Në kopshtin e kësaj familjeje ka rënë një meteor

Në kopshtin e pasëm të një shtëpie në Holandë, shkencëtarët i ka entuziazmuar zbulimi i një meteori 500 gramësh.

Ata janë të bindur se guri hapësinor do të ndihmojë të hidhet dritë mbi origjinën e sistemit tonë diellor.

Në një deklaratë të saj, Qendra e Biodiversitetit Natyror në Leiden njoftoi se, disa persona në Holandë e Belgjikë e kishin parë më 11 janar një lëmsh zjarri të fluturojë mbi qytetin holandez Broek. Ky është meteori i 6 i zbuluar në Holandë gjatë dy shekujve.

“Nëse shikon brenda tij, ka disa si sfera të vogla, që vijnë nga kohët më të hershme të kondesimit të nebulozës yjore, kur sistemi diellor ishte në fillesat e tij. Mund të na rrëfejë diçka mbi fillesat e këtij sistemi. Është fantastike të mendosh që në kopshtin tënd ke një gur, i cili mund të jetë 4.5 miliardë vjeçar”, tha Leo Kriegsman, gjeolog.

“Në të kemi gjetur 12 lloje të ndryshme mineralesh, por as edhe një pikë të vetme uji. Është shumë, shumë i thatë, e kjo reflekton temperaturat e larta nëpër të cilat ka kaluar”, tha më tej Leo Kriegsman.

Meteorët janë shumë të veçantë, – shpjegon eksperti, – sepse rrëfejnë atë pjesë të historisë së planetit që ne nuk e themi dot vet.

“Jemi gjeologë, – shprehet ai, – lëvizim në terren, ku mund të gjejmë gurë të moshave të ndryshme, por na mungojnë të dhëna mbi 200-300 milionë vitet e para të Tokës. Këto informacione mund të na i ofrojnë vetëm meteorët, sepse ata janë objektet më të hershme që kemi mundur të zbulojmë, ndaj kur gjejmë një të tillë jemi shumë të lumtur” sipas TCH.

Objekti qiellor kishte goditur në rënie strehën e një hangari, por pa shkaktuar asnjë lëndim. Kërkuesit besojnë se ai ka qenë fillimisht pjesë e një brezi asteroidësh të ndodhur mes orbitave të Marsit e Jupiterit.

SHKARKO APP