Kompanitë që menaxhohen nga gratë japin rezultate më të mira

Kompanitë që menaxhohen nga gratë tregojnë performancë më të mirë të biznesit, thotë një studim i publikuar nga banka zvicerane “Credit Suisse”. “Credit Suisse” ka vlerësuar nivelin e aksioneve, rentabilitetin e kapitalit dhe dividendët. Hulumtuesit, të cilët analizuan 3000 kompani në 40 vende dhe në të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë, theksojnë se rentabiliteti i kapitalit ishte mesatarisht 14.1%, që nga viti 2005 për kompanitë, të cilët të paktën kanë një grua në bordin e tyre, në krahasim me 11.2% të kompanive që ekskluzivisht menaxhohen nga burrat. Në të njëjtën periudhë raporti i dividentëve është ndarë me një mesatare 38% në krahasim me 32% për kompanitë ku mungojnë në borde drejtuese gratë. Edhe pse rezultatet statistikore tregojnë se diversiteti çon në performancë më të mirë, shpjegimi mbetet një detyrë e vështirë, pranojnë autorët e studimit. Që nga viti 2012 diversiteti në bordet është rritur, thotë banka zvicerane, e cila tashmë ka bërë një studim të ngjashëm dy vjet më parë. Në fund të vitit 2013 përqindja e femrave në bordet arriti në 12.7%, krahasuar me 9.6% në fund të vitit 2010. Në fund të vitit të kaluar, përqindja e grave në organet drejtuese arriti në 12.9%, thotë studimi. “Credit Suisse“ ende i kushton vëmendje përqendrimit të konsiderueshëm të grave në pozicione në fushën e shërbimeve, burimeve njerëzore, në departamentet ligjore.

SHKARKO APP