Gjejnë unazën e humbur ë Facebook
Rrjetet sociale nuk kanë vetëm të meta, përkundrazi nëpërmjet tyre mund të gjenden edhe gjëra të çmuara, siç mund të jetë unaza e humbur e martesës. Kjo ka ndodhur me një çift të martuar në vitin 2013, ku gjatë muajit të mjaltit në Meksikë, burri ka humbur unazën e martesës në det. Për fatin e mirë të çiftit, një 21-vjeçar kishte kaluar pushimet në shtator të këtij viti në të njëjtin vend dhe gjatë një zhytjeje ai kishte gjetur unazën. 21-vjeçari Daniel Roark nuk mendoi për asnjë çast që ta mbajë unazën për vete, por menjëherë mendoi se si të gjejë pronarët. Daniel e nisi kërkimin për gjetjen e pronarëve në rrjetin social “Facebook”. “Kaloja 4-5 orë në ditë duke parë e-mailin, të paktën 50 veta më kërkuan unazën, me pretendimin se ishin ata pronarët” – është shprehur 21-vjeçari. Por si i gjeti Daniel pronarët e vërtetë? Ka qenë një grua që i shkruajti atij një mesazh në Facebook, duke i thënë se unaza ishte e burrit të kushërirës së saj. Për ta bërë 21-vjeçarin ta besojë, gruaja i kishte nisur edhe disa foto të çiftit, ku dalloheshin qartësisht unazat. Daniel sërish nuk u bind, kërkoi të flasë më burrin që i përkiste unaza, duke i bërë këtij të fundit disa pyetje rreth madhësisë së unazës dhe se çfarë ishte gdhendur në të. Pas këtij pyetësori nuk kishte më dyshime, unaza i përkiste Martin Castillos. “Daniel është një engjëll, nuk kemi fjalë për atë që bëri” – është shprehur me lot në sy, pronari i unazës.