“iPhone City”, qyteza-fabrikë në Kinë ku prodhohen gjysma e të gjithë iPhone-ëve në botë
Nëse përdorni një iPhone, gjasat janë që ai të jetë prodhuar në kompleksin gjigand të fabrikave në Zhengzhou në Kinë, një qytet prej 9.5 milionë banorësh, në një prej provincave më të varfëra të vendit, Henan.
Fabrika, e drejtuar nga prodhuesi taivanez i elektronikeve Foxconn, punëson rreth 350 mijë njerëz dhe prodhon gjysmën e iPhone-ëve nëpër botë. Në ditët e ngarkuara të verës, përpara se Apple të prezantojë modelin më të ri, fabrika prodhon deri në 500 mijë celularë në ditë, ose rreth 350 të tillë në një minutë.
Duke qenë se kompleksi është mbi 30 kilometra nga qyteti, një pjesë e madhe e punëtorëve jetojnë në konvikte në ndërtesat 10-12 katëshe jashtë dyerve të fabrikës. Një numër i madh biznesesh dhe shitësish ngrenë dyqanet e tyre poshtë këtyre pallateve, duke ofruar ushqim të gatuar në rrugë, masazhe apo duke shitur çorape dhe sende të tjera.
Punëtorët e quajnë “qytetin” me shaka “iPhone City” dhe si ai ka dhjetëra të tillë nëpër Kinë, në vendet ku ndodhen fabrikat më të mëdha, si Foxconn, e cila punëson mbi 1.3 milionë persona. Që kur nisi të prodhonte iPhone për Apple ne vitin 2007, Faxconn është përballur me akuza për abuzime në punë, kushte të këqija pune, si dhe gjoba dhe dënime të rënda për punëtorët që bëjnë gabime.
Parku i biznesit ku ndodhen fabrikat, shtrihet në një vijë prej 3.5 kilometrash dhe kudo ka pemë, policë dhe roje sigurie në çdo cep, si dhe punëtorë që bëjnë pushim në ndonjë vend me hije. Përpara një dekade, kjo zonë kishte vetëm pluhur dhe fusha me grurë e misër. Në vitin 2010, qeveria bleu tokën nga fermerët vendas dhe fabrika u ngrit brenda vitit.
Turni i punës nis në orën 7 të mëngjesit. Ata që kanë mundësi, vijnë në punë me motor, të tjerët që janë më afër vijnë në këmbë, ndërsa për ata që jetojnë në godinat më të largëta ka një shërbim transporti me autobus.
Rutina ndjek si më poshtë: shërbehet mëngjesi dhe puna nis rreth orës 8, në drekë punëtorët kanë një orë pushim, ku disa zgjedhin mensën, ndërsa të tjerë shitësit jashtë; turni përfundon në orën 5, por nëse ofrohet orar shtesë, shumica do të zgjedhin dhe do të punojnë deri në 8 ose 10 të darkës; pas pune punëtorët hanë darkë me miqtë ose luajnë lojëra deri në orën 10 ose 11; më pas ata flenë gjumë. Kjo rutinë është e ngjashme edhe për ata që punojnë në turnin e natës.
Fabrika në Zhengzhou merret me montimin, testimin dhe paketimin e çdo telefoni. Fazat e prodhimit kërkojnë rreth 400 hapa për të asembluar një iPhone. Shumica e punëtorëve kanë vetëm një detyrë të cilën e përsërisin gjithë ditën, si pastrimi i ekranit, ngjitja e një komponenti, ose vidhosja e një vide të vetme nga pas celularit. Kjo do të thotë se punëtorët merren me 700-1700 telefonë në ditë.
Shumica e punëtorëve në fabrika janë të moshave 18 deri në 25 vjeç, megjithëse praktikantët nisin që nga mosha 16 vjeç. Këta punëtorë janë të shpërndarë në mënyrë të barabartë sipas gjinive, ndërsa shumica vijnë nga qyteti Zhengzhou apo nga fshatrat rreth Henanit.
Piku i numrit të punëtorëve arrin në fund të Qershorit, kur forca e punës fryhet deri në 350 mijë njerëz, aq sa shumë kompani shtetërore i huazojnë punonjës Foxconn.
Shumë nga njerëzit që punojnë në fabrika larg vendlindjes së tyre i shohin familjet e tyre vetëm dy herë në vit, gjatë Vitit të Ri Kinez dhe gjatë Ditës Kombëtare.
Kompleksi ka bulevarde të gjera për autobusët e shumtë që sjellin punëtorët, si dhe për kamionët që transportojnë mallrat.
Jashtë dyerve të kompleksit ka një radhë të gjatë me dyqane dhe restorante për punëtorët që nuk duan të hanë në mensën e kompanisë. Shumica e pronarëve të këtyre restoranteve janë ish punonjës të Foxconn. Këta pronarë restorantesh bëhen gati për vaktet sipas orareve të punëtorëve dhe zakonisht flenë vetëm 3-4 orë çdo natë.
Paga në fabrikë nis nga 1900 juanë kinezë në muaj (rreth 300 dollarë), por përmes orëve shtesë punëtorët mund ta rrisin pagën deri në 676 dollarë në muaj. Megjithatë, punëtorët janë të kënaqur pasi nuk u duhet të mendojnë dhe të shqetësohen, por vetëm të bëjnë detyrën e tyre përsëritëse dhe të paguhen.