Rruga Egnatia dhe Stefanafana në antikitet

Roskoveci dhe studimet arkeologjike

 Nga Ilirjan Gjika

1

Për rrugën antike Egnatia është shkruar gjerësisht në botime të ndryshme dhe shtypin e specializuar. Në këto punime historografike ajo është trajtuar gjerësisht nga autorë të huaj dhe shqiptarë, të cilët kanë përcaktuar tashmë me detaje degët, itinerarët, degëzimet, stacionet e kuajve, emërtimet e tyre dhe bujtinat e saj. Pikërisht në këto studime gjen edhe pjesë të caktuara për Roskovecin si një nga stacionet e shumta të saj me emrin: Stefanafana.

Nëse do të futeshim në analet e historisë antike do të ndeshnim një sërë shkrimesh për këtë rrugë, e cila në brigjet joniane të Ilirisë kishte dy piknisje. Themi në brigjet joniane sepse në periudhën antike kufiri ndarës midis deteve Adriatik dhe Jon merrej në Epidamn i cili njihej edhe me emrin tjetër: Dyrrah. Duhet theksuar se piknisja e degës jugore të Egnatias niste nga Apolonia, ndërsa tjetra, dega veriore e kishte fillimin e saj nga qyteti i sipërpëmendur i Dyrrahut. Të dyja këto degë takoheshin përgjatë luginës së lumit Shkumbin në qytetit te atëhershëm të Klodianës (Peqinit të sotëm) dhe vijonin drejt lindjes për destinacioni përfundimtar: Kostandinopojën.

Nëse do ti referoheshim degës jugore të rrugës Egnatia mund të themi se fillimisht ajo niste nga Apolonia. Më pas kur rëndësia e këtij qyteti ra si fillim i kësaj rruge nisi të shërbente qyteti i Aulonës. Këtë gjë e gjejmë edhe te një hartë romake udhëtimi të shekullit të IV, siç është Itinerari Hierosomilitan apo i quajtur ndryshe edhe si Itinerari i Burdigalës. Ai u përpilua në vitin 333, kur një murg anonim udhëtoi nga Bordoja e Galisë (Francës) drejt Jeruzalemit. Gjatë këtij itinerari të përshkuar ky pelegrin ‘’pasqyroi’’ në hartën e tij të gjitha stacionet që përshkoi. Sipas tij, kjo rrugë kalonte në stacionet Aulona , Stefana, Apoloni, Absos, Marusia dhe Klodiana ku takohej me degën veriore që vinte nga Dyrrahu. Këto stacione që sot korrespondojnë me Vlorën, Mifolin (Vlorë), Pojanin (Fier), Roskovecin (Fier), Kuçin (Berat), Golemin (Lushnje) dhe Peqinin ishin të pajisura me bujtina, vende për ndërrimin dhe shërbimin e kuajve, shërbime të tjera, etj. I tillë ishte objekti i shkrimit tonë, stacioni Stefanafana që në këtë itinerar romak udhëtimi mbart shifrën e XII miljeve.

Pra viti 333 ishte koha e fundit që përmendet stacioni Stefanafana. Duhej të kalonin 1583 vjet, që një tjetër ‘’udhëtar’’ të kujtohej për Stefanafanën antike. Ai ishte arkeologu austriak, Prashnikër, i cili është edhe i pari autor që u mor me studimin e trasesë së degës jugore të rrugës Egnatia. Gjatë viteve të luftës së parë botërore, ai, gjeti dhe dokumentoi në terren edhe gjurmët që ruheshin prej kalldrëmit të saj. Pikërisht këtyre gjurmëve dhe identifikimit të Stefanafanës me Roskovecin, Prashnikeri, i kushton disa faqe në librin e tij ‘’Myzeqeja dhe Mallakastra’’, të botuar në vjenë nga Alfred Holder në vitin 1920 (Camillo Praschniker, Myzeqeja dhe Mallakastra (përkthim), Instituti Austriak i Arkeologjisë, Alfred Holder, Vjenë 1920, f. 98-99). Ndërkohë që gjurmët e degës jugore, Prashnikeri i kishte gjetur qysh në udhëtimin e tij të parë në Shqipëri, në qershor të vitit 1916, ku pranë bregut të Shkumbinit kishte ndeshur dhe dokumentuar këmbët e një ure antike (Kamilo Prashniker-Arnold Shober, Kërkime Arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi, PEGI, Tiranë 2003).

