Dallimi midis hixhabit, nikabit e burkës

Gratë myslimane nëpër botë vishen me rroba të ndryshme. Disa nga ato me hixhab mbulojnë kokën, flokët dhe qafën; disa mbajnë burkë nga koka deri në thembër me vrima të çelura vetëm sa për sy. Ka që mbajnë shami as me vrima, por vetëm njëfarë rrjete të zezë pak të tejdukshme. Shamia konsiderohet shenjë e modestisë dhe simbol fetar dhe ajo që e mbajnë myslimanet quhet hixhab.

Hixhabet mbahen në stile e ngjyra të ndryshme, ndërsa ai që përdoret në vendet e Perëndimit mbulon kokën dhe qafen, por jo fytyrën. Nikabi është pëlhurë për fytyrë, i cili zakonisht ka vrima për sy, por mund të jetë edhe me rrjeta të zeza të veçanta për sy, ndërsa me të shkon edhe një shami tjetër.

Burka, ferexheja më e mbyllur nga të gjitha ato që mbajnë myslimanet, është një pjesëshe dhe mbulon fytyrën e trupin, shpesh me vetëm një rrjetë të ngushtë aty ku janë sytë.

Përveç hixhabit, nikabit e burkës, që janë llojet e ferexheve më të njohura në veshjet myslimane ka edhe ferexhe dy pjesësh, që quhet al-almira dhe përbëhet nga kapuçi i ngushtë prej poliesterit, ose pambukut dhe shamia që mbahet përmbi të.

Në rajonin e Gjirit të Persisë është e popullarizuar Shajla, një shami katërkëndëshe e gjatë që mbështillet rreth kokës dhe përforcohet në krahë. Disa myslimane mbajnë edhe himar a hiram, një ferexhe e gjatë që bie deri në brez, ndërsa mbulon plotësisht kokën, qafën dhe krahët, por jo edhe fytyrën. Shumë gra iraniane mbajnë çadore, një lloj pëlhure që mbulon tërë trupin, ndërsa përfund saj në kokë kanë një shami të vogël.

 

SHKARKO APP