“Thika pa gjak” dhe brengat që flasin përmes shpirtjes rrëfimtare të Zija Çelës

Prof.as.dr. Ermira Ymeraj & Prof. dr. Klodeta Dibra

Vëllimi me tregime “Thika pa gjak” i Zija Çela vjen në prozën bashkëkohore shqipe, si një rrëfim artistik që ndërthuret me reflektimin e thellë psikologjik dhe filozofik të autorit. Tregimet grupohen sipas një strukture tripjesëshe: Perpetum, Mobile dhe Horoskop. Libri paraqet një univers narrativ të fragmentarizuar, i cili lidhjen e brendshme e bën përmes përvojës së përbashkët njerëzore. Në qendër të këtyre tregimeve qëndron individi i përballur me brengat e ekzistencës, me kujtesën, kohën dhe marrëdhëniet me tjetrin.

Në “Thika pa gjak”, simbolika e titujve shërben për të zbërthyer krizën e individit bashkëkohor, duke e paraqitur atë si një qenie të ndarë mes përjetimit të brendshëm dhe realitetit të jashtëm. Të kuptosh thellësisht përjetësinë (te Perpetum), të ndjesh lëvizjen (te Mobile) dhe poetikisht ta parashikosh atë (te Horoskop), është një përpjekje për të njohur veçoritë themelore të tregimit të Zija Çelës. Këto janë tri ndarje rrëfyese me shumë ngjarje, të cilat organizohen lirshëm nën petkun e një gjuhe që rrëfen simbolika çastesh, thelbesh, tipesh, ndejnjash të një perditësie sa të ngjashme me tënden, aq dhe të ndryshme. Zgjedhja dhe përdorimi i fjalës kthehet në pasuri meditimesh dhe perjetimesh. Kjo ndodh në secilin bllok me tregime të mbledhura nën një titull. Te ‘Perpetum’ lexuesi me të drejtë ndjehet si Genti Meniku, personazhi i tregimit “Margarita dhe tullumbace”, që numëron hapat e tij drejt nënës, por “që asnjëherë nuk do mësonte dot të kundërtën, hapat e nënës drejt tij”. Edhe lexuesi numëron titujt e tregimeve të autorit, duke i zbërthyer sipas shijeve të tij, po kurrë nuk do mund të numërojë se ç’bën një autor për të ardhur magjishëm te lexuesi.

Swiss Digital Desktop Reklama

17 tregimet e pjesës Perpetum në veprën e Zija Çela karakterizohen nga një rrjedhë e natyrshme e zbërthimit dhe zhvillimit të karaktereve të veçanta të natyrës njerëzore, që përfaqësojnë shtresa dhe statuse të ndryshme sociale. Rrëfimi nis me ndjenjën universale të dashurisë, e cila nuk paraqitet si përjetim i pastër, por si një ndërthurje dalldie dhe iluzioni, ku ylberit të jetës nuk i mungon ngjyra e zeza. Figura e zotit Roca, që nuk heq dorë nga bashkëshortja e tij pavarësisht humbjes së kujtesës së saj, shndërrohet në një shenjë të qëndrueshmërisë së ndjenjës përtej kufijve racionalë. Ndërkohë, në “Asprat e Judës”, porosia e gjyshit mbi pamundësinë e lavdisë përmes imitimit ngre një reflektim etik dhe filozofik mbi autenticitetin, duke e zgjeruar kuptimin e rrëfimit përtej situatës së dhënë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Të 17 tregimet janë të pavarura nëse nisemi nga rrëfimi, koherencën e brendshme tematike e krijojnë, nisur nga eksplorimi i përvojës njerëzore në dimensionet e saj më të thella. Personazhet nuk funksionojnë thjesht si bartës të ngjarjes, por si ndërgjegje reflektuese që përjetojnë situata të zakonshme, të cilat përmes trajtimit artistik të autorit, marrin ngarkesë ekzistenciale. Përditshmëria e personazheve, shndërrohet në një hapësirë ku artikulohen tensionet midis individit dhe vetvetes, si dhe midis individit dhe realitetit që e rrethon.

