Ekzotikia tropikale e joshjes përmes hirit të ngjyrave dhe linjave

Albert Vataj

Kur shihni këto foto orkidesh, menjëherë do tu shkojë mendja se dikush po përpiqet të ju mashtrojë, të manipulojë përmes teknologjisë, si me shumë e shumë gjëra të tjera, edhe me këtë lloj të rrallë dhe befasues të orkidesë, prezantuar nga Farm Show në rrjetet sociale, si një ofertë për koleksionistë dhe lajkatim për dashnorët e kësaj luleje që natyra e krijoi për të qenë simbol i dashurisë.

Këto imazhe nuk janë as truk i IA as manipulim gjenetik. Jo, këto janë orkide. Kjo është mënyrë kah përsosmëria e komunikimit të natyrës shfaqet. Metodologjia se si ajo na qaset, se si adhurimi për të bukurën na thërret me zë të mistershëm, për tu gjunjëzuar para këtij altari, ku ne përulemi për ta ndjerë brenda vetes, se si universi na mbush me pafundësi dhe dehje, se si përjetimi i një hiri delikat vepron brenda nesh.

Ky spektakël i lulëzimit madhështor, vjen përmes një solemniteti teatral i spektakolares; së nuancave, ngjyrave, formave, linjave dhe aromës. Vjen ashtu sublime dhe mbresëlënëse, si një prekje magjike e natyrës përmes bimës tropikale Orkide, kësaj mbretëreshe që sundoi krejt imagjinatën e natyrës. Petalet e gjalla dhe linjat e shkujdesura, të shpërfaqjes dhe joshjes, pikëlimet e ngjyrshme dhe lakimet e buta, krijojnë një shfaqje befasuese, pothuajse surreal.

E harlisur në dehjen e epshit të një gruaje që tundon, kjo orkide i tregon adhuruesve dhe koleksionuesve të shumë në botë të kësaj luleje, se ka ende arsye për të dashuruar me gjithë zjarrin e pasionit, se shqisat tona janë ende në eksplorim të thesareve.

Orkideja si lule është vërtet magjepsëse, duke mahnitur të gjithë ata që shohin lulëzimin e saj madhështor, më të madh se jeta, ajo ka një status të veçantë në mbretërinë e së bukurës së gjallë dhe vepruese, ajo ka kaq dëshirim të na rrëmbejë dhe kaq mistikë të na magjepsë.

Ngjyrat e tyre delikate, petalet e ndërlikuara dhe unike, ngjallin një ndjenjë të shkëlqimit të harlisur, tropikal. Jo tamam ato janë ajo çfarë ne shohim, por tjetër gjë është ajo që kjo lule kërkon të na thotë, çfarë ajo kërkon të na dhurojë në këmbim të shastisjes së adhurimit, që e bën atë më të bukur dhe më të paaritshme.

Orkide është ndoshta e zgjedhura të na tregojë se sa ka ende natyra të na dhurojë, se sa ne kemi ende nevojë që kjo bukuri delikate, kjo prehje e hirshme të na përkundi në prehrin e magjepsjes.

SHKARKO APP