“Ballokume” me spec…

Skica humoristike   

Thoma Goga

Nga Thoma Goga   

  • Kisha kohë pa kaluar nga Liqeni Artificial edhe pse e kam afër. U bë sebep Dita e Verës që të dilja edhe unë. Duke u llafosur me vete, këmbët më çuan nga diga e liqenit. Kallaballëk i madh. Pleq, plaka, fëmijë, të rinj e të reja. Këngë e valle në një skenë të improvizuar. Kishte skuta e gëmusha pemësh ku, bashkë me shushurimën e pemëve, dëgjoje “Çu-çu-çu më njëanë, çu-çu-çu më anën tjetër. Të kam shpirt, të kam xhan…”. M’u kujtuan këto batuta të Çome Çakshirit. Dhe unë e kuptova, kishte ardhur pranvera.

Urimin e parë ma bëri një miku im lab.

  • Çome, gëzuar ditën e “rakisë”!
  • Është dita e verës, – ia ktheva- Gëzuar!
  • Po kur ka vera festë, pse të mos ketë dhe rakia…

E kuptova ku e përplasi llafin miku im shakator.

  • U ngjita tek një kënd lojrash. Gjatë rrugës një djalë me “qitharë” dhe një vajzë me qemane ia kishin marrë shtruar-shtruar. Njëri që kaloi fare afër, ndaloi pranë tyre.
  • Si thoni, ia marrim një herë asaj “Tuj –tuj –tuj me pula deti”…

Dhe “orkestra” ia mori vërtetë. U mblodh goxha milet, po meazallah se hidhte njeri një lek.

  • Jo vetëm stolat e parkut, po dhe bari ishte i prenotuar. Ngjitur, fare ngjitur. Nuk shkëmbeje dot një muhabet, se të përgjigjej “komshiu”. Ca shtronin ndonjë batanie për fëmijët, ca shtronin prapanicat mbi bar. Njerëz që hanin bukë nga trasta e tyre. Dukej tamam si restorant gjigand. Le të themi; restorant “natyra”. “Menyja”? Turli hesapi. Dhe unë e kuptova, kishte ardhur pranvera.

Njëri kafshonte një panine thatë. Shoku i tij e pyet

-Me se po e ha?

-Me erën e qofteve nga kjo zgara e “komshiut”.

  • Teksa bëheshin gati karnavalet, m’u kujtuan ato të Korçës. Atëhere zoti Nikollaq nuk e kishte mbushur Korçën me maska, se “Jeta është llogari, Olimbi”. Kurse në Tiranë maskat janë shtuar. Bënte vaki të mos njihte burri gruan dhe anasjelltas. Punë e madhe, ditë vere… Kjo ditë duhej fiksuar edhe në aparatet fotografike apo celularët. Dhe një grua nxirrte dy fëmijë të bukur si lepurusha.
  • Marshallah, – i tha një nënë.- Binjakë janë? Sa shumë ngjajnë!
  • Jo, -u përgjigj gruja,- njëri është i komshiut…E po, bashkë lindin, bashkë rriten…
  • Mes gjullurdisë së madhe kishte dhe ndonjë skenë “Çirku” popullor. Ca hipnin mbi ndonjë pemë, ca provonin forcat duke u rrokur. Po një qen ishte në hall. Lëvizte me shpejtësi sa andej-këndej. Dukej i shqetësuar. I kishte humbur zonja. Ishte dhe ky një rast I rrallë se shpesh humbasin qentë. Kur humbet qeni, dalin zonjat duke ulëritur. “Ju lutem kush ka parë një qen, kush e gjen do marrë shpërblim”. Po këtë herë qeni nuk ka gojë. I shkreti! Mbase zonja kishte shkuar të “bënte prova” tek teatri veror, duke përsëritur batutat e Çome Çakshirit: “Çu-çu-çu më njëanë, çu-çu-çu më anën tjetër. Të kam kam shpirt, të kam xhan…”

Normale dhe kjo. Kot nuk i thonë “Ditë Vere”…

SHKARKO APP