NYT: Pallati i Erdoganit, 30 herë më i madh se Shtëpia e Bardhë
Nuk ka të ndalur konflikti mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe medias në prag të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në shtetin e madh euroaziatik.
Këtë herë është hedhur sërish në sulm gazeta amerikane ”New York Times”, që prej ditësh e ka në shënjestër presidentin turk me akuzën për ndërhyrje në politikën turke, të papara që nga koha e Perandorisë Otomane.
E përditshmja e njohur amerikane ka bërë një tweet që ka në shënjestër rezidencën faraonike të ndërtuar nga Erdogani në Ankara.
“Cili lider ka një pallat me 1 150 dhoma dhe 30 herë më të madh se Shtëpia e Bardhë?”, thuhet në postim.
Një postim që i shtohet një artikulli me titullin “Zgjedhjet në Turqi janë një referendum për Erdoganin”, ku gazeta kujton momentet më kontroverse të politikës së tij, që nga përpjekja për të bërë të heshtin armiqtë e tij politikë deri te demonizimi i medias sociale, që nga kritikat kundër shtypit deri te represioni.
Gjatë ditëve të kaluara, gazeta ”New York Times” u kishte bërë një apel qeverive të NATO-s për të ushtruar presion mbi Erdoganin që ai të hiqte dorë nga kjo linjë destruktive.