Më pas do të ishin një sërë arkeologësh shqiptarë të cilët do të merreshin me studimin në terren të saj dhe trajtimin e këtij stacioni në studimet, shkrimet dhe lirat e tyre. Kështu, arkeologu Neritan Ceka në një sërë botimesh të tij për arkeologjinë dhe historinë e antikitetit do të trajtonte midis të tjerave edhe aksin jugor të rrugës Egnatia si dhe stacionin e saj Stefanafana. Fillimisht të libri i tij ‘’Apolonia e Ilirisë’’, Ceka, i bën një analizë degës jugore të rrugës Egnatia, ku shkrun se: ‘’Traseja e saj ruhej shumë mirë në fillim të këtij shekulli (shek XX-shënimi ynë) në fushën e Roskovecit, ku duhet kërkuar edhe stacioni i parë i saj, Stefanafana (Neritan Ceka, Apolonia e Ilirisë, ‘’8 nëntori’’, Tiranë 1982, f. 98-99).

Ndërsa tek një tjetër libër e tij i titulluar ‘’Apollonia, Historia dhe Monumentet’’, Neritan Ceka, shkruan se: ‘’Gjurmët e saj u ndoqën më 1916 nga arkeologu austriak K. Prashniker dhe dallohen edhe sot në fushën e Roskovecit (Neritan Ceka, Apollonia, Historia dhe Monumentet, Migjeni, Tiranë 2004, f. 9). Po këtu, në faqen 9, fig 2, ky autor paraqet edhe fakt shumë interesant por edhe të rëndësishëm dokumentimi. Ajo është një fotografi ajrore ku tregohen gjurmët e kësaj rruge, me shënimin ‘’Traseja e rrugës Egnatia pranë Roskovecit’’ (Po aty). Ndërkohë në librin: ‘’Ilirët’’, prof. Neritan Ceka shkon më tej rreth të dhënave që sjell rreth gjurmëve të kësaj rruge në Roskovec. Në faqen 240 të këtij botimi, ai, paraqet foton e një stele varri që i përket shekullit të I, për të cilën lexohet shënimi shpjegues: ‘’Edikul e një stele të një familje ilire, ngritur nga Jukunda për të vëllain, Epikadin, dhe të motrën, Teuta, ish skllave e Melankut. Gjetur pranë rrugës Egnatia në afërsi të Roskovecit’’ (Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 240). Artefakti që qëndron i ekspozuar në stendat e Muzeut Arkeologjik të Institutit të Historisë në Tiranë është e para provë që na dëshmon gjurmët e komunitetit vendas që banonte pranë Stefanafanës antike.

Po kështu, Roskoveci dhe rruga Egnatia, trajtohet edhe në shkrim të revistës shkencore ‘’Iliria’’, botim i ‘’Qëndrës së Kërkimeve Arkeologjike’’. Në numrin 2, të vitit 1987, autori Koço Zheku, trajton në mënyrë kritike disa pasaktësi të një botimi lidhur me një një hartë të vjetër të Perandorisë Romake. Botimi me titullin: ‘’Tabula Imperi Romani K.34. Naissus Durrachion Scupi Sardica Thesalonice’’ ishte publikuar më parë në Ljubjanë në vitin 1976. Duke plotësuar atë në mënyrë kritike në lidhje me territorin e Shqipërisë, Zheku, përmend midis të tjerave edhe Roskovecin si një nga stacionet e rrugës Egnatia ( Koço Zheku, Tabula Imperi Romani K.34. Naissus Durrachion Scupi Sardica Thesalonice, ’Iliria, 2, Tiranë 1987, f. 269-271).

Ndërkohë që një nga studimet e fundit mbi këtë rrugë është edhe një botim i viteve 2005-2006. Ai i përket vrojtimit sipërfaqësor për të gjetur gjurmët e degës jugore të Egnatias në itinerarinu Elbasan-Apoloni-Aulon. Kërkimet në terren u zhvilluan në vitet 2003-2005 nga arkeologët Ilir Gjepali dhe Surja Lela. Gjatë këtyre vrojtimeve u panë në terren disa segmente rrugore dhe kryen gjurmime pothuajse në një pjesë të madhe të zonës së Roskovecit si në Sukun e Sipërm, Jagodinë, Strum, Roskovec, Kuman, etj. Në Kuman u kryen kërkime pranë të dyja qafave, si atyre të Fikut dhe të Stefanit, por pa gjetur gjurmë konkrete arkeologjike. Në Strum dhe në Roskovec në kërkime mori pjesë edhe prof. Jon Wilkes. (Ilir Gjipali, Kërkime në degën jugore të Egnatias, Iliria XXXII, 2005-2006, f. 305-319). Po kështu kjo ekspeditë studimore sqaroi se edhe fotografia ajrore e publikuar nga prof. Neritan Ceka është bërë në vitin 2000 dhe paraqet një segment rrugor pranë fshatit Jagodinë (Po aty, f. 312). Si dhe në Roskovec kërkimet nuk gjetën mbështetje nga mungesa e të dhënave arkeologjike (Po aty, f. 314). Ky ishte edhe kërkimi i fundit rreth Stefanafanës studimet rreth të cilës presin të hapin një perspektivë të re rreth saj.

