Pret të dashurën në të njëjtin vend për 10 ditë, bëhet për spital
Një burrë që fluturoi nga Holanda në Kinë që të takohet me një femër që u njoh online ka përfunduar në spital, pasi kaloi dhjetë ditë në të njëjtin vend, duke pritur të dashurën që të shfaqet. Holandezi Alexander Pieter Cirk, 41-vjeçar, ka kërkuar trajtim mjekësor për lodhjen fizike pas pritjes epike në aeroportin Changsha në provincën Hunan të Kinës. Cirk dy muajt e fundit kishte biseduar online me Zhangun, 26 vjeç, para se të vendoste që të vizitonte të dashurën e tij. Sidoqoftë, kur ai arriti në aeroport, aty nuk ishte askush për ta pritur, por vendosi që ai të priste të dashurën, e cila nuk u shfaq kurrë. Pas dhjetë ditësh të kaluara në Kinë, Cirk vendosi të kthehej në Holandë pa e takuar asnjëherë Zhangun. Zhangu në një intervistë për televizionin lokal, ka thënë se nuk priste që i dashuri i saj online të shfaqej në jetën e përditshme. “Ne po avanconim në lidhjen tonë, por gjithçka ndodhi shpejt. Një ditë ai më dërgoi fotografi të biletës dhe mendoja se po bënte shaka. Pas kësaj ai nuk kontaktoi më”, ka thënë Zhang, e cila në kohën e arritjes së tij në aeroport ndodhej jashtë qytetit. Ajo është e vendosur që lidhja të vazhdojë edhe pse i dashuri është kthyer në Holandë.