Koha e rrëfimit nuk është lineare, ajo përthyhet përmes kujtesës dhe përjetimit subjektiv, duke krijuar kështu një strukturë më të thellë kohore që i afrohet konceptit të kohës psikologjike. Pikërisht kjo ndërthurje te lexuesi prodhon një efekt të dyfishtë: ai njeh dhe njëkohësisht çuditet, kjo e bën tekstin, hapësirë ku realja dhe përjetimi ndërthuren vazhdimisht.
Në planin gjuhësor, përdorimi i një fjalësi figurativ krijon një densitet të lartë kuptimor, ku nënteksti merr një rol dominues ndaj rrëfimit të drejtpërdrejtë. Kjo vërehet, për shembull, në metaforën e “ylberit të jetës nuk i mungon e zeza”, ku përmes një imazhi të thjeshtë vizual lexuesit i sugjerohet ideja e pashmangshme e dhimbjes dhe kontradiktës brenda përvojës njerëzore. Autori nuk e shpjegon drejtpërdrejt këtë realitet, por e lë të nënkuptohet përmes figurës, duke kërkuar nga lexuesi të zbërthejë kuptimin. Po ashtu, në rastin e zotit Roca, shprehja “Unë e di cila është ajo” nuk funksionon vetëm si deklarim, por si një shenjë e një lidhjeje emocionale që tejkalon logjikën e realitetit. Këtu nënteksti është më i rëndësishëm se vetë fjalia, lexuesi kupton përmes kësaj fjalie besnikërinë, kujtesën shpirtërore dhe refuzimin e humbjes, pa qenë nevoja që këto të shpjegohen hapur. Një tjetër shembull është porosia te “Asprat e Judës”: lavdi nuk të jep asnjë imitim, e cila në dukje është një këshillë e thjeshtë, por në thelb hap një reflektim të gjerë mbi identitetin, sakrificën dhe kufijtë moralë të veprimit njerëzor. Kjo frazë nuk e mbyll kuptimin, por e hap atë në drejtime të ndryshme interpretimi, duke e bërë lexuesin pjesë aktive të procesit kuptimor.

Kjo mënyrë ndërtimi e tekstit lidhet me konceptin e “hapësirës interpretuese”, ku kuptimi nuk është i fiksuar, por mbetet i hapur dhe në zhvillim. Për pasojë, lexuesi implicit nuk e konsumon tekstin në mënyrë pasive, por nxitet të ndërhyjë në të, duke plotësuar boshllëqet dhe duke ndërtuar kuptimin në bashkëpunim me tekstin. Pikërisht përmes këtyre figurave dhe shprehjeve të ngarkuara me nëntekst, rrëfimi e zhvendos peshën e interpretimit nga autori te lexuesi, duke e bërë këtë të fundit bashkëkrijues të veprës. Kjo marrëdhënie dinamike mes tekstit dhe lexuesit e kthen rrëfimin në një narrativë të hapur, ku shumëkuptimësia nuk është dobësi, por vlerë estetike. Lexuesi vendoset përballë një teksti që nuk jep përgjigje të drejtpërdrejta, por nxit pyetje dhe reflektime, duke e zhvendosur fokusin nga rrëfimi i ngjarjes te përjetimi dhe interpretimi i saj.

