Viti 1944: Studentët shqiptarë që studionin në Vjenë me bursat e Rajhut

Armand Plaka

Sot duket diçka normale, ndoshta fare e natyrshme, por sigurisht edhe tejet emocionuese e plot dobi për këdo që arrin të përfitojë një bursë studimore apo të ketë mundësi të kryejë studime në Gjermani e Austri.

Të dyja vendet sot kontribuojnë vazhdimisht me programe bursash në mbështetje të të rinjve shqiptarë në shumë fusha studimore dhe jo vetëm. Por dikur të dyja vendet ishin një: Gjatë Luftës së Dytë Botërore ato ishin pjesë e Rajhut Gjerman, ish-Perandorisë naziste, e cila duket se edhe në vitin e pestë të luftës, vijonte të jetonte në dukje në normalitet, duke përcjellë jo vetëm breza studentësh të vetët, por edhe ata të huaj, kryesisht të vendeve aleate të Boshtit, ose ata neutralët apo dhe të ashtuquajturit “deutschfreundlich” ( miqësorë ndaj gjermanëve).

Megjithatë, e habitshme të duket kur e mendon se ndërsa vendi ishte zhytur në kaos, kur fatet e luftës tashmë dukeshin thuajse të vulosura dhe nga ardhja e komunistëve në pushtet nuk mbeteshin as edhe tre – katër muaj, shumë të rinj shqiptarë zgjidhnin të linin atdheun për të shkuar me studime – duke përmbushur kësisoj ëndrrat e tyre – në Rajhun Gjerman.

Ishte dhjetëditëshi i fundit i gushtit 1944, kur një grup studentësh ( bursantësh) shqiptarë nga çdo anë e Shqipërisë, me valixhet në duar, ishin grumbulluar para Hotel “Dajtit” në Tiranë, për t’u nisur në mënyrë të organizuar e me gjasa në mënyrë ceremoniale, drejt destinacioneve të tyre përkatëse në ish-Rajhun e Fyhrerit, i cili s’kishte as një muaj që kishte qenë viktimë e një komploti dhe një atentati që për pak i mori jetën, e që mund të kishte shërbyer në fakt për t’i dhënë fund luftës.

Të paktën kjo është ajo që përftojmë nga një lajm i shkurtër botuar në “Lirija e Shqipnis”, gazetën e vetme në gjuhën shqipe të Armatës Gjermane në Shqipëri (Wehrmacht). Më konkretisht në raportin e saj me këtë rast (shih: Studim në zemrën e Evropës- Si shkojnë studentat shqiptarë në Gjermani?, Gazeta “Lirija e Shqipnis”, 21 gusht 1944, fq. 1), shkruhej: “S’ka shumë kohë q’u muarr kjo fotografi përpara Hotel Dajtit, e me gjithë këtë studentat shqiptarë në Gjermani po kalojnë kohët më të mira dhe disa syresh po shohin në vëndin e studimevet të tyne, një Atdhe të dytë. Kohët e fundit i vizituan studentat shqiptarë edhe Pater Harapi dhe Ministri i Brëndshëm, Deva. Të dy personalitetet e nalta qëndruan midis bashkatdhetarvet të tyre dhe u dhanë atyre përshëndetjet e Atdheut, dyke u interesuar për nevojat dhe dëshirat e cilitdo. Kanë arritur shumë letra nga Gjermanija. Nër të gjithë shprehet gëzimi i math q’u ngjall studentvet shqiptarë jeta e re dhe interesante në Gjermaninë krijonjëse në të 5 vit të luftës. Disa çfaqin enthusiasmin e tyre të veçantë që patën rast të ndodhen pikërisht në zëmrën e Evropës, në qendrën e punës së palodhshme për mbrojtjen e kontinentit dhe t’a kuptojnë më mirë rëndësinë dhe qëllimin e kësaj lufte”.

