Dëmi i të nxehtit në punë, Ilo: Shqipëria e 3-ta në Europë, do “fshihet” gati 0.1% e PBB nga puna e humbur
Të punosh në këto ditë të nxehta është një sfidë më vete, sidomos për ata që janë të detyruar të punojnë në ambientet e jashtme, kryesisht agro-bujqësi dhe ndërtim. Organizata Ndërkombëtare e Punës ( ILO ) ka publikuar një raport të ri mbi efektin e të nxehtit në orët e punës.
Raporti i sapo publikuar nga ILO tregon impaktin e stresit nga i nxehti, që është i nxehti që percepton si i tepërt trupi i njeriut, e që shkakton edhe pasoja psikologjike. Raporti arrin në përfundimin se, Shqipëria është një prej 10 vendeve të Europës dhe Azisë qendrore që projektohet të pësojë dëmin më të madh si pasojë e të nxehtit deri në vitin 2030. Dëmi përllogaritet në rreth 0.07%, çka na rendit në vendin e 7-të në Europë dhe Azinë qendrore, në listën e vendeve më të prekura.
Kjo përqindje përkthehet në rreth 9.1 milionë euro. Skenari i marrë parasysh nga Organizata Ndërkombëtare e Punës është ai i një rritje të temperaturës me 1.5 gradë Celsius mesatarisht. Në vitin 1995 ky impakt vlerësohej në 0.04%. Dëmi i referohet vetëm impaktit të të nxehtit në orët e punës, pra sa i ndikon punonjësit drejtpërdrejtë në punën e tyre, dhe jo dëmi i të nxehtit në ekonomi në total. Për agro bujqësinë dhe ndërtimin stresi nga i nxehti do të eliminojë 0.14% të orëve të punës.
Shqipëria rezulton të jetë vendi i tretë në Europë pas Gjeorgjisë dhe Qipros sa i përket këtij dëmi, bazuar në projeksionet e vitit 2030 të kryera nga Organizata Ndërkombëtare e Punës. Me 0.07% të orëve të punës së humbura deri në 2030 si pasojë e të nxehtit, ose rreth 700 punë me orar të plotë, për Shqipërinë kanë rënë kambanat e alarmit.