Gjermanët zgjedhin shqiptarin si shoferin më ideal të autobusëve

700 veta e kanë votuar, në anketën e shpallur nga Organizata e trafikut të Munihut dhe “Suddeutsche Zeitung” për shoferin më të mirë në linjat jashtë qytetit të Munihut.

 

Më shumë se 60% të qytetarëve të anketuar të rajonit Freising kanë zgjedhur atë: Skënder Ademin, si shoferin më të dashur të autobusave.

 

Shqiptari 45 vjeç nga Kosova e përmbush më së miri sipas tyre përfytyrimin për shoferin ideal, të gatshëm për ndihmë dhe gjithnjë me buzëqeshje në fytyrë. Ndodh shpesh që ndonjë zonje të moshuar t`ia bartë valixhen apo ta ndihmojë për t`u ngjitur në autobus, gjë që nuk ka mbetur pa rënë sy të udhëtarëve.

Në raste të tilla ai ka fituar edhe duartrokitje nga udhëtarët e tjerë.

Ndër kriteret që duhej plotësuar ishin mikpritja, saktësia, stili i ngarjes së makinë etj. Po ashtu, shoferi i autobusit për udhëtarët duhet të jetë edhe partner që u gjendet në të gjitha situatat.

Të gjitha këto cilësi i posedon Skënder Ademi, sipas më shumë se 60 % të të anketuarve. Skënderi mban linjën nga Freisingu në Aeroport, që ka numrin 635 dhe është i dashur si për udhëtarët, ashtu dhe për punëtorët e aeroportit.

Ai e do shumë profesionin e shoferit që për të është “profesion ëndrrash” dhe është i përkushtuar ndaj tij.

"Saktësia, – thotë Skënderi, – është e rëndësishme jo vetëm për udhëtarët por në radhë të parë për mua".

Shoferi më i dashur i rajonit gjerman vjen nga Kosova, ku ka studiuar makinerinë. Por, pas dy semestrash atij i ishte dashur, për shkak të rrethanave të luftës, të ndërpriste studimet dhe të migronte në Gjermani ku jeton bashkë me gruan dhe katër fëmijët. Pas punëve të ndryshme në ndërtim, ai prej tre vitesh e gjysmë punon si shofer autobusi. Dhe tash, zgjedhja si me i miri në mes të shoferëve, për Skënderin vjen si një kurorëzim i mirëseardhur i punës dhe angazhimit të tij të pakursyer.

SHKARKO APP