Raporti i Forumit Ekonomik: 43% e bizneseve në botë do të shkurtojnë punëtorë prej Covid-19

Raporti i Forumit Ekonomik Botëror për Punët e së Ardhmes 2020 vjen në një moment vendimtar për botën e punës. Raporti, tashmë në edicionin e tij të tretë, përshkruan vendet e punës dhe aftësitë e së ardhmes, duke ndjekur ritmin e ndryshimit bazuar në sondazhet e drejtuesëve të biznesit dhe strategëve të burimeve njerëzore nga e gjithë bota.

Këtë vit, synohet të hidhet dritë mbi efektin e ndërprerjeve të aktiviteteve ekonomike të lidhura me pandeminë, të vendosura në kontekstin më të gjerë të trendeve afatgjata të teknologjisë.

Raporti ka gjetur se fuqia punëtore po automatizohet më shpejt sesa pritej, duke zhvendosur 85 milion vende pune në pesë vitet e ardhshme. Automatizimi, së bashku me recesionin që shkaktoi COVID-19, po krijon një skenar “shkatërrues të dyfishtë” për punëtorët. Miratimi i teknologjisë nga kompanitë do të transformojë detyrat, vendet e punës dhe aftësitë deri në vitin 2025.

“Disa punë do të zhduken dhe të tjera do të shfaqen ndërsa bota përballet me një shkatërrim të dyfishtë.”

Rreth 43 përqind e bizneseve të anketuara tregojnë se ata janë të vendosur të zvogëlojnë fuqinë e tyre të punës për shkak të integrimit të teknologjisë, 41 përqind planifikojnë të zgjerojnë kontraktorët për punë të specializuar për detyrat, dhe 34 përqind planifikojnë të zgjerojnë fuqinë e tyre të punës si rezultat i integrimit të teknologjisë. Pesë vjet duke nisur nga tani, punëdhënësit do të ndajnë punën midis njerëzve dhe makinerive afërsisht në mënyrë të barabartë.

Revolucioni robotik do të krijojë 97 milion vende të reja pune. Ndërsa ekonomia dhe tregjet e punës evoluojnë, role të reja do të shfaqen në të gjithë ekonominë në fushat e teknologjisë (të tilla si inteligjenca artificiale – AI) dhe menaxhimi i mediave sociale dhe shkrimi i përmbajtjes. Profesionet në zhvillim pasqyrojnë kërkesën më të madhe për punë në ekonominë e gjelbër; rolet në krye të ekonomisë së të dhënave dhe Inteligjencës Artificiale; dhe role të reja në inxhinieri, llogaritjen në platfromën cloud dhe zhvillimin e produkteve. Punët e së ardhmes nxjerrin në pah rëndësinë e vazhdueshme të ndërveprimit njerëzor në ekonominë e re përmes roleve në ekonominë e kujdesit; në marketing, shitje dhe prodhim të përmbajtjes; dhe në role që varen nga aftësia për të punuar me lloje të ndryshme njerëzish me prejardhje të ndryshme.

Në vitin 2025, mendimi analitik, krijimtaria dhe fleksibiliteti do të jenë ndër aftësitë më të kërkuara. Punëdhënësit e shohin mendimin kritik, analizën dhe zgjidhjen e problemeve aftësi në rritje dhe me rëndësi në vitet e ardhshme, megjithëse këto janë cituar vazhdimisht në botimet e mëparshme të studimit. Teksa këtë vit po shfaqen aftësitë në vetë-menaxhim, të tilla si të mësuarit aktiv, qëndrueshmëria, toleranca ndaj stresit dhe fleksibiliteti. Të dhënat e disponueshme përmes partneritetit të matjeve me LinkedIn dhe Coursera lejuan të gjurmoheshin me imtësi llojet e aftësive të specializuara të nevojshme për punët e nesërme.

Bizneset më konkurruese do të përqendrohen në përmirësimin e aftësive të punëtorëve të tyre. Që punëtorët të vendosin të qëndrojnë në rolet e tyre gjatë pesë viteve të ardhshme, gati gjysma do të duhet të rikualifikohen për aftësitë e tyre thelbësore. Sondazhi gjithashtu zbuloi se sektori publik duhet të sigurojë mbështetje më të fortë për riaftësimin dhe përmirësimin e punëtorëve në rrezik. Aktualisht, vetëm 21 përqind e bizneseve raportojnë se janë në gjendje të përdorin fondet publike për të mbështetur punonjësit e tyre përmes iniciativave të rikualifikimit. Sektori publik duhet të sigurojë stimuj për investime në tregjet dhe vendet e punës të së nesërmes, të ofrojë rrjeta më të forta sigurie për punëtorët e zhvendosur gjatë tranzicioneve të vendeve të punës, dhe të trajtojë për të përmirësuar vonesat e arsimit dhe sistemeve të trajnimit.

Puna në distancë. Rreth 84 përqind e punëdhënësve janë të vendosur të dixhitalizojnë me shpejtësi proceset e punës, duke përfshirë një zgjerim të rëndësishëm të punës në distancë. Punëdhënësit thonë se ka potencial për të lëvizur 44 përqind të forcës së tyre të punës për të operuar në distancë. Megjithatë, 78 përqind e drejtuesve të biznesit presin ndikim negativ në produktivitetin e punëtorëve, dhe shumë biznese po ndërmarrin hapa për të ndihmuar punonjësit e tyre të përshtaten.

SHKARKO APP