Në mëngjes apo në mbrëmje? Kur duhet të dilni për vrap

Me kalimin e viteve metabolizmi ngadalësohet dhe përpjekjet për të qëndruar në formë bëhen gjithnjë e më të vështira. Por këto përpjekje kanë nevojë për një aleat, dhe ajo është koha.

Gjatë ditës, ka momente kur ndiheni plot energji, dhe ka çaste të tjera kur ndiheni të këputur. Edhe nëse ndiheni “buf nate” ose preferoni të zgjoheni herët, vrapi është një aktivitet i cili mund t’ju japë një sërë përfitimesh.

Arsyet për të vrapuar janë të ndryshme, duke nisur nga rënia në peshë, mirëqenia fizike dhe mendore. Cilado qoftë arsyeja përse dëshironi të vraponi, çelësi i suksesit është vazhdimësia.

Është e rëndësishme të zgjidhni kohën e duhur dhe bindjuni verbërisht këtij plani.

Cila është periudha më e mirë për të bërë vrap?

Avantazhet e vrapit të mëngjesit:
E mira e të vrapuarit në mëngjes është që mund të përfundosh së vrapuari dhe më pas të vazhdosh me programin e ditës. Kjo do t’ju bëjë të ndjeheni mirë për faktin që keni mbaruar së ushtruari dhe keni përfituar energji dhe të mira për trupin.

Së dyti, mëngjesi mund të jetë e vetmja kohë e ditës kur mund t’ia lejosh vetes këtë aktivitet të rëndësishëm fizik.

Së treti, endorfina dhe adrenalina që vërshojnë në organizëm pas vrapit janë gjallëruese për organizmin. Çlirimi i tyre rikthen humorin dhe janë përcaktuese për vazhdimësinë e mirë të ditës. Një vrap në mëngjes nuk të bën dëm, përkundrazi përbën një fillim të mirë të ditës.

Disavantazhet e vrapit të mëngjesit :
Pas vrapit, ndoshta mund të ndiheni të lodhur, të përgjumur dhe të shkëputur nga aktivitetet e tjera të planifikuara gjatë ditës.

Për të vrapuar duhet të zgjoheni herët në mëngjes që t’i vendosni gjërat në vijë. Por nëse jeni nga ata tipat që flenë natën vonë, atëherë ky zgjim do të jetë thuajse i pamundur për ju.

Të paktë janë ata që u pëlqen të hanë herët në mëngjes, por vrapi kërkon energji dhe energjia merret nëpërmjet ushqimit. Mungesa e saj ndikon në intensitetin e këtij aktiviteti fizik.

Avantazhet e të vrapuarit në mbrëmje:
Nëse vraponi në mbrëmje ose pasdite, do të thotë se nuk keni bërë kompromise me gjumin.

Me siguri keni ngrënë të paktën 2 ose 3 vakte kryesore dhe 1 ose 2 vakte të ndërmjetme dhe jeni furnizuar me energji të nevojshme për një vrap të plotë.

Keni qenë në lëvizje gjatë gjithë ditës, ndaj trupi është i ngrohtë, aktiv dhe fleksibël. Në këtë mënyrë mënjanoni rrezikun e lëndimeve, kontraktimeve ose tërheqjeve muskulare dhe dhimbjeve shoqëruese.

Disavantazhet e të vrapuarit në mbrëmje:
Aktivitetet që përfshijnë familjen ose punën mund të mos jua mundësojnë vrapin në mbrëmje. Kur punoni deri vonë, ose duhet të kujdeseni për familjen, vrapi është gjëja e fundit që dëshironi të bëni. Me kalimin e orëve, bie gjallëria dhe motivimi dhe shtrati është i vetmi, thirrjen e të cilit e dëgjoni qartë dhe fort.

Në varësi të profesionit, lodhja në fund të ditës është shumë e madhe dhe aftësia fizike shumë e ulët.

Nëse nuk ju pëlqejnë makineritë e vrapit, vrapi gjatë mbrëmjes është një aktivitet fizik sfidues. Mund të detyroheni të vraponi në rrugë të pandriçuara mirë ose në rastin më të keq, me puseta të hapura.

SHKARKO APP