Sa është jetëgjatësia e një kartëmonedhe në Shqipëri? Më pak se sa do të mendonit
Paraja është padyshim mjeti i cili do të kalojë në duart e mijëra njerëzve në një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Për çdo transaksion që bëhet jetëgjatësia e parasë ulet, pasi procesi i nxjerrjes nga një xhep dhe futjes në një arkë apo kuletë tjetër shkakton konsumim të materialit të saj.
A e keni pyetur ndonjëherë veten se sa është jetëgjatësia mesatare e një kartëmonedhe? Banka e Shqipërisë e ka shuar këtë kureshtje, duke dhënë disa shifra se sa mund të jetojë një 200 lekësh, një 1000 lekësh apo edhe një 5000 lekësh.
Në jetëgjatësinë e një kartëmonedhe ndikojnë disa faktorë, nga të cilët veçojmë mënyrën e qarkullimit dhe trajtimin nga përdoruesit. Jetëgjatësia e një kartëmonedhe lidhet edhe me vlerën nominale të saj. Përgjithësisht, prerjet e vogla e kanë jetëgjatësinë 2-3 vjet, prerjet e mesme 3-5 vjet, ndërsa ato të mëdha mbi 7 vjet.
Nga pikëpamja e qarkullimit, kartëmonedhat me prerje të vogël më së shumti ngelen nëpër dyqane dhe qarkullojnë disa herë deri në momentin e depozitimit në sportelet e bankave. Rikthimi i tyre në sportelet e bankave kryhet kryesisht kur kartëmonedhat zbehen apo humbasin një pjesë të cilësive të tyre. Kartëmonedhat me prerje të madhe administrohen më mirë nga përdoruesit, duke treguar më tepër kujdes në përdorim sesa tek ato me prerje të vogël. Pra, sa më e madhe vlera nominale, aq më jetëgjatë edhe kartëmonedha.
Gjatë vitit 2017, në Bankën e Shqipërisë u përpunuan rreth 109 milionë copë kartëmonedha, të cilat u kontrolluan për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim. Nga përpunimi, rezultuan rreth 23.4 milionë copë kartëmonedha të papërshtatshme për përdorim, të cilat u tërhoqën nga qarkullimi dhe rast pas rasti u zëvendësuan me kartëmonedha të reja. Koeficienti i qarkullimit të kartëmonedhës për vitin 2017 rezultoi në vlerën 0.85, që do të thotë se një kartëmonedhë kthehet mesatarisht më pak se një herë në vit në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Ky koeficient është më i lartë për prerjet 500 Lekë, 1000 Lekë dhe më i vogël për prerjet 5000 Lekë dhe 2000 Lekë, gjë që tregon se këto të fundit kthehen më rrallë në sportelet e Bankës së Shqipërisë.