Prej vitesh lypës në semafor, 60-vjeçari fiton premion e jetës me një gërvishje

Një 60-vjeçar nga Jesi (Ankona), i papunë prej disa vitesh, dhe që jetesën e tij e siguronte duke lypur në semaforët e një prej kryqëzimeve më të popullura, i ka rënë bingoja e jetës.

Ai u bë fitues i 300 mijë eurove me një biletë gërvishëse prej 5 eurosh më 16 gusht, por vetëm tani i ka marrë paratë.

Biletën e kishte blerë në një tabakino dhe në shenjë mirënjohje ai u paraqit te shitësi me një çek të madh.

Titian, ky është emri i fituesit, e humbi punën e tij disa vjet më parë në një kompani pastrimi ku ishte i punësuar dhe tani jeton me nënën e tij të moshuar në një zonë të populluar të qytetit.

Ai është mjaft popullor në zonë dhe njihet nga të gjithë për mirësinë e tij dhe gjithashtu për gatishmërinë e tij për të bërë punë të vogla.

Para se të fitonte biletën gërvishtëse, ai ishte paksa si nuskë e shoferëve: duke pritur jeshilen në semafor, ai hidhte kapelën e tij të verdhë në ajër dhe e merrte përsëri duke pritur që ndonjë nga shoferët të hidhte ndonjë qindarkë.

Me procedurat për tërheqjen e çmimit të madh e ndihmuan punonjësit e bankës dhe ai në shenjë mirënjohje i ftoi të gjithë për darkë.

Pronari i Tabaccheria delle Logge në rrugën Verdi tha se “ai ishte i pasigurt nëse do të blinte një makinë, por më pas zgjodhi një biçikletë të bukur sepse i pëlqente të ndihej i lirë”.

Ndërkohë Titian hoqi mjekrën dhe shkurtoi flokët e tij të gjatë, një pamje me të cilën ai ishte bërë i njohur në të gjithë qytetin.

SHKARKO APP