vend, kjo dëshmohet nga vizita që bëmë në fshatin Fishtë, aty ku u lind e u rrit poeti jonë kombëtar, Zefi i Ndokë Simon Docit – At Gjergj Fishta. Shtëpia ku ai ka kaluar fëmijërinë, bashkë me familje, duhet të vizitohet nga çdo shqiptar, si një pelegrinazh drejt dijes dhe atdhedashurisë, por pamja që do të shfaqet para s’është gjë pos pasqyrë e mjerimit tonë moral e intelektual. Të të gjithë shqiptarëve, kudo që ata janë. Ajo që ne shohim është një ngrehinë që shpejtë mund të shembet. Një shtëpi pa dritare, me një antenë televizive të ngjitur kot në të, me thera kudo. Dhe, në këtë shëmti, valon pa nda “krenar”, flamuri jonë kuqezi!
Kur Fishta kishte mbyllë sytë, Luigi Federzoni – shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm italian – kishte shkruar në të përditshme prestigjioze italiane, “Corriere della sera”: “Në të (Fishtën) kemi pa se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tashti e dijmë se vepra ka për të mbet në mendje e në nderim të shqiptarëve”.
Por, ku është nderi jonë, për të e për veten tonë. Ministria e Kulturës e Shqipërisë, ku si zëvendësministre shërben një anonime nga Kosova, në fillim të vitit 2018 fshatin Fishtë e përfshiu në të ashtuquajturin projekt – “100 fshatrat turistikë”. Por, pamja që kemi ne para vetes të bën të bërtasësh e të shash këtë “Kulturë”. Edhe Ministrinë e “Arsimit” ku si zëvendësministre shërben një tjetër nga Kosova. E, të plasësh kur sheh se ku ka ra ky vend, e kur kujton se dikur, kur ishim ba tamam Shqipëri, ministër i Arsimit ishte një kolos si Ernest Koliqi, e i Kulturës një Akile Tasi (xhaxhai i Lekë Tasit).
“Marrëzia dhe babëzia ç’qytetëruese ka gjasë ta kthejë kalanë e ‘Besëlidhjes’ në Lezhë në një pijetore. Por, shtëpia e poetit, më shumë se si banesë, të grish si një simbolikë, të josh gjeni i racës së poetëve, zanafilla e gjeniut, që kudo në Evropë po edhe më përtej çmohet e nderohet si vlerë identitare”, thotë Frano Kulli. “Fishta ka për banesë pjesën e vet në Tempullin e Vlerave të Kombit, në kujtesën dhe shpirtin e shqiptarëve, kudo që janë, anekënd botës. Koha e vërtetoi se ajo qe e patjetërsueshme. Porse paria e vendit e ka për detyrë përkujdesjen edhe për reliket, si për gjithçka tjetër të lidhur me njerëzit e vlertë të historisë së kombit”.
Teksa largohemi nga shtëpia e poetit kombëtar, nga zhgënjimi na kujtohet sërish Antonio Sharra, të cilit për “vizitë” i shkojnë shqiptarët, nga kush e di se ku, për ta rrahur e për ta plaçkitur. Sepse, ishte italian dhe ai “doemos” duhet të ishte i pasur! Të ketë diçka tepër! Ndaj, Çapaliku, citon një varg Fishtës, që ilustron më së miri realitetin tonë: “Ah shqiptari kte e ndjeftë Zoti / se s’e regjë as stina as moti”!
Eh, arti…!
Kemi lënë shumëçka pa thanë për Zadrimën. Nuk kemi folë as për Nenshatin e as për Hajmelin, as për Troshanin – kuvendin ku Fishta mori mësimet e para. Kemi ruajtur plot gjëra pa thënë, dhe nisemi drejt Lezhës, ku kishte rastisur për vizitë Gjergj Meta – ipeshkvi i Rrëshenit, Mirditës dhe Dibrës. Me të do të pimë nga një verë Kallmeti. Bashkë, në një tavolinë, katolikë, myslimanë e ortodoksë. Do të flasim për përvojën tonë, për zadrimorët e mirë, për shqiptarët e mirë kudo, po nuk do të mund të shmangim edhe pushtetin e ligj dhe servilët e tij që s’kanë as din as iman.
“Na duhet besimi, patjetër. Duke mos pasë frikë nga asgjëja, jemi bërë si të tërbuar”, thotë përmetari besimtar, Lekë Tasi, dhe vazhdon me humorin e tij. “Me besim them se edhe debati për artin do të jetë më i lehtë, se do të shmangej injoranca e sinqertë dhe marrëzia ndërgjegjshme”.
Një dolli për të bukurën ndër shqiptarë.
Amin. /Telegrafi/