Çeki, notarët mblidhen për të notuar çdo vit në lumin Vltava

Qindra notarë u bënë pjesë e garës së përvitshme në lumin Vltava në qendrën historike të Pragës. Edicioni i 74-të i “Alfred Nikodem” këtë vit u zhvillua nën masa të forta anticovid, teksa notarët nuk I trembeshin ftohjes por virusit.

Qindra njerëz notuan në ujërat e lumit Vltava, më i gjati në Republikën Çeke, në qendrën historike të Pragës. Ky ishte edicioni i shtatëdhjetë e katërt i “Alfred Nikodem”, gara më e vjetër e notit në ujë të ftohtë në vend.

“Alfred Nikodem bëri banjën e parë publike me një grup prej shtatë notarësh me ujë të ftohtë në lumin Vltava në 1923. Në disa vjet, dhjetëra notarë u bashkuan me të,” shpjegoi Tomas Prokop, organizatori i ngjarjes.

Megjithëse për disa, më e keqja nuk është ftohja në ujin me temperaturë rreth 4 gradë celsius:

“Pjesa e vështirë ishte prova Covid, e cila është e dhimbshme, ndërsa  uji është i këndshëm, siç duhet të jetë në Krishtlindje,” tha notari Vladimir Chmela.

Gara u zhvillua nën masa të rrepta anti-COVID-19 në një kohë kur vendi po përjeton një rritje të numrit të rasteve dhe është në  prag të hyrjes në fuqi të kufizimeve të reja dhe një mbyllje të pjesshme.

SHKARKO APP