Kleriku arab: Dielli rrotullohet rreth Tokës, njeriu nuk ka shkuar kurrë në Hënë

Është provuar disa shekuj më parë se Dielli ndodhet në qendër të sistemit tonë dhe Toka e planetet e tjerë rrotullohen rreth tij.  Por një klerik saudit mendon të kundërtën, duke përmbysur sërish zbulimin e madh, kur para se të evolonte shkenca në fakt besohej një e tillë. Sheikh Bandar al-Khaibari deklaroi në një leksion para studentëve të tij se Toka është një objekt statik, që as rrotullohet rreth vetes dhe as rrotullohet rreth Diellit.  Këtë teori të tij, të njëjtë me ato mesjetare, që fatkeqësisht u kanë marrë jetën dhjetëra shkencëtarëve, me akuzën e herezisë, sheiku saudit e mbrojti me një “provë’ të thjeshtë”.  – “Nisemi nga aeroporti Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe për të udhëtuar drejt Kinës? Nëse Toka do të rrotullohej, avionët mund të qëndronin në ajër dhe të prisnim që Kina të vinte te ne, në vend që të harxhonim kohë duke fluturuar”, – thotë ai para studentëve të tij. Ai i shton akoma më shumë doza “pretendimeve” të tij kur thotë se nëse Toka do të rrotullohej në drejtimin e kundërt, atëherë avionët nuk do të arrinin kurrë në destinacionin e tyre, pasi Kina do të largohej. Al-Khaibari ngriti dyshime edhe për zbritjen e njeriut në Hënë, duke e cilësuar këtë arritje një “prodhim hollivudi”. Prej kohës kur zbriti njeriu në Hënë, në fakt janë ngritur dyshime, sepse nuk ka pasur më udhëtime të këtij lloji, ndërsa dihet se shkenca ka evoluar. Gjithsesi, pjesët e leksionit shkencor të klerikut arab janë filmuar dhe videoja që po qarkullon në internet ka shkaktuar të qeshura dhe reagime nga më të ndryshmet, teksa nuk janë marrë seriozisht pretendimet e tij.

SHKARKO APP