Lumenjtë janë të mbushur me kokainë, studiuesit japin alarmin
Ujërat e planetit Tokë janë të mbushura me drogëra të ndryshme, ilaçe që merren me recetë, antibiotikë e deri tek ilaçet e paligjshme si kokaina. Megjithatë një studim i fundit i Science Of The Total Environment tregon se sa të dëmshme mund të jenë këto substanca për peshqit dhe mbarë faunën.
Michael Marshall ka raportuar për New Scientist se hulumtuesit në Itali kanë gjetur sasi kokaine në ujë dhe kjo mund t’i bëjë ngjalat hiperaktive dhe t’u shkaktojë dëme të konsiderueshme në muskuj.
Gjetjet janë shqetësuese, sepse ngjalat e egra europiane po rrezikohen në mënyrë serioze, e ardhmja e tyre është kompromentuar nga faktorë si prishja e habitatit natyror, ndërhyrja në digë, ndotja dhe peshkimi i tepërt.
Studiuesit fillimisht morën 150 ngjala nga lumenjtë e Europës dhe i ndanë në enë të ndryshme, ku disa prej tyre mbanin sasi të vogla të kokainës, 20 nanogramë për litër, që korrespondon me sasinë e gjetur në ujërat natyrorë.
Ngjalat u mbajtën në enën me kokainë për 50 ditë dhe pastaj u lanë për 10 ditë në ujë normal për rehabilitim.
Në fund të eksperimentit krijesat fatkeqe u vranë dhe u shpërndanë për analizë të mëtejshme.
Rezultatet treguan se ngjalat e ekspozuara ndaj kokainës pësuan një mori efektesh negative shëndetësore dhe kjo është edhe arsyeja kryesore pse ato nuk mund të hidheshin më në lumenj.
Sipas studiuesve u morën pikërisht ngjalat, sepse ato janë ndër peshqit që kanë më shumë yndyrë, e cila favorizon akumulimin e substancave të tilla, por këtë problem mund ta vuajnë të gjitha gjallesat nënujore.
Dhe, siç thonë autorët e studimit, drogat në ujë potencialisht mund të kenë implikime negative për njerëzit. Është e mundur që njerëzit që hanë peshqit europianë mund të konsumojnë pa dashje edhe kokainë.