Kush tha se për t’u zgjuar gjatë operacionit është e vështirë?!
A keni menduar ndonjëherë teksa prisni që një person që është brenda sallës së operacionit, të zgjohet para kohe? Duket mjaft e vështirë, por në fakt është shumë më e lehtë nga sa e mendonim.
Një studim i publikuar së fundi nga revista shkencore “Anesthesiology” ka zbuluar se njerëzit nuk janë plotësisht të pavetëdijshëm kur ndodhen nën efektin e anestezisë.
Ndjesia është e ngjashme me gjendjen e gjumit thotë studimi i shkencëtarëve të Universitetit të Turkut në Finlandë.
Gjatë hulumtimit u studiua ndryshimi i trurit te 47 persona kur ata ishin në anestezi të përgjithshme. U zbulua se një zhurmë e madhe mund t’i kthente njerëzit në vetëdije të plotë. Plot 42 % e personave u zgjuan nga ngacmimi.
“Gjendja e ndërgjegjes së shkaktuar nga anestezia mund të jetë e ngjashme me gjumin natyral. Teksa ndodhen në gjumë, truri i njerëzve vëzhgon ngjarjet përreth dhe ndjen stimujt”, tha një prej hulumtuesve Antti Revunsuo.
Ai tha se disa nga pjesëmarrësit në studim ishin në gjendje madje të kujtonin edhe pjesë nga operacioni, edhe pse i kishin si në tym. Por, kur u zgjuan, nuk mbanin mend tamam se çfarë kishte ndodhur.