Babagjyshi që ka të mbuluar 94% të trupit me tatuazhe
Ndërsa i uronte Krishtlindjen fëmijëve në një shesh të Sao Paulos (Brazil), Vitor Martins duket një Babagjysh normal si gjithë të tjerët, me mjekër të madhe të bardhë, bark të fryrë, syze të rrumbullakta dhe kostum të kuq.
Por, nëse ai heq uniformën, fëmijët e gjejnë veten menjëherë përballë Santa Klausit me më shumë tatuazhe në botë pasi zoti Martins ka të mbuluar me tatuazhe plot 94% të trupit.
Shumica e tatuazheve të tij kanë lidhje me atmosferën e festave të fundvitit pasi 59-vjeçari ka 15 vite që punon në një qendër tregtare si babagjysh dhe duket se e do shumë punën e tij.
“Përgjatë dy muajve jam babagjysh, ndërsa pjesën tjetër të vitit jam artist. Tatuazhet tregojnë përkushtimin tim ndaj rolit të Babagjyshit”, thotë Vitor Martins, i cili shton se jo të gjithë ia pëlqejnë trupin.
Gjithsesi, ai beson se do vijë dita kur paragjykimi ndaj tatuazheve do të vdesë: “Gjithmonë e më shumë do të ketë prindër që kanë tatuazhe dhe fëmijët e tyre do duan të kenë gjithashtu.”