Breshka në letërsi, mitologji e bestytni shqiptare

Nga Andreas Dushi
Rrallë herë mund të keni dëgjuar mbi rëndësinë e breshkës në kulturën e popullit tonë. Zakonisht, kur breshkën e marrim në aspektin e saj metaforik, mendja na shkon te fabula e njohur e garës mes saj dhe lepurit. Por, në Shqipëri, breshka ka një tjetër domethënje disadimensionale.
Martin Camaj i ka kushtuar një vepër të plotë figurës së breshkës, mikes së tij më të mirë me emrin Drande. E rrëfimin e tij e nis me eksperiencen në Cukal të Shkodres ku gjen për herë të parë “diçka të gdhendun, gungë e madhe ngjyrë ashti, rrashtën e bjeshkës e mbi atë gjarpnin dredha – dredha, gjithçka të bamun gurë!”, pra një breshkë.
Cukali është një mal, disa qindra metra mbi nivelin e detit dhe për këtë fakt çuditen të gjithë se si ja kishte dalë një breshkë të ngjitej aq lart. Por ja që ja kishte dalë.
Pas shumë kohësh, kur Martini gjendej në Gjermani, dikush e merr në telefon siç rrëfen edhe vetë:
“Kem pru nji breshkë nga vendi yt – më tha dikush në telefon larg si prej nji kontinentit tjetër. – Deshta me të pyet, çka ha ky dreq?”
Sot, në shtëpinë ku ai jetoi e tani jeton Erika Camaj, bashkëshortja e tij, oborri është plot me breshka, ndoshta “nga vendi i tij”. Breshkat mezi e presin pranverën, momentin kur ato dalin nga nëntoka e shijojnë mbitokën tuj “Ndejt e lirë. Tuj shku ndër vneshta e përroje të thata, druj fiqsh mbi krye, therra gjithfarësh, mure të rrëzueme, laknishte”.
Ndërsa në mitoligji, shpesh herë breshka është parë si “kafsha e mallkuar”. Në një nga përrallat kombëtare, ajo del “pula e dreqit me shtrigën kaluar mbi shpinë”. Diku tjetër thohet se kur ajo pau mikun duke ardhur, hoqi nga soba mishin që po ziente për të mos e ndarë me mikun, çka përbën një nga turpet më të mëdha të kombit tonë i cili duhet të bjerë si gjëmim mallkimi mbi atë që e ka bërë.
Duke vazhduar këtë histori, thuhet se natën, kur miku kishte rënë për të fjetur, breshka u ngrit dhe e hëngri mishin vetëm. E Perëndia kur e pa këtë, si dënim, i ngjiti vegshin në shpinë. Në mëngjes kur pau veten, ndjeu turp dhe tani, sa herë që ajo shef ndonjë krijesë t’i afrohet, fshehet brenda zhguallit (vegshit) të saj.
Por diçka është e çuditshme në gjithë këtë shkrim për breshkën. Pavarësisht se ajo shihet si kafshë e mallkuar, përbën një ndër të rrallët raste kur mitologjia dhe bestytnia nuk shkojnë njera pas tjetrës. Çfarë dua të them është se në mitologji ajo njihet si krijesë e keqe, e mallkuar dhe e dënuar nga Perëndia, ndërsa në bestytni njihet si një fatsjellëse e madhe.
Ndryshe nga gjarpri i cili në mitologji njihej si “Ora e Shtëpisë” dhe në bestytni respektohej po njëlloj, breshkës në bestytni i ikën mallkimi dhe mbulohet nga një vello bekimit.
Prandaj sot, për arsye të panjohura të zhvillimit së historisë së mitologjisë, breshkat mbahen si kafshë fatsjellëse (besoj e kujtoni Kryeministrin e vendit i cili mbante breshka në zyrën e tij si kryetar i Opozitës së dikurshme) dhe si akfshë shtëpiake të cilat “mot-motit i njohin veç dy stinë: dimen e verë” thoshte Camaj. Dimrin kur nëntokë jeton letargjinë e saj dhe verën kur mbi tokë jeton lumturinë e saj.

SHKARKO APP