Dorëshkrimi i lashtë: Jezu Krishti ishte i martuar me Maria Magdalenën
Por, tashmë një libër i ri, i titulluar “Ungjilli i humbur”, tregon dorëshkrimin që flet për martesën e Jezusit me Marinë dhe dy djemtë që patën nga martesa e tyre. Ky dorëshkrim daton në vitin 570 pas Krishtit dhe është i shkruar në gjuhën siriane; një gjuhë e Lindjes së Mesme e përdorur mes shekujve 4-8 dhe që ngjason me gjuhën Aramaike, gjuhë e folur nga Jezusi.
I shkruar në një lëkurë të përpunuar e të lëmuar kafshësh, ky dorëshkrim ka qenë në arkivat e Librarisë britanike për rreth 20 vite, vend në të cilin ruhej pasi Muzeu në Londër e kishte blerë atë në vitin 1847 nga një agjent shitjesh. Ky i fundit pohonte se e kishte marrë dorëshkrimin nga Manastiri i Lashtë i St Macariusit në Egjipt.
Gjatë 160 viteve të shkuara, dokumenti është studiuar nga shumë dijetarë, por është konsideruar jo interesant. Por kohët e fundit, Simcha Jakobovic, një regjisor filmash izraelito-kanadez, dhe Barrie Wilson, një profesor i studimeve fetare në Toronto, iu rikthyen sërish këtij dokumenti.
Pas gjashtë viteve studim, ata janë të bindur se kanë zbuluar edhe një ungjill të pestë të munguar, që i shtohet katër ungjijve të tjerë, i cili tregon historinë e Krishtit, histori e cila thuhet se është shkruar nga evangjelistët Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni, në shekullin e I-rë pas Krishtit.
Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të ishte padyshim zbulimi më madhor rreth jetës së Jezu Krishtit gjatë 2000 viteve. Jakobovic pretendon se dorëshkrimi, i cili është 29 kapituj i gjatë, është një kopje e krijuar në shekullin e VI dhe që hedh dritë mbi shumë gjëra.
Në botë, nëpër shekuj ka pasur zbulime të shumëllojshme për ungjijt “e rinj”, ku është folur për një marrëdhënie romantike mes Jezusit dhe Maria Magdalenës. Madje, rreth kësaj teme janë shkruar një sërë librash dhe janë prodhuar një sërë filmash. Në vitet ’50 u botua libri “Tundimi i fundit i Krishtit”, i cili tregonte për martesën. Libri u kthye në film me të njëjtin titull nga Martin Scorsese në 1988-n.