NASA: Një asteroid do të kalojë sot pranë tokës. Nuk përbën kërcënim për planetin
Një asteroid me një gjerësi prej më shumë se dy kilometra do të kalojë pranë tokës të mërkurën. Shkencëtarët me agjencinë amerikane të hapësirës, NASA, thonë se objekti qiellor nuk përbën kërcënim për planetin.
Asteroidi njihet si 1998 OR2, i emëruar për vitin kur u zbulua. Objekti do të kalojë në një distancë prej 6.3 milion kilometra larg Tokës që është rreth 16 herë sa distanca mes Tokës dhe hënës.
NASA thotë se në bazë të standardeve astronomike, kjo distancë e klasifikon asteroidin si objekt pranë tokës dhe ja vlen të shikohet.
Agjencia e hapësirës i konsideron objektet që kalojnë në perimetrin prej 48 milion kilometrash të planetit tonë si objekte afër tokës. NASA ka një zyrë të posaçme për koordinimin e mbrojtjes së planetit, e cila gjurmon objekte të tilla dhe trajektorën e tyre në hapësirë.
Zyrtari i lartë në NASA, që studion objektet pranë tokës, Paul Chodas thotë në faqen zyrtare të agjencisë se ata besojnë se kanë zbuluar dhe gjurmuar rreth 90 përqind të objekteve pranë tokës që kanë të paktën një kilometër gjerësi dhe mund të përbëjnë kërcënim për planetin tonë.
Ai thotë se asnjë prej këtyre objekteve hapësinore nuk përbën kërcënim domethënës për tokën. Zyrtari i lartë me agjencinë e hapësirës, Lindley Johnson,thotë se çdo objekt që rrezikon tokën, i një madhësie për të bërë dëme të konsiderueshme, është jashtëzakonisht i rallë, por i pashmangëshëm.
Shkencëtarët thonë se nëse identifikohet një objekt i tillë, ata kanë plane të ndryshme për mbrojtjen e hershme, në varësi të kohës. Ndër këto plane janë edhe përdorimi i anijeve hapësinore për të ndryshuar me sukses kursin e objektit larg tokës dhe nëse nuk premton koha, përdorimi i armëve bërthamore për ta coptuar apo shkatërruar objektin hapësinor./VOA