Njeriu më i pasur i Britanisë, një ukrainas

Në Britaninë e Madhe rezulton se më i pasur është një miliarder i lindur në Ukrainë, Len Blavatnik. Pikërisht ky person figuron në krye të listës së më të pasurve, të botuar të dielën nga gazeta prestigjioze “The Sunday Times” e Londrës.

Me investime në muzikë, media dhe industri, Blavatnik ka një pasuri prej 13.17 miliardë sterlinash ç’ka me rrogën mesatare të britanikëve në 25 mijë sterlina në vit, një personi do t’i duhej rreth 527 mijë vjet të barazohet me pasurinë e 57-vjeçarit ukrainas.
Rritja e vlerës në bursa, ka bërë që të dyfishohet pasuria kolektive e super të pasurve që nga koha e krizës ekonomike të vitit 2009.
1000 më të pasurit që jetojnë në Britani tani kanë një pasuri prej 547 miliardë sterlinash, një rritje prej 112 për qind që nga viti 2009.
Britania ka 117 miliarderë në sterlina, më shumë se çdo vend tjetër me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, ndërkohë që Londra ka 80 miliarderë, më shumë se çdo kryeqytet tjetër në botë.

Ndërkohë, Mbretëresha Elisabet për herë të parë në histori bie poshtë 300 më të pasurve të vendit me një pasuri në 340 milionë sterlina.
Kjo listë ka gjasa të përdoret për qëllime politike dy javë përpara zgjedhjeve të 7 majit. Opozita e akuzon Cameron se është në favor të të pasurve në kurriz të të varfërve, ndërkaq që kryeministri e hedh poshtë këtë akuzë. Por hendeku mes të pasurve dhe shumicës së britanikëve, standardi i jetës së të cilëve vetëm së fundi ka filluar të shkojë atje ku ka qenë, është një çështje që mund të ndikojë në fushatën elektorale. /

SHKARKO APP