Sukses i “Netëve të Letërsisë Austriake” në Tiranë

Përfundon nata e tretë dhe e fundit e aktivitetit “Netët e Letërsisë Austriake”, me kujdesin e veçantë të IDMC-së dhe Ambasadës Austriake. Të rinjtë studentë mbushën edhe mbrëmjen e 25 majit sallën e Teatrit duke treguar interes të veçantë për veprat e njohura të letërsisë bashkëkohore.

Pjesa e parë e aktivitetit iu dedikua autores mysafire në këtë aktivitet, Christina Maria Landerl e cila ndau me publikun momente të jetës dhe veprës së saj. Landerl e cila vonë i ishte futur botës së letërisë, të shkruarit, tregoi në një bashkëbisedim me përkthyesen Edlira Agolli se ky pasion i saj i madh vinte si frymëzim nga vendi i saj i lindjes Austria, nga historitë apo ndodhitë e përditshme aty, ndaj jo më kot një prej tregimeve me titull “Braktisni Qytetin” i dedikohej pikërisht asaj. Me tregime të shkurtra, një gjuhë të thjeshtë dhe lineare, të shkruar në vetën e parë dhe të tretë, Landerl kënaq gjithmonë publikun e saj. Ajo lexoi për publikun në sallë disa fragmente nga vepra e saj, të cilat ngjallën jo pak kureshtje nga të rinjtë pjesmarrës të cilët i drejtuan asaj disa pyetje.

Ndërsa pjesa e dytë i’u dedikua dramaturgut dhe gazetarit të njohur Stefan Zweig. Një panoramë të gjithë jetës së tij, krijimtarisë, mesazheve që përçon, ndikimit të tij nga autorë të tjerë, përhapja e ideve të tij për filozofinë e jetës, marrëdhënieve shoqërore apo rolit të letërsisë në shoqëri u përcollen nga Drejtori i Qëndrës së Zweigut në Salzburg, Z. Klemens Renoldner, nën moderimin e autorit dhe kritikut shqiptar Agim Baci.

Pyetje të shumta zbuluan mbi të gjitha karakterin e krijimtarisë së vet Zweigut, i cili me veprat e tij, duke filluar nga novelat e famshme e deri tek letrat apo dorëshkrimet e tij ka pushtuar botën. Gjatë diskutimit, ndër të tjera u theksua se Franca është vendi ku Zweig është botuar më shumë, por nuk u la pa përmenduar fakti se edhe në vendin tonë librat e tij janë përkthyer herët duke zënë kështu vënd edhe në biblotekat tona.

Rikujtojmë që “Netët e Letërsisë Austriake” treguan edhe njëherë këtë vit kujdesin e veçantë ndaj veprave të njohura të letërsisë botërore, duke i sjellë ato në vëmëndjen e publikut. Me mesazhin se libri kur kalon kufinjtë mer shumë me vete dhe i përjetëson ato në realitetin ku ndodhet u përmbyll ky aktivitet që vinte në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri.

SHKARKO APP