Pse Argjentina u shndërrua në një parajsë për kriminelët nazistë të Luftës së Dytë Botërore

Nga Christopher Minster

Pas Luftës së Dytë Botërore, mijëra nazistë dhe bashkëpunëtorë të luftës nga Franca, Kroacia, Belgjika dhe pjesë të tjera të Evropës, po kërkonin një shtëpi të re për veten:mundësisht sa më larg që ishte e mundur nga Gjyqet e Nurembergut. Argjentina mirëpriti qindra, në mos mijëra prej tyre.

Regjimi i Huan Domingo Peron, dërgoi madje agjentët e tij në Evropë, për të lehtësuar udhëtimin e nazistëve drejt Argjentinës, duke u siguruar atyre dokumente udhëtimi të falsifikuara, dhe në shumë raste duke ua mbuluar shpenzimet. Edhe të akuzuarit për krimet më makabre, si Ante Paveliç (regjimi kroat i të cilit vrau qindra mijëra serbë, hebrenj dhe ciganë), dr.Jozef Mengele (përgjegjës për eksperimentet e tij mizore me fëmijët hebrenj) dhe Adolf Ajhman (arkitekti i Holokaustit), u pritën krahëhapur. E gjitha kjo ngre pyetjen:Por pse Argjentia i donte këta njerëz? Përgjigja mund t’ju befasojë.

Argjentinasit e rëndësishëm, ishin simpatizantë të nazizmit

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Argjentina mbështeti forcat e Boshtit, për shkak të lidhjeve të ngushta kulturore me Gjermaninë, Spanjën dhe Italinë. Dhe kjo nuk është diçka e habitshme, pasi shumica e argjentinasve ishin me prejardhje spanjolle, italiane ose gjermane.

Gjermania naziste e ushqeu këtë simpati, duke u premtuar lëshime të mëdha tregtare pas luftës. Argjentina ishte e mbushur me spiunë nazistë, ndërsa oficerë dhe diplomatë argjentinas mbanin pozicione të rëndësishme në vendet e Boshtit. Qeveria e Peron, ishte një fanse e madhe e paradave të Gjermanisë naziste.

Shumë argentinas me ndikim, përfshirë edhe biznesmenë të pasur dhe anëtarë të qeverisë, ishin hapur përkrahës Boshtit, mes tyre edhe vetë Peron, që kishte shërbyer si një oficer plotësues në ushtrinë italiane të Benito Musolinit në fund të viteve 1930. Megjithëse Argjentina do t’i shpallte formalisht luftë fuqive të Boshtit (një muaj para fundit të luftës), ai akt ishte pjesërisht një mashtrim për të ndihmuar në shpëtimin e nazistëve pas luftës.

Stimuli financiar

Për pranimin dhe strehimin e nazistëve, pati edhe shumë stimuj financiarë për Argjentinën. Gjermanët e pasur dhe biznesmenët argjentinas me prejardhje gjermane, ishin të gatshëm t’u paguanin rrugën nazistëve që arratiseshin. Udhëheqësit nazistë, plaçkitën miliona sende me

vlerë hebrenjve, dhe shumë prej atyre parave ata i morën me vete në Argjentinë.

Disa nga oficerët dhe bashkëpunëtorët më të zgjuar të nazistë, e panë se lufta po merrte tatëpjetën që nga viti 1943, dhe filluan të dërgonin në Zvicër arin, paratë, sendet me vlerë dhe pikturat e famshme. Ante Paveliç dhe këshilltarët më të ngushtë, u larguan me valixhet e mbushura me ar dhe sende të tjera të çmuara të vjedhura, nga viktimat e tyre hebrenj dhe serbë. Ato lehtësuan arratinë e tyre në Argjentinë. Ata madje i paguan oficerët britanikë, që t’i lejonin të arratiseshin përmes frontit të aleatëve.

