Hoteli më i vogël në botë, një Volkswagen Beetle në shkretëtirën jordaneze (FOTO)
Një tjetër hotel po përpiqet të konkurrojë për titullin e “strehimit më të vogël në botë”.
Bëhet fjalë për një hotel, i krijuar nga një Volkswagen Beetle e vjetër, në mes të shkretëtirës jordaneze, i cili pretendon të jetë më i vogli në botë, me kapacitet dy persona.
Mohammed al Malaheem e krijoi hotelin në vitin 2011, duke marrë makinën dhe duke e dekoruar atë me çarçafë dhe jastëkë të punuar me dorë, për të krijuar jo vetëm një vend tërheqës, por edhe me një stil të veçantë, sipas CNN.
Al Malaheem bëri me dije se arsyeja për të cilën krijoi këtë hotel ishte që t’u tregonte vizitorëve se sa mahnitëse mund të jetë kjo zonë.
“Ky fshat është atdheu im, unë kam lindur këtu, jam rritur këtu, kam jetuar këtu”, tha ai. “Doja të nisja një projekt që përmirëson gjendjen e tij dhe e vendos atë në hartën e turizmit, sepse me të vërtetë nga këtu, ti mund të shikosh disa nga peizazhet më të bukura në rajon”- tha më tej Al Malaheem
Hoteli ndodhet në fshatin shkretëtirë të Al Jaya, ku vizitorët do të gjejnë një peizazh të qetë, si dhe kështjellën e shekullit të 12 të Montrealit.
Poshtë kështjellës ju do të vini re pikërisht makinën, e cila pretendon se është hoteli më i vogël në botë dhe një “bar” në një shpellë aty pranë, ku Al Malaheem do t’u shërbejë vizitorëve pije dhe ushqim.
Aty pranë është edhe një kioskë që ofron bizhuteri antike, artefakte dhe sende bakri të vjetra që udhëtarët mund t’i blejnë si suvenire. Al Malheem pohoi për CNN se ai dhe familja e tij do të përgatisin për vizitorët një mëngjes jordanez ose drekë.
Ndërkohë që hapësira e “hotelit” është e vogël, ndaj Al Malheem planifikon të shtojë disa makina të tilla Beetles, për t’i dhënë mundësinë më shumë vizitorëve të qëndrojnë në një kohë. Një natë në këtë hotel kushton rreth 56 dollarë (40 dinarë jordanezë).