60-vjeçari rri 8 orë në pozicionin “PLANK”
George E. Hood, 60 vjeç, është rekordmeni që ka marrë së fundmi një çertifikim nga “Guinness”.
Ai është bërë pjesë e evenimentit të zhvilluar në Ilinois, SHBA, për mbledhje fondesh dhe për ndërgjegjësimin e njerëzve për mirëqënien e shëndetit mendor.
Hood është trajner profesionist palestre dhe ka mundur të kryejë ushtrimin e njohur si, “plank” për 8 orë dhe 15 minuta duke qëndruar paralel me dyshemenë dhe duke u mbështetur vetëm në brrylat e duarve dhe në gishtërinjtë e këmbëve.
Pranë tij për ta mbështetur kanë qenë miqtë, familjarët dhe skuadra e tij që e ndoqën me përkushtim deri në fund.
Gjatë pesë orëve të para të ushtrimit, një bandë muzikore e një gjimnazi vendas luajti disa pjesë muzikore duke e inkujaruar sportistin.
Hood pretendon se dy vjet më parë ka kryer këtë ushtrim fitnesi për plot dhjetë orë megjithëse nuk u njoh zyrtarisht prej “Guinness”.
Rekordi i mëparshëm i “plank” mbahej prej vitit 2016 nga Mao Weidong, që kishte qëndruar për 8 orë dhe një minutë.