Ata që bëhen vonë prindër, janë më të lumtur!
Prindërit në moshë më të madhe janë më të lumtur. Këtë e vërteton një studim. Prof. Mikko Myrskylä nga instituti Max-Planck për demografi shpjegon në intervistë me DW rezultatet e studimit të tij.
Prof. Dr. Mikko Myrskylä është statisticien dhe demograf. Ai është drejtor i institutit Max-Planck për demografi në Rostock.
Intervistoi: Tobias Michael Oelmaier / Radio Deutsche Welle
Profesor Myrskylä, ju së bashku me shkencëtarë nga Ontario/Kanada keni publikuar një studim mbi lumturinë e të qenit prind. Janë prindërit në moshë më të madhe më të lumtur se ato në moshë të re? Me se matet lumturia?
Ne nuk kemi krahasuar, nëse prindërit më të moshuar janë më të lumtur se prindërit në moshë më të re. Ne kemi hulumtuar se si ndryshon niveli i lumturisë, kur bëhesh me fëmijë. Dhe ky nivel rritet tek prindërit e moshuar më shumë se tek ato në moshë më të re.
Si mund të matet niveli i lumturisë?
Siç veprohet zakonisht në studimin e lumturisë. Pjesëmarrësit pyeten çdo vit, se sa të lumtur janë me jetën e tyre në shkallën nga zero deri në dhjetë. Dhjetë do të thotë shumë i lumtur, zero i palumtur.. Studimet e dikurshme kanë treguar, se kjo pyetje bën një matje mjaft të mirë të shkallës së lumturisë së njerëzve.
Ju keni pyetur gjithsej 7000 vetë dhe keni vlerësuar pastaj të dhënat. Prej tyre ka rezultuar se prindërit mbi moshën 34 vjeçare janë më të kënaqur se më të rinjtë. Nga vjen kjo?
Mendoj se kjo ka të bëjë me gatishmërinë për të bërë fëmijë. Më të rinjtë duhet të përfundojnë studimet, nuk kanë filluar akoma karrierën. Më të moshuarit janë ndoshta disa hapa më tej. Ata janë më të gatshëm se të rinjtë.
A mund të thuhet se sa më i moshuar të jesh, aq më i lumtur je? Janë 40 vjeçarët më të lumtur se 34 vjeçarët?
Këtë jemi përpjekur ta zbulojmë. Për fat të keq nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Prandaj nuk mund ta dëshmoj qartë. Por kemi konstatuar se tek njerëzit mbi moshën 40 vjeçare niveli i lumturisë zvogëlohet shumë, para se të bëhen me fëmijë. Kjo ka të bëjë ndoshta me atë, që kufiri biologjik afron dhe njeriu është i vetëdijshëm për këtë. Kur je 35 ke akoma kohë, kur je 43 ke vetëm pak kohë.
Po si është me prindërit fare të rinj, 18 apo 20 vjeçarë? A janë ato të pakënaqur?
Sidomos burrat, sidomos baballarët. Te nënat e reja niveli i lumturisë është disi i ulët, tek baballarët e rinj edhe më shumë. Duket sikur nuk është vendim i mirë, që të bëhesh me fëmijë në moshë të re.
A është lumturia e prindërve të moshuar e qëndrueshme? Sa kohë mban ajo pas lindjes?
Në shumicën e rasteve vëmë re se kjo rritje e nivelit të lumturisë zgjat vetëm disa vjet. Tek prindërit më të moshuar, sidomos te nënat, ky efekt mban shumë gjatë. Madje dhjetë vjet pas lindjes shohim një nivel më të lartë se më parë.
A rritet lumturia thjesht duke sjellë shumë fëmijë në jetë?
Fëmija i parë e rrit shumë nivelin e lumturisë. I dyti një cikë më pak, ndërsa i treti aspak. E rëndësishme është të kujtosh: se ne si studiues nuk kemi recetë për të qenit i lumtur. Ky nuk është qëllimi ynë. Ne përpiqemi të kuptojmë, se si merren vendimet, për ç'arsye njeriu ka fëmijë. Mendojmë se duke i nisur nga kjo perspektivë e lumturisë, tani kuptojmë më mirë, se përse njerëzit kanë fëmijë me vonesë, përse kanë më së shumti dy dhe jo më shumë fëmijë. Ne e dimë se në radhë të parë akademikët kanë tendencë të lindin fëmijë me vonesë.
Çfarë ndikimi ka niveli social, niveli i arsimimit në lumturinë e prindërve?
Ka ndikim të madh. Sidomos te baballarët. Prindërit, tek të cilët babai ka një nivel shumë të lartë arsimor, gëzohen shumë për lindjen. Niveli i lumturisë rritet shpejt te baballarët e mirëarsimuar. Tek gratë kjo nuk luan ndonjë rol të madh.
A mund të thuhet në përgjithësi se ato, që janë prindër, janë më të lumtur se ato, që nuk janë prindër?
Këtë nuk mund ta themi. Ne kemi krahasuar ndryshimet në shkallën e lumturisë së atyre, që kanë fëmijë.(NOA)