Njihuni me familjen shqiptare që jeton me kopenë e ujqërve (VIDEO)
Ujqërit janë krijesa, të cilat shumë njerëz i kanë frikë, por frika ndaj tyre nuk ekziston për familjen Ismaili nga Tetova. Aleko, Lupo dhe Luna, janë anëtarë të barabartë të familjes Ismaili nga Tetova, e cila frikën nga kjo kafshë e egër, e zëvendësoi me dashuri.
Kryefamiljari Fadili thotë se tre ujqit, janë zbutur vetëm nga respekti që familja u tregoi këtyre kafshëve. Ka dy vite që ai kujdeset dhe i trajnon ujqit, në fshatin Leshkë.
Fadili rrëfen për “Televizionin 21”, për lidhjen e veçantë që ndërtoi me këto kafshë. “Unë e di se çfarë duan, që të më japin respekt e unë jua jap respektin. Do të thotë se kemi respekt reciprok. Vetëm i kam trajnuar. Mirëpo trajnimi im ka qenë trajnim familjar.
Mua më dhimbsen, unë nuk dua ta shohë fëmijën tim duke u përlarë, por tani janë të buta si kafshe. Unë i dua. I ruaj për merak, qejf dhe dashuri”, thotë Ismaili.
Ai shton se ujqit e tij janë të trajnuar mirë dhe se kanë shumë dallim me ujqit e malit.
Madje tregon se gjatë trajnimit, ai i shpërblen ujqit me ushqim dhe kështu ndërton raportin e zotuesit dhe kafshës.
Fadili thotë se asnjëherë nuk ua ka matur forcat ujqve me kafshë tjera, apo me llojin e tyre dhe se nuk e ka ndërmend ta bëjë këtë gjë.
Zonja e shtëpisë Hasije Ismaili, thotë se e kishte të vështirë “miqësimin” me ujqit, kur ato i solli bashkëshorti i saj në shtëpi.
Por, me kalimin e kohës, thotë ta ketë tejkaluar frikën. Dhe, pas dy vitesh, ajo tani kujdeset për ushqimin e ujqve.
“Në fillim unë u frikësosha. Nuk kisha besim sepse janë race ujqërish agresivë, por me keto eshte krejt e kundërta ishte. Sallam dhe kocka ju ziejmë sepse thonë se prej gjakut bëhen agresivë. Shtriheshin nëpër kaçuba ne fillim .
Na i ledhatonim. Po ata e ndjejnë edhe dashurinë tone, andaj sillen shumë mirë”, tha Hasije Ismaili, Zonja e shtëpisë.
Dashuri të madhe për ujqit ka edhe nipi i familjes Ismaili, Aldini Sadiki. Ai ka ardhur nga Tetova për pushime tëk familja Ismaili vetëm për të bërë qejf me ujqit.
“Kur i japim ushqim nuk duhet t’ia heqim dorën sepse mund të të gërvishtë. Kur luajmë nuk duhet të frikësohemi pasi ata nuk të kafshojnë. Vetëm se duan të luajnë”, tha Sadiki.
I zoti i shtëpisë, Fadili planifikon “ta zgjerojë” familjen e ujqerve, për së paku dy të tjerë. Fadili në fillim kishte blerë dy ujqer e me pas i shumoi. Për fat të keq, para dy muajve, humbi ujkonjën si pasojë e disa njerëzve të papërgjegjshëm sipas tij, që ia vranë.