Bill Gates zbulon frikën e tij më të madhe

Një prej njerëzve më të pasur në botë është i obsesionuar me "mendime të errëta" për të ardhmen e njerëzimit.

Optimizmi për të është realizëm, e për veten thotë se është optimist i pakorrigjueshëm. Por, pse të mos jetë kur është një nga njerëzit më të pasur në botë? Megjithatë, ai është njeri me të metat e tij, me virtyte e frikë. Në një intervistë për Vox, siç citon Huffington Post, 59-vjeçari zbuloi frikën e tij.

Ai kohët e fundit është obsesionuar me “mendime të errëta” dhe çështjet që lidhen me punën me të cilën merret, transmeton Telegrafi.

E, çfarë mund të vrasë në 20 vitet e ardhshme 10 milionë njerëz?

“Mendoj se shanset e një lufte bërthamore gjatë jetës sime janë të vogla. Por, shanset e një epidemie, shumë më keq se Ebola, janë më të mëdha se 50 për qind”, ka thënë Gates.

Sipas tij, kjo bazohet në mënyrën se si bota reagoi ndaj epidemisë fundit: vitin e kaluar, Ebola, që vrau 11 mijë njerëz, tregoi se bota nuk është e gatshme për të luftuar kundër sëmundjeve infektive.

Epidemia e fundit vdekjeprurës globale ishte Gripi Spanjoll, që në vitet 1918-19 vrau 65 milionë njerëz, më shumë se sa që vrau Lufta e Parë Botërore.

Në shumë mënyra, sot ne jemi ende të pambrojtur kur është fjala për sëmundje globale ngjitëse. Gates tha se sot 50 herë njerëzit më shumë kalojnë kufijtë sesa në vitin 1918. Për shkak të kësaj dhe të faktorëve të tjerë, Gates vlerëson se epidemia e ardhshme si Gripi Spanjoll mund të vrasë 10 milionë njerëz në vetëm një vit.

"Kemi krijuar – sa i përket përhapjes së virusit – mjedisin më të rrezikshëm që ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e njerëzimit”, thotë Gates.

 

SHKARKO APP