Miss Dhia, konkursi i çuditshëm në një fshat të Lituanisë

Në fshatin lituanez, Ramygala është mbajtur një garë bukurie, por me një dallim të madh nga konkurset e tjera, pasi fshatarët përzgjodhën e kurorëzuan dhinë më të bukur. Në këtë ngjarje morën pjesë shumë persona, ndërsa kjo ishte gara e bukurisë e 6-ta me radhë e fshati njëkohësisht shënoi edhe 645-vjetorin e themelimit. “Këtë vit në fshatin tonë jemi duke e mbajtur garën e gjashtë me radhë të përzgjedhjes së dhisë më të bukur. Këtë ngjarje e quajmë Parada e Dhive. Gjatë kësaj gare ne përzgjedhim më të bukuren mes këtyre kafshëve e cila natyrisht se kurorëzohet”, tha organizatorja e ngjarjes, Loreta Kulubien. Shikuesit ndërkaq vlerësonin se cila kafshë është më e mira. “Natyrisht më pëlqen kjo garë. Unë personalisht kam shumë dhi”, tha një fermere, Alma. “Meqë ka garë bukurie për vajzat, përse të mos ketë edhe për dhi. Madje kjo garë më duket shumë interesante”, tha një tjetër banor. Vetëm 7 dhi ia dolën të kualifikohen për garën e bukurisë e vetëm njëra prej tyre mori titullin prestigjioz të më të bukurës së fshatit. Marce ishte dhia e bukur e zezë, e cila u shpall fituese dhe e bëri shumë krenare pronaren e saj. “Nuk ishte e vështirë të përgatitemi për garë. Dhia Marce, bën gjithçka në shtëpi. Unë e lirova megjithatë nga punët e shtëpisë kështu që ajo tani vetëm vallëzon”, tha pronarja Saverija Dobrovolskiene. Dhia tashmë me vite është simbol i fshatit, madje që nga epoka mesjetare, pohojnë njohësit, ndërsa kafsha vlerësohet maksimalisht nga banorët lokalë.

SHKARKO APP