Vajzat kujtojnë poetin Zef Zorba: Kemi prit shumë me pa dritën e botimit
Sa herë shfletojmë poezitë e tij, Zef Zorba na kujton se sado e errët të jetë koha, sado e drithërueshme shpresa, etja për dritën, kurrë nuk duhet të vdesë.
Por poeti i disidencës së heshtur, zëri i të cilit është me të vërtetë apoteza e dritës së munguar, mbetet një figurë shumë dimensionale, pasi Zorba nuk ishte vetëm poet, por edhe përkthyes e regjisor.
Në 99 vjetorin e lindjes së tij, nisin zyrtarisht edhe festimet e një viti të gjatë që do të jetë i mbushur me aktivitete deri në përkujtimin e përvjetorit të 100 të lindjes. Dy vajzat e poetit, kanë zgjedhur që në 7 prill të promovojnë për shkodranët, e jo vetëm në teatrin “Migjeni”, librin e përkthyer nga babai i tyre “Përfectum trinum” me 103 poezi të 3 autoreve Montale, Quasimodo dhe Ungaretti.
“Kena prit aq shumë me pa dritën e botimit. Është një punë e jashtëzakonshme e jetës së tij, ndoshta edhe dashuria e tij e madhe që janë këta tre poetë hermetik. Sepse ai edhe më vonë në jetën e tij shumë të mbyllur, faktet që dihen tashmë, zgjodhi edhe vetë rrugën e hermetizmit.”
Shënimet e Zorbës që sot vajzat e tij i kanë në shtëpi, janë të shumta, e pa frikë mund të quhen një qëndisje artistike për kohën. Pas këtij përkthimi, të tjera do të shohin dritën e botimit, edhe pse shumë nga ai fond i pasur i familjes, për shkak të regjimit komunist e faktorëve të tjerë, janë zhdukur.
“Prodhimtaria e tij është ndaluar për shkak të kushteve të jetës së tij dhe këto dihen. Këto dorëshkrime disa herë janë lëvizur prej shtëpisë, sepse edhe aty është ndjerë tingulli i anatemimit të regjimit.”
Prezantimi i kësaj vepre është zgjedhur të jetë një festë plot finese për qytetit, ashtu siç ishte fine penda e Zorbës. Në 2020 nga Vjola Isufaj në 100 vjetorin e lindjes së tij pritet të sjell një monografi të plotë mbi veprat e Zorbës. Poeti shkodran lindi në 1920 në Kotorr dhe ndërroi jetë në 1993-shin. I zbuluar vetëm pas vdekjes, më 1994 iu botua vëllimi me poezi Buzë të ngrira në gaz. Pas viteve ’90 lexuesit nisën ta njohin atë falë përkthimeve që kish lënë. Eshtë autor i dy librete operash, Teuta dhe Rozafa, tekste këngësh me muzikë të Prenke Jakoves etj. Në heshtjen e thellë të këtij gjysmëshekulli, Zorba, i pajisur me një kulturë të mrekullueshme vizatoi figurën e intelektualit të vërtetë, larg kompromiseve.