Kurat natyrale për një gjumë të qetë
Pagjumësia është një problem shëndetësor që shkakton shumë telashe në organizëm. Miliona njerëz në botë stërmundohen gjatë natës pa vënë gjumë në sy. Shumica e pacientëve të prekur nga pagjumësia përdorin ilaçe të ndryshme që shkaktojnë urth, konstipacion, marramendje dhe varësi. Të dhënat tregojnë se medikamentet nuk ofrojnë kurrësesi një zgjidhje të mirë dhe pa efekte anësore që mundësohet nga kurat natyrale.
Çaji jeshil
Çaji jeshil ofron disa amino acide të cilat e qetësojnë organizmin gjatë ditës por nxisin edhe një gjumë të thellë në mbrëmje. Këto aminoacide njihen si L-Theanine të cilat mund të gjenden edhe si suplementë për gjumin. Por duke qenë se ky çaj ka edhe kafeinë, është e rekomandueshme që mos ta teproni me të.
Çaji kamomil
Ky çaj është jo vetëm i shijshëm por edhe efikas për gjumin. Ai funksionon si qetësues bimor. Ky çaj qetëson nervat, ul ankthin dhe zbut simptomat e pagjumësisë.
Valeriana
Njësoj si në rastin e kamomilit, bima e valerianës është përdorur prej mijëra vitesh kundër pagjumësisë dhe ankthit. Ajo ka tendencën të ofrojë qetësim shumë të shpejtë dhe ardhjen e gjumit sa hap e mbyll sytë. Shkencëtarët besojnë se valeriana rrit nivelet e acidit gamma aminobutyric në tru dhe e mban atë të qetë Sidoqoftë kjo bimë nuk është ideale për përdorim afatgjatë kundër pagjumësisë.
Lulja e pasionit apo lule sahati
Në fillimet e saj, Lulja e Pasionit apo Lule Sahati është përdorur për të trajtuar histerinë dhe nervozizmin. Ekspertët shpjegojnë se kjo lule rrit nivelet e acidit gamma aminobutyric në tru dhe rrit ndjesinë e qetësisë. Studimet kanë treguar se pacientët që kanë marrë suplementë të lules përpara ndërhyrjes kirurgjikale kishin më pak ankth dhe zgjoheshin më qetë nga anestezia.
Receta e duhur për një gjumë të qetë
Përbërësit:
200 ml qumësht
1 lugë çaji me mjaltë
1 pikë ekstrakt vaniljeje
Udhëzimet:
Ngroheni qumështin në një tenxhere dhe përpara se të marrë valë hidheni në filxhan. Më pas shtoni vaniljen dhe mjaltin. Përziejeni mirë dhe pijeni ngadalë përpara se të shtriheni për të fjetur. Me këtë kurë, mendohet se pagjumësia nis e nuk bëhet më problem. Madje mund t’ja ndjeni efektin që në filxhanin e parë. Suksesi i kësaj kure, sipas informacioneve i atribuohet përbërësve të saj të mrekullueshëm, të cilët lehtësojnë ardhjen e gjumit dhe e ndihmojnë trupin të qetësohet. /AgroWeb