Ky tren i pazakontë lëvizte nëpër Shqipëri në 1916-ën
Në vitin 1916, ky tip treni kalonte në territorin shqiptar, i nisur nga Mali i Zi, për të përshkuar disa qytete tonat si Shkodra, Durrësi, Rrogozhina, Elbasani dhe Berati.
Ky tip njihet si Felbani (Feldbahni, nga gjermanishtja), tren fushor me shina të ngushta, sjellë nga ushtria austro-hungareze, si një risi e pazakontë për vendin tonë.
Lokomotiva tërheqëse ishte e standardeve të kohës që i përngjet atij lloji që përdornin minierat. Vagonët ishin për mallra dhe pasagjerë. Shinat ishin në përmasa deri në 2 m dhe me peshë sa mbaheshin pa vështirësi nga një person, ato lidheshin njëra me tjetrën me pjastra hekuri dhe bullona dhe fiksoheshin në traversat e drurit. Siç duket edhe në foto, vagonët janë plotësisht të hapur.
Shpesh këto i gjejmë si mbulesa për dyer-dritare të përdorura më shumë në banesat e asaj kohe në lagjen “Murat Çelepi” të Beratit, që e kishte dhe më afër hekurudhën.
Në Berat arrinte deri tek Arrët e Bimbashit pranë shtëpive të hanko Vanës (pranë digës, më poshtë Urës së Goricës), ku ishte dhe stacioni i teleferikut që shkonte deri në Gllavë. Felbani vazhdonte më tej drejt Grykës së Gjorovenit. Kalimi i lumit bëhej me pilota hekuri të ngulura me rrahje.
Të dhëna për këtë hekurudhë, përveç dëshmitarëve që e kanë jetuar, është dhe studiuesja franceze Odet Daniel, e cila ka shkruar për qytetet shqiptare, ku ndër to flet për Beratin dhe felbanin e ndërtuar nga austriakët. Kjo përjetësohet dhe në këngët e asaj kohe në Berat:
“T’u thefshin rrotat, o i shkretë felban,
Na i more gocat, na i çove në Elbasan…”.