 

2

Por cilët qytete ndosheshin pranë Stefanafanës dhe cilat rrugë lokale degëzoheshin prej saj?! Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje le t’i referohemi burimeve historike si dhe studimeve arkeologjike. Në periudhën ankike, kohë kur u ngrit dhe fuksioni edhe dega jugore e rrugës Egnatia, pranë Stefanafanës në shpatin perëndimor të Shpiragut ndodhej qyteti antik i Dimalit. Qyteti ishte i fortifikuar dhe kishte një rëndësi strategjike. Për këtë qëllim Dimali u bë arenë përleshjesh përgjatë luftërave të ndryshme siç ishte edhe Lufta e Dytë Iliro Romake e cila u zhvillua në vitet 219-218. Biles pa nisur kjo luftë, drejtuesi i shtetit ilir Demetër Fari, në vitin 220 pk sulmoi parthinët dhe pasi pushtoi qytetin e tyre të Dimalit vendosi aty një garnizon ushtarak (Selim Islami-Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, USHT, Tiranë 1959, f. 98).

Ndërkohë që Polibi një nga autorët antikë na jep të dhëna të shumta dhe të hollësishme rreth këtyre luftimeve. Sipas tij ‘’…Demetri kur mori vesh qëllimet e romakëve, menjëherë dërgoi në Dimal një roje të mjaftueshëm me pajisjet e nevojshme (Polyb, III, 18, 1). Në vijim të zhvillimit të ngjarjeve, Roma, vendosi të ndërhynte në Iliri. Në fillim të vitit 219 pk ushtria romake zbarkoi në Apoloni dhe Demetri duke mos patur mundësi të ndeshej me të e evitoi përballjen e pabarabartë dhe u tërhoq në Dimal. Këtu i fortifikuar ai mendonte të rezistonte derisa ti vinte ndihma e aleatit maqedonas: Filipit V (Selim Islami-Kristo Frashëri, Historia e Shqipërisë, USHT, Tiranë 1959, f. 99).

‘’…armiqtë mburreshin me fortifikimin dhe pajisjen e Dimalit që pandehej si një qytet që se merrte dot dora e armikut’’, thekson Polibi në një pasazh tjetër të librit të tij ‘’Historiae’’ (Polyb, III, 18, 3). Por çuditërisht ushtria romake e drejtuar nga Luç Emili do ta pushtonte Dimalin brenda shtatë ditëve. Por ky qytet do të bëhet përsëri pjesë e operacioneve ushtarake në vitet 216 pk, 214 pk , 211 pk, dhe, së fundmi në vitin 205 pk, gjatë luftërave të gjata romako-maqedone që u zhvilluan në këtë rajon. Tit Livi te vepra e tij ‘’Ad Urbe Condita’’ na jep një pasazh rreth zhvillimit të luftërave të Romës me Filipin e V të Maqedonisë në vitin 205 pk. ‘’…Mbretit i erdhi lajmi se romakët ishin ardhur në Dyrrah e se parthinët dhe fise të tjera kufitare duke shpresuar në ndryshimin e gjendjes ishin ngritur e se Dimali ishte rrethuar’’, shkruan midis të tjerave ai (Livius, XXIX, 12, 3).

Pikërisht nëpërmjet Stefanafanës kaluan jo vetëm formacionet ushtarake ilire, maqedone por edhe legjionet romake. Një paraqitje të istalimit të trupave romake në këtë rajon dhe lëvizjeve të tyre na e jep autori Bashkim Vrekaj. Në librin e tij ‘’Historia e Apollonisë së Ilirisë’’, ai, thekson se ushtria romake krijoi pranë Nimfeut, 7.4 km në shpinë të Apolonisë, një nga kampet më të mëdha ushtarake. Ai u përdor gjatë operacioneve ushtarake në Iliri dhe luftërave me Maqedoninë (Bashkim Vrekaj, Historia e Apollonisë së Ilirisë, Botimet Ymeraj, 2009, f. 132).