Sidoqoftë, rezulton paksa e paqartë, në mos edhe manipulative e sjellë si lajm në këtë mënyrë, pasi ndërkaq prej më shumë se një muaji Xhafer Deva, sikurse dihet, nuk ishte më as pjesë e qeverisë së kryesuar tashmë nga Fiqiri Dine, e as Ministër i Brendshëm ( ai kishte dhënë dorëheqjen qysh më 18 korrik 1944). E vërteta është se sikurse do të shohim edhe më poshtë, Xhafer Deva dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar të kohës kishin qenë vërtetë për vizita e takime pune në Rajhun Gjerman e posaçërisht në Vienë mes studentëve e bursantëve shqiptarë, por kjo kishte ndodhur muaj më parë, në maj 1944.

Pavarësisht se artikulli pohon se “fotoja para Hotel Dajtit është marrë pak kohë më parë”, ndërsa shënohej ndërkaq data 21 gusht 1944, duket në të qartazi tendenca propagandistike për të mbajtur gjallë ndër shqiptarët idenë se Rajhu jo vetëm që nuk po kapitullon, por është në gjendje madje të sigurojë edhe vijimin normal të punës e studimeve, sikurse ndodh në një vend normal në kohë paqeje, duke joshur në këtë mënyrë shqiptarët.

Akoma më interesante ngjan të jetë kjo prurje kur shumë vite më vonë, ish-Kryeministri “kolaboracionist” Mustafa Kruja, në kërkesën që i parashtronte qeverisë amerikane për të përfituar të drejtën për azil politik dhe qëndrim të përhershëm në SHBA, në vitin 1952 (shih: Letra e Mustafa Krujës: Pse bashkëpunova me fashistët!, Gazeta Panorama, 2 maj 2014), duke dashur të verë në dukje pikërisht diferencën mes italianëve dhe gjermanëve në trajtimin e shqiptarëve, pohonte diku në lidhje me këtë çështje se: “Më 1943, ata i dhanë rreth njëqind bursa studimi disa të rinjve shqiptarë që donin të shkonin të studionin në Vienë, ashtu siç kishte bërë Austro-Hungaria gjatë pushtimit më 1916-1918”.

Edhe pse nuk mund të jemi të sigurtë, prej saj mësojmë megjithatë një fakt: se këta të rinj do të duhej të shkonin të gjithë në një destinacion, pra drejt Vienës, duke mos prekur me shumë gjasa pjesët e tjera të Rajhut, përfshirë këtu edhe Berlinin. Gjithashtu, nuk mund t’a dimë nëse kontigjenti i mësipërm, që kishte dalë me valixhe para Hotel Dajtit ( në gusht apo para gushtit 1944), ishte pjesë apo jo e kësaj marrëveshjeje dhe a përbënte ai pra ndoshta edhe kontigjentin e fundit që po përfitonte prej saj, duke pasur parasysh se ç’do të ndodhte në muajt në vijim.

Duke u zhvendosur në kohë, vetëm pak muaj më parë, nga një tjetër burim, këtë radhë duke shfrytëzuar mediat e Rajhut, apo më saktësisht ato vieneze (Shih: “Deutsch-Albanischer Abend” “Kleine Volkszeitung”, 28.05.1944, fq. 7.) në një artikull me titull: Mbrëmje gjermano-shqiptare!, na rezulton se kontigjenti të cilin përmend Kruja në relacionin e tij të vitit 1952, thuajse ishte përmbushur tërësisht dhe se ata ishin bërë tashmë pjesë e një pritje zyrtare ku merrnin pjesë edhe anëtarët e një delegacioni të nivelit të lartë ( kryesuar nga Ministri i Brendshëm, Xhafer Deva) të mbërritur nga vendlindja dhe konsulli shqiptar në Vienë, Kolë Rrota (në artikullin origjinal citohet si Nikolaus Rotta), një veprimtar i hershëm i kolonisë shqiptare në ish-kryeqytetin e Monarkisë dualiste.

