Bregu pickohet nga një grerëz, ankohet tek Beqja se nuk ka ultraktorten
Duket se një grerëz nuk është treguar aspak miqësore me deputeten Majlinda Bregu. Kjo e fundit është paraqitur dje në ambientet e Poliklinikës së Specialiteteve nr. 3 në Tiranë për të bërë një ultrakorten për shkak të pickimit nga ky insekt.
Mësohet se deputetja Bregu ka shkuar me “mik” në këtë Poliklinikë, duke shkelur sistemin e referimit. Mirëpo, pavarësisht dëshirës së mirë për t’i shërbyer, Bregu ka hasur në një incident të pakëndshëm. Nuk ka pasur ultraktorten.
Një mungesë e tillë i është dukur skandaloze deputetes, e cila mësohet se është ankuar deri tek ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ka reaguar menjëherë.
E kontaktuar nga gazeta “Shëndet+”, drejtuesja e kësaj Poliklinike, Valdete Malaj shprehet se ultrakorten ka pasur por nuk ka qenë i ekspozuar.
“Ultrakorteni ka qenë në Poliklinikë. Madje ne e kemi të shpërndarë në të gjitha shërbimet, te alergologjia, urgjenca, infektivi. Në momentin kur deputetja është paraqitur, nuk ka pasur ultrakorten të ekspozuar sepse sa i është injektuar një pacienti tjetër. Por ka pasur në çantën e urgjencës. Shërbimi i është dhënë me shumë korrektesë. Dhe vetë deputetja është larguar shumë e kënaqur” është shprehur Malaj për “Shëndet+”.
Mungesa të tilla si ultrakorteni, sigurisht që janë të pajustifikueshme. Mirëpo, reagimi dhe shqetësimi i ministrit të Shëndetësisë duhet të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët.
Nëse shteti do të shqetësohej për jetën e qindra fëmijëve të prekur nga kanceri njësoj si për shëndetin e deputetes së pickuar nga grerëza, shëndetësia do të kishte tjetër fytyrë.