UNESCO hap muzeun virtual të objekteve kulturore të vjedhura
UNESCO ka bërë një hap të madh në luftën kundër trafikut të paligjshëm të artefakteve historike dhe kulturore me lançimin e Muzeut Virtual të Objekteve Kulturore të Vjedhura, i pari i këtij lloji në botë. Ky muze revolucionar përdor teknologjinë më të avancuar të realitetit virtual për të ekspozuar mbi 240 objekte të grabitura nga vende e komunitete të ndryshme, duke i rikthyer këto thesarë kulturorë në vëmendjen globale.
Përmes formatit 2D dhe 3D, vizitorët e muzeut mund të eksplorojnë objekte të ndryshme, duke përfshirë edhe dëshmi emocionale dhe historike nga komunitetet prej të cilave janë marrë këto artefakte. Bazuar në një databazë të pasur të UNESCO-s, muzeu është projektuar nga arkitekti i shquar Burkinabé Francis Kéré dhe ka marrë mbështetje financiare nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Muzeu nuk synon vetëm ekspozimin e objekteve, por edhe edukimin e publikut për përmasat e trafikut të paligjshëm të artefakteve dhe ndikimin e tij në humbjen e identiteteve kulturore. Ai promovon gjithashtu forçimin e politikave shtetërore për mbrojtjen dhe inventarizimin e trashëgimisë, nxit kërkimin e origjinës së veprave në tregun e artit dhe forcon bashkëpunimin ndërkombëtar për kthimin e këtyre thesarëve tek pronarët e ligjshëm.
Ky projekt është bërë i mundur falë mbështetjes së vendeve dhe organizatave të fuqishme si Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara, Greqia, INTERPOL-i dhe 44 shtete të tjera anembanë globit.
Muzeu është i ndarë në seksione të ndryshme që ofrojnë një përvojë të pasur për vizitorin: “Auditoriumi” përshkruan qëllimet e muzeut dhe rëndësinë e tij, ndërsa “Galeria e Objekteve Kulturore të Vjedhura” ekspozon artefakte si një varëse ari sirian që daton në vitin 120 pas Krishtit, e cila ishte marrë nga Muzeu i Palmirës. Në “Dhoma e Kthimit dhe Riatdhesimit” dokumentohen historitë e rikthimit të këtyre veprave, siç është rasti i fosilit trilobit që u kthye në Marok në vitin 2024 pas kapjes së tij në doganat e Kilit.
Audrey Azoulay, drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, theksoi rëndësinë e këtij muzeu duke deklaruar:
“Pas çdo vepre apo fragmenti të vjedhur fshihet një pjesë e historisë, identitetit dhe njerëzimit që është hequr nga kujdestarët e saj, është bërë e paarritshme për kërkimin dhe tani rrezikon të bjerë në harresë. Objektivi ynë është t’i vendosim këto vepra në qendër të vëmendjes së shoqërisë, duke njohur veten përmes tyre.”
KOHA JONË SONDAZH