Në këtë kontekst, natyrisht që Stefanafana shërbente edhe si një nyje ku degëzohej e vetmja rrugë që të çonte drejt qytetit të fortifikuar të Dimalit. Për këtë na tregojnë edhe lidhjet e rëndësishme ekonomike të Dimalit me zonat përreth sidomos me qytetine Apolonisë. Rreth kësaj teme, na vjen në ndihmë edhe të dhënat e kërkimet në terren të ekspeditës arkeologjike të viteve 2003-2005 e cila ra në gjurmët e një rruge që pasi dilte në Roskovec merrte drejtimin Kurjan-Vlosh-Allambrez (Ilir Gjipali, Kërkime në degën jugore të Egnatias, Iliria XXXII, 2005-2006, f. 314). Një gjë e tillë tregon se nga Stefanafana (Roskoveci) niste degëzimi i rrugës për në Dimal (Allambrez).

 

3

Por Dimali që funksionoi gjatë shëkujve IV-I pk ishte edhe një qëndër e zhvilluar me karakter zejtaro-tregtar. Qyteti dallohej për përpunimin e metaleve, prodhimet e qeramikës dhe punimin e gurit (Burhan Dautaj, Të dhëna numizmatike nga Dimali, Iliria, 1, 1984, f. 131).

Nga gërmimet arkeologjike në të janë gjetur vulat e dymbëdhjetë firmave apo punishteve të prodhimit të qeramikës, dy nga të cilat janë filiale të Apolonisë ndërsa një e tretë e Gurëzezës (Neritan Ceka, Vula antike mbi tjegulla në trevën ndërmjet Aosit dhe Genusit, Iliria 1, 1982, f. 114).

Arkeologu, Burhan Dautaj, që zbuloi rrënojat e Dimalit antik, tek studimi i tij ‘’Të dhëna numizmatike nga Dimali’’, shkruan se nga një thesar prej 87 monedhash të gjetura në vitin 1973 në Dimal, të gjitha i përkasin punishteve monetare të Apolonisë (Burhan Dautaj, Të dhëna numizmatike nga Dimali, Iliria, 1, 1984, f. 132).

Por afërsia e Apolonisë me Dimalin, pozita e tij strategjike, përfshirja në prapatokën apoloniate, ekzistenca si qëndër tranzite e tregtisë me Dasaretinë dhe Maqedoninë e kishin bërë Dimalin, thekson Burhan Dautaj, në një shtojcë të tregut apoloniat (Po aty). Kështu nëpërmjet Stefanafanës realizoheshin lidhjet edhe me krahinën e Dasaretisë dhe njërës prej qëndrave të saj, Antipatreas (Beratit). Prania e qeramikës me motive dekorative të Apolonisë në trevën Vjosë-Devoll në shekujt III-II pk, e është vërtetuar edhe nga të dhënat arkeologjike jo vetëm në Dimal por edhe në Berat (Aleksandra Mano, Tregtia dhe arteriet tregtare në Ilirinë e Jugut, Apolonia e Ilirisë, Tiranë 2006, f. 84-85).

Rreth rolit ekonomik tëe prapatokës së Apolonisë ku bënte pjesë edhe Dimali, një përshkrim tregues na e jep arkeologu Bashkim Vrekaj. Rreth pranisë ushtarake romake këtu, ai, thekson se ushtria e vendosur në kampin e Nymfeut kishte nevojë për furnizime ushqimore që siguroheshin nga ekonomia e Apollonisë dhe rajoni përqark (Bashkim Vrekaj, Historia e Apollonisë …, f. 181-182).

‘’…rajoni ilir në shpinë të Apollonisë kishte mundësi të prodhonte një sërë produktesh të tilla si: gruri, elbi, rrushi për verë, bagëti, lëndë druri, etj, duke i dhënë mundësi tregtarëve apolloniatë, por jo vetëm atyre sepse nuk mund të përjashtohen nga kjo mundësi tregtarë ilirë nga qytetet në Gurëzezë, në Margëlliç, nga Bylisi, Dimali, Nikaja dhe pse jo Amantia, të siguronin ato lloje apo dhe atë sasi produktesh ushqimore dhe lëndë të parë që nuk mund ta siguronte Apollonia’’, shkruan në ligjëratë të drejtë Vrekaj (Po aty, f. 182).

