7 shenjat që tregojnë se shëndeti juaj mendor është në gjendje të shkëlqyer
Studime të ndryshme flasin për shenjat e ankthit dhe depresionit dhe si t’i luftoni ato.
Por mjaft e rëndësishme është edhe të jeni të vetëdijshëm se kur shëndeti juaj mendor është i shëndetshëm.
Pasi të kesh shëndet të mirë mendor është shumë më tepër, sesa mungesa e problemeve të shëndetit mendor, që janë të diagnostikueshme.
Prandaj, përveç që të jeni të vetëdijshëm për problemet në shëndetin tuaj mendor, ju gjithashtu duhet të mësoni të kujdeseni në mënyrë aktive për të.
Një studim i fundit rendit 7 shenja, që tregojnë se ju keni një shëndet të mirë mendor.
Ju flisni për atë që ju shqetëson
Në vend që të fshihni emocionet tuaja, ju filloni të flisni për to. Studiuesit shprehen se kjo është një mënyrë e shëndetshme për t’u marrë me emocionet e ndrydhura brenda vetes dhe nënkupton që ju po pastroni veten tuaj nga mendimet toksike.
Ushqeheni shëndetshëm
Kur kujdeseni që të keni një diete të ekuilibruar mirë, të pasur me fruta dhe perime të freskëta, ju kujdeseni edhe për mirëqenien tuaj mendore. Studimi tregon se ushqyerja e shëndetshme e trupit tuaj, nënkupton një mendje të shëndetshme gjithashtu!
Vendosni kufij të qartë
Vendosja e kufijve tregon qartësisht se ju keni filluar të kujdeseni për shëndetin mendor. Në këtë mënyrë, ju shfaqni dashuri për veten tuaj dhe jeni më pak të zemëruar dhe të pakënaqur me situatat.
Bëni përpjekje për të qëndruar në kontakt
Një nga shenjat e tjera që tregon se keni një shëndet të mirë mendor është edhe në momentin që jeni në kontakt me miqtë, familjarët dhe nuk shmangni komunikimin dhe takimin me ta. Pra, nëse nuk anuloni planet në momentin e fundit dhe në të vërtetë kënaqeni të qëndroni në kontakt me miqtë tuaj, është padyshim një shenjë e mirë!
Kujdeseni për veten
Kur ju merrni kohë nga koha juaj për t’u kujdesur për pamjen, për të bërë ushtrime, për të respektuar një orar të rregullt të gjumit, apo edhe për të parë filmin tuaj të preferuar, ju tregoni se jeni në rrugën e duhur.
Kërkoni ndihmë
Kur ju kuptoni se gjendja juaj emocionale nuk është e mirë dhe nuk prireni të mbylleni në vetvete dhe në dhimbjen tuaj, por kërkoni ndihmë dhe mbështetje nga familjarët, miqtë apo edhe lini takim me ndonjë psikolog, ju padyshim jeni duke hedhur hapa të rëndëssihëm për rikuperimin e shëndetit tuaj mendor.
E pranoni veten ashtu si jeni
Kur gjërat nuk po shkojnë ashtu si ju dëshironi, prireni të kritikoni veten. Por kjo është e gabuar sepse sjell në një vlerësim të ulët për veten. Kur ju e pranoni veten për atë që jeni, kur vlerësoni edhe gjërat e vogla dhe ndjeheni krenarë për arritjet tuaja, pa marrë parasysh sa të vogla janë, ju jeni duke përmirësuar shëndetin tuaj mendor.