Ndarja në Perpetum, Mobile dhe Horoskop funksionon si një strukturë konceptuale që pasqyron tri dimensione themelore të përvojës njerëzore: vazhdimësinë dhe kujtesën, ndryshimin dhe krizën, si dhe reflektimin mbi fatin dhe të panjohurën. Brenda kësaj strukture, Perpetum vendos themelet e një universi narrativ që nuk synon vetëm të rrëfejë, por të kuptojë dhe të paraqesë qenien njerëzore në kompleksitetin e saj. Mënyra si i lidh autori ngjarjet me idetë domethënëse të vrasjes së frikës brenda vetes si te Bubala, me maninë e fshehtë për dominim të vetes dhe të tjetrit si Evelinë, zbrazëtinë mishngrënëse të emigracionit, egoizmin dhe tinëzllekun e Dimikeles, transferimin e ndjenjës brenda kutisë së chat-it, janë njëkohësisht bërthamë e temë rrëfimi. Personazhet lidhen drejtpërdrejtë me realitetin, të zhytur në përditshmërinë që njohim, ajo që i bën ato të besueshëm dhe lehtësisht të identifikueshme për lexuesin është fakti se nuk janë karaktere të jashtëzakonshme, por të kapur në momente të zakonshme të jetës së tyre, shndërrohen në burime reflektimi dhe konceptesh më të gjera nga mënyra si autori i sjell te lexuesi, falë një teknike portretizimi, ku me pak fjalë krijohen personazhe të ngarkuara psikologjikisht. Për shembull, pohimi: Unë kurrë s’e kam parë time shoqe duke fjetur, nuk është thjesht një detaj i jetës bashkëshortore, por një shenjë e një marrëdhënieje të tensionuar, e një distance emocionale që lexuesi e përfytyron dhe e plotëson vetë. Po kështu, përshkrimi i Nazifit të thinjur shpejt nuk jep vetëm një tipar fizik, por sugjeron një përvojë jetësore të ngarkuar, duke e kthyer figurën në një simbol të kohës dhe lodhjes së brendshme.
Rrëfimi ndërtohet kështu përmes vetërrëfimeve që zbulojnë gjendje të ndryshme psikologjike, ambicia dhe ironia sociale, impulset e çastit dhe përjetimi i menjëhershëm i emocioneve, tensionet e brendshme dhe gjendjet e nderura te “Thika pa gjak”, nuk funksionojnë vetëm si njësi narrative, por si bartëse të përvojave dhe ideve që tejkalojnë historitë individuale.
Të gjithë tregimet e Perpetum krijojnë koherencë të brendshme tematike dhe emocional, e cila buron nga një bosht i përbashkët i përjetimit të brengës njerëzore në forma të ndryshme. Në këtë mënyrë, libri mund të lexohet jo vetëm si një përmbledhje tregimesh, por si një strukturë e fragmentuar e një romani të mundshëm mbi brengën.

Ndryshimet që u ndodhin personazheve te “Mobile” nuk janë vetëm produkt i kohës, por përfaqësojnë një proces të ndërlikuar evolucioni psikologjik dhe shpirtëror. Këto transformime nuk shfaqen në mënyrë lineare, por përmes tronditjeve të brendshme, krizave ekzistenciale dhe përballjeve me absurditetin e jetës moderne. Në tregime si “Shuplaka e motrës”, goditja nuk është vetëm fizike, por mbi të gjitha simbolike: ajo shkund ndërgjegjen dhe nxjerr në pah brishtësinë e marrëdhënieve njerëzore. Ndërsa te “Gropa Thithëse” dhe “Banka e ankesave”, ironia e fatit shndërrohet në një mekanizëm demaskues, që zbulon boshllëkun moral dhe pafuqinë e individit përballë realitetit. Te “Udhëtimi në rrotullim”, absurditeti i ekzistencës ndërtohet përmes një lëvizjeje ciklike, ku personazhi mbetet i burgosur në një rrugëtim pa destinacion të qartë. Shprehja “Çfarë lamë mbrapa e gjejmë dhe përpara” merr vlerë metaforike universale, ajo na sugjeron se njeriu nuk mund t’i shpëtojë vetvetes apo pasojave të së shkuarës. Gjuha në këtë rast bëhet instrument i analizës shpirtërore, përmes një sintakse të thjeshtë, por të ngarkuar me kuptime, autori zbërthen lëvizjen e brendshme të ndërgjegjes. Kulmin e përvojës meditative e gjejmë te tregimi “Përpara Portës”, ku metafora Portë merr një dimension ekzistencial dhe filozofik. Figura e KE-së (kryeëngjëllit) dhe e atit që ka humbur të birin, ndërtojnë një kontrast të fortë mes hyjnores dhe njerëzores. Porta nuk është thjesht një kufi fizik, por simbol i kalimit midis jetës dhe përjetësisë, midis kujtesës dhe harresës, ndërsa refuzimi i Parajsës nga ana e atit shndërrohet në një akt të thellë etik dhe emocional, që dëshmon se identiteti njerëzor ndërtohet mbi kujtesën dhe lidhjet shpirtërore, e jo mbi shpërblimet metafizike.
Tregimi “Nëna e Fluturuesit”, godet drejtpërdrejt kulturën e sipërfaqësores dhe harresës së shpejtë kolektive. Përmes imazheve ndërtohet një realitet ku fama është e përkohshme dhe e zbrazët, ndërsa drama njerëzore mbetet e padukshme. Figura e nënës përfaqëson dhimbjen e heshtur, në kontrast me botën që ushqehet me spektakël dhe harresë.