Roli  i nazistëve në “Rrugën e Tretë” të Peronit

Në vitin 1945, ndërsa aleatët po spastronin mbetjet e fundit të trupave të Boshtit, ishte e qartë se konflikti i ardhshëm i madh, do të ishte ai midis SHBA-së kapitaliste dhe Bashkimit Sovjetik komunist. Disa njerëz, përfshirë Peronin dhe disa nga këshilltarët e tij, parashikonin se Lufta e Trete Botërore do të shpërthente në vitin 1948.

Në këtë konflikt “të pashmangshëm” të ardhshëm, palët e treta si Argjentina mund të vendosnin balancën. Peroni parashikonte se Argjentina do të kishte rolin e saj si një palë e tretë e rëndësishme diplomatike në luftë, duke dalë si një superfuqi dhe udhëheqëse e një rendi të ri botëror.

Kriminelët dhe bashkëpunëtorët e luftës naziste mund të kenë qenë kasapë, por s’ka dyshim se ata ishin antikomunistë. Peron mendonte se ata mund të ishin të dobishëm në konfliktin e “ardhshëm”, midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Por me kalimin e kohës, dhe ndërsa Lufta e Ftohtë kishte filluar, këta nazistë do të shiheshin si dinosaurë të etur për gjak.

Amerikanët dhe britanikët, nuk donin t’ja dorëzonin nazistët vendeve komuniste

Pas luftës, në Poloni, Jugosllavi dhe në pjesë të tjera të Evropës Lindore, u vendosën rregjimet komuniste. Ato kërkuan ekstradimin e shumë kriminelëve të luftës. Një pjesë e vogël e tyre, siç ishte gjenerali kroat Vladimir Kren, u ekstraduan, u gjykuan dhe u ekzekutuan me vdekje. Shumë të tjerë u lejuan të shkonin në Argjentinë, për shkak se aleatët nuk ishin të gatshëm t’i dorëzonin tek rivalët e tyre të rinj komunistë, ku me shumë gjasa do dënoheshin me vdekje.

Edhe Kisha Katolike, loboi shumë në favor të këtyre individëve, që nuk u riatdhesuan.

Trashëgimia e nazistëve të Argjentinës

Nazistët, patën shumë pak ndikim në Argjentinë. Argjentina nuk ishte vendi i vetëm në Amerikën e Jugut, që i pranoi nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Shumë prej tyre shkuan në Brazil, Kili, Paraguaji dhe pjesëve të tjera të kontinentit. Pasi u rrëzua qeveria e Peron në vitin 1955, shumë nazistët u larguan nga vendi nga frika se administrata e re mund t’i kthente në Evropë.

Shumica e nazistëve që shkuan në Argjentinë, jetuan gati të fshehur, duke pasur frikë pasojat nëse do të ishin shumë të dukshëm. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë pas vitit 1960, kur Adolf Ajhman, arkitekti i Holokaustitu rrëmbye në një rrugë të Buenos Airesit nga një grup agjentësh të Mosadit, dhe u çua në Izrael, ku u gjykua për krime lufte dhe u ekzekutua.

Kriminelët e tjerë, u kujdesën shumë që të mos gjendeshin. Jozef Mengele u mbyt aksidentalisht në Brazil në vitin 1979, teksa ishte kërkuar për dekada të tëra. Me kalimin e kohës, prania e kaq shumë kriminelëve të Luftës së Dytë Botërore u bë diçka e sikletshme për Argjentinën. Deri në vitet 1990, shumica e këtyre burrave të moshuar, jetuan me emrat e tyre të vërtetë.

Një pjesë e vogël e tyre u gjetën, dhe u kthyen në Evropë. Ndërkohë të tjerët, shumica të asimiluar në komunitetin e konsiderueshëm gjerman në Argjentinë, ishin aq të mençur sa të mos flisnin kurrë për të kaluarën e tyre. Disa prej tyre, ishin të suksesshëm në aspektin e financave, siç ishte Herbert Kuhlman, ish-komandant i Rinisë Hitleriane, që u bë një biznesmen i shquar.

ThoughtCo – Bota.al

SHKARKO APP