Duket se ish-ministri i Brendshëm Deva, i cili në Tiranë kishte kundërshtarë të fortë edhe brenda radhëve të qeverisë, i përfshirë ndoshta edhe nga euforia, pasi vlerësohej e njihej si i preferuari dhe besnik i gjermanëve, pohon gjatë takimit se shqiptarët tashmë po kontribonin në fitoren e Rajhut Gjerman, si një shpërblim për atë që austro-hungarezët kishin bërë dikur në përkrahje të tyre, edhe pse Shqipëria zyrtarisht njihej si vend “neutral”.

Më konkretisht aty shkruhej: “Me rastin e prezencës së tri ministrave shqiptarë, dhe të 93 studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme shqiptare të sapombërritur së fundmi këtu në Vienë, Shoqata Gjermano – Shqiptare e Punës në Vienë, organizoi të premten me këtë rast në mbrëmje, në ambientet e Zyrave të Shërbimit të Jashtëm, një pritje zyrtare. Presidenti i Shoqatës së Punës, Prof. Dr. Bernatzik, tha gjatë fjalës së tij të përshëndetjes ndër të tjera se viti në vijim për Shqipërinë ka bërë të mundur atë që shqiptarët, të cilët kanë qenë nën thundrën e regjimeve të huaja, që kanë luftuar e janë gjakosur prej shekujsh, Lirinë. Por Vienezët sidomos i ka prekur veçanërisht shumë fakti se Shqipëria e pavarur vendosi që të qëndrojë e lidhur tek tradita e moçme e që ta dërgojë sërish rininë e saj drejt Vienës, në mënyrë që ata të kryejnë këtu studimet e tyre. Viena do të bëjë më të mirën e vet të mundshme, që studentët shqiptarë këtu të ndihen sa më mirë, e që t’i përmbyllin studimet po aq mirë sa rinia jonë. Ministri i Brendshëm shqiptar, Xhafer Deva, falenderoi për mikpritjen dhe theksoi se shqiptarët gjatë kohës para Luftës së Parë Botërore ishin përkrahur nga Austro-Hungaria dhe sidomos nga Viena, dhe tashmë kësisoj vetëkuptohet se po jepnin kontributin e tyre për fitoren e kombit gjerman. Në emër të kolonisë shqiptare të Vienës, më pas përshëndeti Prof. Dr. Malochi. Një program i këndshëm muzikor i dha mbrëmjes një karakter festiv. Ndër miqtë e veçantë të nderit, gjendej edhe konsulli shqiptar në Vienë, Nikolaus Rotta si dhe drejtues të Departamentit të Kulturës në Bashkinë e Vienës”.

Vetëm një ditë më parë (shih: “Ëien Mittler zëischen Albanien und dem Reich”, Neues Ëiener Tagblatt, Nr. 145, 27 maj 1944, fq. 4.) në një tjetër artikull me titull: Viena, ndërmjetëse mes Shqipërisë dhe Rajhut Gjerman!, në fund të raportit, i cili në fakt ishte fokusuar tek bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe riorientimi i ekonomisë shqiptare në realitetet e reja që diktonte kësisoj koha, e ku bëhet fjalë për një takim po në Vienë të Ministrit të Brendshëm Xhafer Deva, atij të Ekonomisë Kombëtare, Ago Agaj, dhe të të Dërguarit me Punë të Shqipërisë në Berlin, Rrok Gera, shkruhet se: “Në fund mysafirët përjetuan nga afër kushtet në konviktin ku do strehohen studentët shqiptarë në Vienë”.

Duket pra se ndoshta vetë ky kontigjent ishte pjesë e zbatimit të një marrëveshje, e cila mund të kishte shumë kohë që ishte lidhur, menjëherë pas mbërritjes së trupave gjermane në Shqipëri në tetor, apo nëntor 1943.

