Virgjil Muçi merr Çmimin Kadare IV: Shqipëria ta shuan çdo iluzion

Çmimi Kadare për vitin 2018 i jepet shkrimtarit Virgjil Muçi me romanin “Piramida e shpirtrave”. Është edicioni i katërt i çmimit për veprën më të mirë në dorëshkrim që jepet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës.

Ky libër që sot merr Çmimin Kadare, çmimi me vlerën financiare më të çmuar në trojet shqiptare këtej e andej kufirit, është shkruar me shqetësimin e njeriut dhe qytetarit për stanjacionin ku vazhdon ndodhet vendi ynë.

Virgjil Muçi: Është një njeri që vjen me iluzion.Në Shqipëri vinë shumë njerëz me iluzione dhe ajo që ndodh tek ta është thyerja e iluzioneve. Hasin në një realitet krejt ndryshe nga ajo që kanë përfytyruar.

“Piramida e shpirtrave” është shkruar në distancë nga Shqipëria dhe ndryshe nga gjithë letërsia, sidomos ajo fantastike që Muçi ka shkruar deri më sot, ky roman merret me një realitet imediat.

Virgjil Muçi: Është një vend që në mënyrë paradoksale, ironike, cinike mund të themi, ky vend e tërheq mbrapsht, e tërheq sërish drejt ferrit dhe jo drejt parajsës.

Për 62-vjeçarin, Virgjil Muçi, ky është i pari çmim i rëndësishëm.

Krijimtaria e tij nis në vitet ‘70 me romanin për fëmijë “Shpatat nuk u ndryshkën”.

Me përpunimin e përrallave “100 dhe një natë” dhe me “Erotikoni e satirikoni” që janë veprat e tij më të arrira, Muçi i drejtohet një bote fantastike ku shkrihen moshat e lexuesve.

Së fundi, juria nën drejtimin e shkrimtarit, Kim Mehmeti, e ka vlerësuar midis 33 veprave në dorëshkrim, për këtë roman udhëtimi i cili e mban në njëjtin nivel tekstin letrar dhe dilemat morale shoqërore.

Agim Baçi: Unë mendoj se është një roman që do t’ju tërheqë sepse jo vetëm mënyra e të shkruarit por mënyra sesi na zbulon dikush tjetër është gjithmonë interesante për ne.

Virgjil Muçi: Nga ky kënd sot mund të them atë që kam ndjerë gjatë gjithë kohës që e shkruaja, është nga gjërat më të vështira. Të shkruash për realitetin është gjëja më e vështirë, është shumë kollaj të shkruar për fantazinë, ose në një botë surreale, groteske. Por realiteti është gjëja më e vështirë.

Muçi ka një kontribut të veçantë si kritik letrar në të përjavshmet që sot nuk ekzistojnë më dhe rezultat i të cilave janë librat “Të dielat” dhe “Natyr mort me kulturë”.

Dhe jo më pak të rëndësishme janë përkthimet e tij nga disa gjuhë dhe prurja në shqipe e autorëve Ivo Andriç, Çarls Bukovski, David Albahari, Suzan Sontag e të tjerë.

SHKARKO APP