Dita kur UFO-t ndaluan mbi stadium
Ishte 27 tetori i vitit 1954, një ditë tipike e freskët vjeshte në Toskana. Klubi i fuqishëm i Fiorentinës po luante kundër rivalëve lokalë të Pistojezes.
Dhjetë mijë tifozë po shikonin ndeshjen në shkallët e betonta të stadiumit “Artemio Franchi”. Por pak pas gjysmës së parë, stadiumi ra në heshtje- dhe krejt papritur turma lëshoi një ulërimë. Spektatorët nuk po shihnin më ndeshjen, por po shikonin qiellin, duke treguar me gisht. Lojtarët nuk po luanin më dhe topi ndaloi.
Një nga futbollistët në fushë ishte Ardico Magnini- ai ishte një legjendë për klubin dhe kishte luajtur për Italinë në Kupën e Botës në vitin 1954.
“Mbaj mend gjithçka, nga A-ja tek Z,” thotë ai.
“Ishte diçka si një vezë dhe lëvizte ngadalë, ngadalë, ngdalë. Të gjithë po shihnin lart dhe nga qielli poshtë po vinte një dritë vezulluese në ngjyrë të argjendtë. Mbetëm të habitur pasi nuk kishim parë kurrë diçka të tillë. Ishim absolutisht të shokuar”.
Ndeshja u pezullua për shkak se spektatorët panë diçka në qiell, sipas raportimit të arbitrit të ndeshjes.
Mes turmës ishte edhe Gigi Boni, një fans i përjetshëm i Fiorentinës.
“Mbaj mend qartë që pamë këtë të pabesueshmen,” thotë ai.Përshkrimi i tij për objektet ndryshon fare pak nga ai i Magnini-t.
“Ato po lëviznin shumë shpejt dhe pastaj ndaluan. Gjithçka zgjati disa minuta. Mund të them se ngjanin me cigaret kubaneze, në mënyrën se si dukeshin”.Boni ka kaluar shumë vite duke kujtuar atë ditë në mendjen e tij.“Mendoj se ishin jashtëtokësorë. Këtë besoj dhe nuk ka asnjë shpjegim tjetër që mund t’ia jap vetes”.
Një tjetër nga lojtarët, Romolo Tuci, akoma në formë edhe pse në të 70-tat, bie dakord.“Në ato vite të gjithë flisnin për UFO-t dhe ne përjetuam këtë gjënë, i pamë, i pamë direkt, realisht”.
Incidenti në stadium nuk mund të shpjegohet thjesht si një histeri masive- në shumë qytete të fshatra të Toskanës atë ditë, dhe ditën që pasoi, u panë UFO.
Sipas disa dëshmitarëve, një rreze me dritë të bardhë u pa në qiell duke ardhur nga Prato, në veri të Firences.
Një tjetër person, të cilit i shijon shumë fakti që po flet për këtë ditë, është presidenti i Qendrës për UFO-t në Itali, Roberto Pinotti.
Ai ka shkruar shumë libra në lidhje me UFO-t dhe shtëpia e tij në qendër të Firences është e mbushur plot me relike mbi alienët, postera të filmave të vjetër italianë, artikuj gazetash dhe foto bardhezi të disqeve fluturues.
“Lojtarët dhe publiku mbetën të befasuar kur panë këto objekte mbi stadium,” thotë Pinotti.
“Në atë kohë gazetat flisnin për alienët nga Marsi. Natyrisht tani e dimë se nuk ishte kështu- por mund të arrijmë në përfundimin se ishte një fenomen inteligjent, një fenomen teknologjik dhe një fenomen që nuk mund të lidhet me asgjë që njohim në Tokë”.
Ai është sidomos i intriguar nga materiali që ra nga qielli- që Magnini e përshkruan një si xixëllimë të argjendtë.
“Është fakt që në të njëjtën kohë që UFO-t u panë mbi Firence, një substancë e çuditshme, ngjitëse, ra nga lart. Në anglisht ne e quajmë këtë “flokët e engjëllit”,” thotë Pinotti.
“I vetmi problem është se pas një periudhe të shkurtër kohe, ajo shpërbëhet”.Si një 10- vjeçar, ai ka qenë vetë dëshmitar i këtij fenomeni.
“Mbaj mend se si në dritën e diellit, çatitë e shtëpive në Firence u mbuluan me këtë substancë të baredhë për një orë, si dëbora, e cila më pas u shkri. Askush nuk e di se çfarë lidhje ka kjo substancë e bardhë me UFO-t”.
Ka shpjegime të ndryshme nga dëshmitarët për substancën që ngjante me pambukun, por ajo ishte vështirë për t’u mbledhur pasi shpërbëhej sapo binte në kontakt.Megjithatë disa njerëz ishin të vendosur për të zbuluar se çfarë ishte.