Nëse do kemi parasysh pohimet e të birit të aktorit të madh shqiptar, Sandër Prosi (shih: E vërteta e vdekjes së aktorit të madh Sandër Prosi në sheshxhirim, Gazeta “Shqiptarja.com”, nga Dhurata Hamzai, 1 prill 2018, fq. 10-11 ) mund të marrim me mend se pikërisht në këtë kontigjent me valixhe në dorë para Hotel Dajtit në ato ditë fundgushti 1944, mund të ketë qenë edhe aktori ynë i madh, shuarja e të cilit në 1985, akoma mbart në vetvetë një lloj misteri. Ja ç’thotë më konkretisht, Aristidh Prosi:

“Shumë pasione ka pasur, ndërsa në kinema ai u kthye pas dy viteve të studimeve në Vienë. Nuk i ka mbaruar studimet, dhe ka ardhur në Tiranë më 11 janar të vitit 1946, ditën që Shqipëria u bë Republikë. Babi erdhi nga Bari dhe sheh se në Portin e Barit kishte shumë shqiptarë nacionalistë që po largoheshin nga Shqipëria. “Po ti ku vete?- i thanë ata”. “-Në Shqipëri përgjigjet babai”. “-Po atje e kanë marrë pushtetin komunistët, ç’të duhet ty të shkosh?, -i thonë. Por babai erdhi megjithatë sepse kishte nënën këtu dhe ajo kishte shumë mall për të”.

Ajo çka ndodhi më vonë tashmë dihet nga të gjithë dhe tradita e gjatë e lidhjeve të shqiptarëve me botën gjermanike, duke e shfrytëzuar veçanërisht si një terren shumë të pasur për të përmbushur ëndrrat e tyre rinore në lidhje me mirëarsimimin, duket se u ringjall më me forcë pas rënies së sistemit monist në Shqipëri.

Pa dashur t’i hyj shifrave e statistikave zyrtare për të bërë krahasime mes kohëve e epokave, ia vlen të citojmë në fund edhe një pasazh shumë domethënës shkëputur po nga një gazetë vieneze e vitit 1944, ( shih: Extra Prima Wiener “Hochquellenwasser” in Tirana- In Albanien wird man allenthalben an Wien erinnert!, Alfred Rother, “Kleine Volkszeitung”, 28.06.1944, fq. 4) në një artikull të sjellë nga një korrespondent ushtarak i Rajhut në Tiranë, që mban si nëntitull: Në Shqipëri të kujtohet ngado Viena! në të cilën shkruhet:

“Të dëgjosh Valsin e Shtrausit dhe këngët e Grinzing-ut dhe Sievering-ut, në kafenetë e panumërta të kryeqytetit Tiranë, nuk të thotë shumë, edhe pse ne gëzohemi prej këtij fakti. Muzika vieneze sot është bërë padyshim pjesë e trashëgimisë botërore dhe dëshirohet ngado. Por në mënyrë të veçantë, të bën përshtypje sidoqoftë kur sheh se nga dritarja e një shkolle fshati në Shqipëri, tingëllon nga jeta e pastër fëminore kënga e “Princ Eugen”-it. Rinia shkollore di të këndojë këtu disa këngë tradicionale Vieneze, të cilave sidoqoftë u vishen tekste patriotike në shqip. Por habitesh edhe për numrin relativisht të madh të shqiptarëve, të cilët flasin një gjermanishte të mirë dhe me një dialekt të pastër vienez. Me krenari zyrtarët dhe nëpunësit shtetërorë pohojnë se kanë studiuar në Vienë. Qysh nga koha e pushtimit turk, të cilin një pjesë e inteligjencës shqiptare nuk e shihte me sy të mirë, në familjet feudale të vendit ishte kthyer tashmë në traditë t’i dërgonin fëmijët për shkollim në Vienë. Edhe sot e kësaj dite, nuk ka ndryshuar shumëçka nga ajo traditë”.

SHKARKO APP