Lulja 40 milionë vjeçare e varrosur në qelibar, është lulja më e madhe e fosilizuar e gjetur ndonjëherë
Shkencëtarët kanë identifikuar zyrtarisht lulen më të madhe të fosilizuar të gjetur ndonjëherë në qelibar, një ekzemplar pothuajse 40 milionë vjeçar, i ruajtur me një përpikmëri mahnitëse në rrëshirën e ngurtësuar të pyjeve parahistorike. Studimi, i botuar në revistën Scientific Reports, i jep fund një enigme shkencore që kishte zgjatur më shumë se një shekull e gjysmë dhe hap një dritare të re në klimën dhe biodiversitetin e Tokës së lashtë.
Lulja, me një diametër rreth 28 milimetra, është trefishi i madhësisë së çdo lulëzimi tjetër të njohur të ruajtur në qelibar. Ajo daton në Eocenin e vonë (rreth 38–33.9 milionë vjet më parë), një periudhë kur Evropa Veriore nuk ishte një tokë e ftohtë si sot, por një hapësirë pyjore subtropikale, e pasur me lagështi, biodiversitet dhe cikle sezonale të lulëzimit.
Ironikisht, kjo mrekulli botanike nuk është një zbulim i ri. Ajo u gjet që në vitin 1872 në pyjet baltike dhe për dekada u klasifikua si “Stewartia kowalewskii”, një specie e zhdukur me gjelbërim të përhershëm. Më pas u depozitua në Muzeun e Historisë Natyrore në Berlin, ku qëndroi për rreth 150 vjet, duke u shndërruar nga një objekt ekspozimi në një enigmë shkencore. Dyshimet për identitetin e saj të vërtetë nuk pushuan kurrë.
Zgjidhja erdhi përmes mikroskopit. Studiuesit analizuan me kujdes anatominë e lules dhe, mbi të gjitha, kokrrizat e polenit të ruajtura brenda qelibarit. Ky “arkiv mikroskopik” biologjik dëshmoi se lulja nuk i përkiste as gjinisë Stewartia. Ajo ishte pjesë e gjinisë Symplocos, një grup shkurresh dhe pemësh të vogla me lule, që sot gjenden kryesisht në Azinë Lindore dhe janë zhdukur plotësisht nga Evropa.
Ky riklasifikim nuk është thjesht një korrigjim taksonomik. Ai ndryshon mënyrën se si shkencëtarët e kuptojnë ekosistemin e ashtuquajtur “pylli i qelibarit të Balltikut”. Prania e Symplocos tregon se këto pyje kishin një strukturë florale shumë më të larmishme dhe një klimë dukshëm më të ngrohtë dhe më të lagësht sesa ajo që ka karakterizuar Evropën në miliona vitet e fundit.
Siç thekson Eva-Maria Sadowski, studiuese postdoktorale në Muzeun e Historisë Natyrore në Berlin, bimët e ruajtura në qelibar janë më të rralla se insektet, por vlera e tyre shkencore është e jashtëzakonshme. Ato ruajnë jo vetëm formën, por edhe detaje mikroskopike që zakonisht humbasin në fosilizimet klasike, duke u shndërruar në kapsula kohe për paleobotanikën.
Në këtë kuptim, edhe kokrrizat e polenit marrin një dimension filozofik. Regan Dunn, paleobotanist dhe ndihmës kurator në Muzeun La Brea Tar Pits në Kaliforni, i përshkruan ato si “regjistrues natyrorë të klimave dhe ekosistemeve të kaluara”. Përmes tyre, shkenca mund të masë ndryshimet klimatike të shkaktuara nga proceset natyrore dhe, në kontrast, të kuptojë më qartë peshën e ndërhyrjes njerëzore në epokën moderne.
Kjo lule, e varrosur për miliona vjet në qelibar, nuk është thjesht një relike botanike. Ajo është një kujtesë e heshtur e një bote që ka ekzistuar, ka lulëzuar dhe është zhdukur pa gjurmë, përveçse në këto kristale të artë të kohës. Një pranverë e lashtë, e ngrirë përgjithmonë, që sot na flet jo vetëm për të shkuarën e Tokës, por edhe për të ardhmen e saj të brishtë.
Përgatiti: Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