Një prej tyre ishte gazetari i gazetës së Fiorentinës “La Nazione”, i ndjeri Giorgio Batini.Në vitin 2003, ai i tha një programi televiziv italian, “Voyager”, se atë ditë mori qindra telefonata për këtë gjë.Ai doli në majë të godinës së gazetës për të parë se ç’po ndodhte.
Ai pa topa të shndritshëm duke lëvizur me shpejtësi drejt katedrales dhe nxitoi që të investigonte.
Mori disa mostra nga kjo lëndë e bardhë si push dhe i dërgoi për analiza në Institutin e Analizave Kimike të Universitetit të Firences. Kur shkoi atje, pa që edhe të tjerët kishin bërë kështu.
Laboratori, që drejtohej nga shkencëtari i respektuar, profesor Giovanni Canneri, e analizoi materialin dhe arriti në përfundimin se ai përmbante elementë si bor, silikon, kalcium dhe magnez, por nuk ishte radioaktiv. Për fat, kjo nuk ofroi asnjë përgjigje përfundimtare, pasi materiali u shkatërrua në proces.
A kanë qenë UFO?
“Është absolutisht një ide qesharake. Shkenca e refuzon totalisht këtë gjë,” thotë James McGaha, ish- pilot i forcave ajrore amerikane, i kthyer në astronom.
Nga observatori në juglindje të Arizonës ai ka kaluar më shumë se 40 mijë orë duke parë qiellin natën. Pa përmendur kohën që ka kaluar në fluturim në një avion ushtarak amerikan.
“I gjithë fenomeni është thjesht një mit, magji dhe supersticion, mbështjellë në këtë idenë se në njëfarë mënyre alienët do vijnë për të na shpëtuar apo shkatërruar,” thotë ai.
Në pikëpamjen e tij, i gjithë spektakli, “flokët e engjëjve” dhe të gjitha, nuk është gjë tjetër vetëm se merimanga migruese.
“Kur e pashë këtë çështje në fillim, mendova se ndoshta ishte një top zjarri, një meteor shumë i shndritshëm që kishte shpërthyer në atmosferë. Në këtë rast mund të ketë copa në formë cigaresh, që ndahen. Por u bë e qartë se në këtë rast bëhet fjalë për merimanga të reja, që tjerrin rrjeta, shumë, shumë të holla”.
“Merimangat i përdorin këto rrjeta për t’u lidhur dhe për të krijuar një rrjetë akoma më të madhe në qiell, përmes të cilës lëvizin nga një destinacion në tjetrin. Një gjë e tillë regjistrohet mbi 4.500 metra mbi tokë. Kështu, kur rrezet e diellit shkëlqejnë mbi rrjetat, krijohen këto efekte vizuale”.
“Kur ky material shkëputet dhe bie mbi tokë, kjo duket magjike, pa dyshime. Por jam i bindur se kjo ka ndodhur atë ditë”.Teoria mbështetet nga fakti që në shtator dhe në tetor merimangat emigrojnë në hemisferën veriore dhe të tilla emigrime spektakolare akoma e kësaj dite përbëjnë lajm.
Por kjo nuk ka bindur ndonjë.
“Natyrisht e di hipotezën e merimangave migratore- por nuk ka kuptim. Është një histori e vjetër dhe budallaqe,” thotë Pinotti.
Ai e hedh poshtë këtë teori për shkak të analizave kimike të mostrave të “flokëve të engjëllit”.
Mëndafshi i merimangave është proteinë- një përbërës organik me nitrogjen, kalcium, hidrogjen dhe oksigjen, jo elementët e gjetur në mostrat që Batini dhe të tjerët sollën në universitet.
Gjashtëdhjetë vjet më pas, shanset për të përcaktuar shkakun e incidentit janë të pakta.
“Nuk do e besoja një ngjarje të tillë të vjetër dhe të çudishme pa parë të dhënat,” thotë një penë e njohur në fushën e shkencës, Philip Ball.
Ai bie dakord që disa elementë që janë vëzhguar në “flokët e engjëllit” nuk përkojnë me teorinë e merimangës.
“Magnezi dhe kalciumi janë elementë të përbashkët në trupat me jetë, bori dhe silikoni më pak- por nëse këto janë elementët kryesorë që janë gjetur tek pushi i bardhë, nuk më duket se kanë ardhur nga merimangat,” thotë ai.
Kështu që gjithçka mbetet mister. Nuk ka rëndësi se çfarë thonë shkencëtarët, ata që ishin atje janë të bindur se panë diçka që nuk gjendet në tokë.
Romolo Tuci ndjehet me fat që ka qenë atje. Sytë e tij kërcejnë me gëzim kur kujton atë ditë.
“Isha i magjepsur dhe i lumtur”. (Explore Univers)