Kështu edhe nga nga Dimali dhe rajoni bujqësor që shtrihej në perëndim të tij pranë Stefanafanës (Roskovecit), zbrisnin drejt ‘’tregut-stacion të Egnatias’’, karrot e mbushura me verë dhe vaj ulliri, të cilat tregtarët apoloniatë i transportonin më pas drejt Nynfeut apo qytetit të tyre.

Gërmimet arkeologjike në Dimal kanë zbuluar një sërë prodhimesh qeramike që shërbenin për depozitimin dhe magazinimin e këtyre prodhimeve bujqësore. Të tillë ishin enët masive të shekullit të IV-III pk si qypa dhe anfora apo pitosat e shekujve III-II pk (Burhan Dautaj, Aspekte të jetës ekonomike në Dimal, Iliria 6, 1976, 151-152). Pra, roli ekonomik dhe qënia e Stefanafanës si arterie e rëndësishme komunikimi ishte e lidhur në radhë të parë me ekonominë agrare të Dimalit, ‘’porta’’ e të cilin ishte natyrisht ajo.

Në librin e tij ‘’Ilirët’’, Neritan Ceka, shkruan se pas thyerjes së Demetër Farit dhe shkatërrimit të pjesshëm të shtetit Ilir u shfaqën në arenën politike koinonet qytetare. Një i tillë ishte edhe ai i dimalasve që u krijua nga shpërbërja e koinonit të atintanëve i cili përfshinte shpatin e Shpiragut dhe fushën e Roskovecit (Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 222-223). Ndërsa Burhan Dautaj shkruan se Dimali përfshinte pellgun në krah të djathtë të lumit Gjanicë deri në Seman (Burhan Dautaj, Aspekte të jetës ekonomike në Dimal, Iliria 6, 1976, 150).

Pra, si pjesë e territorit dimalitan edhe Stefanafana gjatë shekujve III-I pk, duhet të ketë marrë marrë zhvillim jo vetëm si qëndër e rrugëtimit tranzit por edhe si treg lokal duke zëvendësuar hap pas hapi tregun e Dimalit.

Të dhënat tregojnë se koinoni si qeverisje u ruajt në Dimal deri në shekullin e I pk, kohë kur drejtonte prytani me origjinë romake: Gaius (Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni, Tiranë 2005, f. 146). Vetëm pas ardhjes në fuqi të Oktavian Augustit dhe vendosjes së sistemit të Principatit në Romë, nisi shkatërrimi i koinoneve në Iliri. Kështu pjesa me e madhe e qyteteve të vendosura në lartësi dhe larg rrugëve ku bënte jesë edhe Dimali u braktisën. ‘’Ndërsa banorët, thekson në ligjëratë të drejtë, prof. Neritan Ceka, u vendosën pranë qëndrave të reja që u krijuan pranë rrugëve romake (Po aty, f. 154-155).

4

Edhe sot në territorin e Stefanafanës së dikurshme gjendet gjurmët e degës jugore të Egnatias. Përveçse gjetjes së gjurmëve të ndryshme që cituam më sipër janë vërejtur së fundmi shenja të tjera të saj. Të vërejtura pak kohë më parë nga një vëzhgim në terren i Drejtorisë së Artit dhe Kulturës pranë Bashkisë Roskovec ato u lokalizuan në Kuman. Pikërisht aty ku rruga e Marinzës i afrohet rrugës kryesore automobilistike në hyrje të Roskovecit. Në vendin e quajtur ‘’Trualli i Plakallinjve’’ punonjësit e kësaj drejtorie ndoqën përgjatë arave në një gjatësi prej qindar dhjetra metrash një segment që mendohet se i përkiste kësaj rruge antike. E pastudjuar akoma ajo pret trokitjet e kazmave të arkeologëve. Por hulumtimi dhe dokumentimi i plotë i saj do ti hapë persektivën në të ardhmen edhe për hartimin e një harte të plotë edhe të rrugëve dytësore lokale. Ndërkohë që përveç plotësimit të të dhënave historike dhe arkeologjike të kësaj rruge një drejtim tjetër që duhet punuar është edhe ai rreth të dhënave gjuhësore, rreth kuptimit të emrit Stefanafana. Dihet që në antikitet me emrin ‘’Stefanie’’ quheshin kurorat e zbukuruara metalike. Ndoshta edhe emri Stefanafana përbëhet nga termat Stefania dhe Fana që ndoshta ka kuptimin ‘’Mbi kurorë’’ ose ‘’E Kurorëzuar’’. Aludohet që ky emër vjen nga kurora e madhe e ullinjve që rrethojnë kodrat përreth Roskovecit, ku dikur shtrihej Stefanafana antike.

 

SHKARKO APP