Alienët, a e kanë vizituar Tokën?
Flitet shumë për alienët. Disa i besojnë dhe disa të tjerë jo. “Alienët kanë vizituar Tokën!” E thënë nga ndonjë konspiracionist, apo ndonjë nga ta që komuniteti i internetit i quan “ufologë”, kjo fjali nuk do të besohej. Por, kur këtë e thotë një ish-zyrtar i programit top sekret të Pentagonit për mbrojtjen ndaj sulmeve aliene, gjërat ndryshojnë.
Luis Elizondo ka drejtuar prej vitesh Programin e Avancuar Aero-Hapësinore për Identifikimin e Kërcënimeve, që ishte pjesë e programit 22 milionë dollarësh të Pentagonit për “mbrojtjen ndaj kërcënimeve” përtej njerëzore.
Pasi vetë Pentagoni pranoi ekzistencën e një programi të tillë dhe pas deklaratës së dy pilotëve, që rrëfyen me detaje kontaktet në 2004 me një objekt të panjohur në qiell, Elizondo flet për CNN.
“Personalisht besoj se ka prova të mjaftueshme për të besuar se nuk jemi vetëm në univers. Kam lexuar në disa raporte për objekte fluturuese me karakteristika dhe manovrime të paimagjinueshme për një shpikje njerëzore, objekte që shpërfillnin gravitetin e Tokës”, thotë ai.
Të shtunën, Departamenti amerikan i Mbrojtjes e pranoi më në fund ekzistencën e programit të tij të fshehtë hetimor të UFO-ve, pasi zyrtarët atje sqaruan se vëmendja tani është spostuar në priorite të tjera.