Gjuha lakonike, fjalitë e shkurtra, krijojnë ritmin e shpejtë dhe efektin goditës. Struktura si: “Stuhi, stuhi… Ja vdekje, ja Dashuri!” rrit tensionin emocional dhe e bën mendimin më të drejtpërdrejtë. Këto fjali nuk shpjegojnë, por sugjerojnë, dhe e lënë lexuesin të përjetojë intensitetin e tyre. Ndërsa përdorimi i përsëritjes së fjalëve “Stuhi, stuhi…”, nuk është rastësore, por shërben për të theksuar gjendjen e trazuar shpirtërore. Kjo e afron tekstin me një lloj poezie në prozë, ku tingulli dhe ritmi kanë po aq rëndësi sa kuptimi.
Kontrastet e forta gjuhësore, që shprehen përmes antitezave: “Sa të paepur jemi në hakmarrje, pa qenë të tillë në dashuri!”, vlejnë për të nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur mbi natyrën njerëzore dhe që mbart një kuptim të thellë moral. Në të tjera raste gjuha bëhet më e ndërlikuar përmes frazave të përbëra, që pasqyrojnë mendimin reflektiv të personazheve: “Çfarë lamë mbrapa e gjejmë dhe përpara” është një fjali e thjeshtë në formë, por me një strukturë ciklike që përforcon idenë e rikthimit dhe të pashmangshmërisë së fatit. Këtu, ndërtimi i fjalisë pasqyron kuptimin e saj. Me ekonomizmin e shprehjes, autori shmang përshkrimet e gjata dhe zgjedh detaje të vogla, por domethënës, në vend që të shpjegojë gjatë një gjendje emocionale, ai e përmbledh atë në një imazh ose në një fjali të vetme, duke i dhënë kështu lexuesit mundësinë ta zbërthejë vetë kuptimin. Përmes fjalive të shkurtra, përsëritjeve, kontrasteve dhe strukturave të përqendruara, autori arrin të krijojë një stil që është njëkohësisht i thjeshtë në dukje dhe shumë i thellë në përmbajtje. Ndërsa metafora dhe imazhi janë mjetet kryesore stilistikore që strukturojnë universin letrar. Metaforat nuk janë thjesht zbukurime artistike, por bartëse të mendimit filozofik: “thika pa gjak” është metafora e plagëve të padukshme shpirtërore, ndërsa “porta” është kufiri i ekzistencës njerëzore. Imazhet krijojnë përjetime të drejtpërdrejta emocional, dhe e bëjnë lexuesin pjesëmarrës në dramën e personazheve.

Në pjesën e tretë “Horoskop”, kjo prirje intensifikohet përmes kontrasteve të forta: “Stuhi, stuhi… Ja vdekje, ja Dashuri!”. Këto antiteza shprehin dualitetin e jetës dhe tensionin e vazhdueshëm midis të kundërtave, që e formësojnë ekzistencën njerëzore. Pohimi: “Sa të paepur jemi në hakmarrje, pa qenë të tillë në dashuri!” kthehet në një kritikë të thellë morale ndaj natyrës njerëzore. Në këtë kontekst, “Thika pa gjak” arrin të artikulojë dramat e heshtura të individit modern, duke mos rrëfyer thjesht histori, por duke ndërtuar një univers, ku çdo element si fjala e zgjedhur apo dhe detaji e imazhi më i vogël, zbulojnë shtresëzime të thella kuptimore. Mehmet Kraja me të drejtë shprehet: “Këto tregime, shkruar me synimin e artit sipëror, sjellin shqetësime jetësore, trazime e reflekse meditative të njerëzve, që duan të shprehen për brengat e tyre të thella, plagët metaforike të thikave pa gjak. Të palumturit e botës sikur janë zgjuar, u ka ardhur radha dhe duan të flasin. “Thikat pa gjak” është një libër i shkëlqyer, i atillë që dinë të bëjnë mjeshtërit e prozës dhe të shkrimit letrar.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?