Misteri i identitetit të fëmijës me fanellën e Messi-t, bërë me qese plastike

Pak ditë më parë një foto me shpinë e fëmijës, që mbante veshur fanellën e idhullit të tij, Lionel Messi të cilën e kishte vizatuar në një qese plastike emocionoi gjithë frekuentuesit e rrjeteve sociale. Pikërisht ky imazh ka mbërritur edhe tek ylli i futbollit, Lionel Messi, i cili ka kërkuar fëmijën për t’i dhuruar bluzën e tij origjinale. Sot, sipas një raporti të BBC, fëmija është gjetur dhe është “jashtëzakonisht i lumtur që është bërë i famshëm”, ka rrëfyer babai i tij.

Ai që ka zbuluar identitetin e fëmijës ka qenë xhaxhai i tij, Azim Ahmadi, afgan, banues në Australi, i cili ka dërguar disa fotografi të nipit të tij në redaksinë e BBC-së dhe që i vuri në kontakt me vëllain e tij, Arif. Ky i fundit konfirmoi se është djali i tij ai që njerëzit po kërkojnë nëpër ëebsite prej një jave.

“I vogli im e do çmendurisht Messin dhe futbollin”, ka thënë Arif. “Unë jam një fshatar i thjeshtë, është e pamundur për ne që t’i blejmë një T-shirt origjinale e pas kësaj ai vendosi të përdorte një qese duke shënuar numrin dhe emrin e lojtarit të tij të preferuar mbi të.

Burri, i cili jeton me familjen e tij në rrethin e Jaghori-t në krahinën e Ghazni (Afganistan), gjithashtu shtoi se edhe në foto e kishte nxjerrë djali i tij i madh, i cili më pas e ka postuar në Facebook. Fill pas kësaj kanë vërshuar komentet dhe fotoja kishte mbërritur edhe tek adresat e njerëzve të famshëm në botë.

Babai gjithashtu tha se Murtaza, (emri i fëmijës) e mori vesh famën e fotos nga disa miq, të cilët kanë internet dhe në atë moment ndjehej shumë i kënaqur që ishte bërë i famshëm. Tani Murtaza ka një dëshirë të madhe për të takuar idhullin e tij, Lionel Messin.

 

“Scoop-i” fals i televizionit kurd

Pasi tani duket e sigurtë, që fëmija në foto është me të vërtetë Murtaza, kjo do të provojë gabimin e televizionit kurd, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi se kishte gjetur tifozin e Messit në Irak, konkretisht në Dohuk, një vend ku nga fillimi ata kishin përqendruar kërkimet. Një gabim shumë i madh ky, raporton Tg.com, i cili duket se ishte shpërndarë nga një student suedez, qëllimi i të cilit ishte të vinte në qendër të vëmendjes qytetin e origjinës së familjes së tij, Dohuk.

 

(Përktheu: A. Gjergji.)

SHKARKO APP